Mehmetaj reagon ndaj Ministrisë së Kulturës
Në përpjeke për ta shuar Kosovafilmin, më shkarkuan arbitrarisht
Nuk desha ta bëjë publik vendimin e MKRS-së, sepse doja t’i ndiqja procedurat ligjore, mirëpo shpifjet e komunikatës, të shpërndarë nga Ministria e Kulturës më obliguam të jap një sqarim për opinionin.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve përmes Komisionit Disiplinor lëshoi një vendim për pushimin tim nga puna. Ky vendim është arbitrar, i mbështetur në shpifje e kurdisje të dy zyrtarëve më të lartë: drejtorit Kamuran Gorancit dhe Sekretarit Veton Firzi. Të gjitha ato që thuhen në komunikatë dhe në vendim janë shpifje, kurdisje të qëllimshme dhe të stisura një kohë më të gjatë. Isha i vetmi drejtor që nuk i takoja klanit të tyre dhe i vetmi zyrtar që i kundërshtoja lojërat e nëndheshme për shuarjen e Kosovafilmit. Kam fakte e dëshmi për ato që them, ndërsa ata pos gënjeshtrave të ulëta, nuk e kanë asnjë mbështetje ligjore, ndërkaq procedurat nuk i kanë respektuar në asnjë moment.
E para, nuk është e vërtet se nuk kam qenë në punë ditën kur më akuzojnë zyrtarët e MKRS-së. Atë ditë, pra me 8 gusht 2012 isha zyrtarisht jashtë shtetit (në Tiranë) me mëditje të MKRS-së dhe në kuadër të projektit të lejuar nga MKRS. (dëshmi: Fletëudhëtim për automjete zyrtare, Raporti për udhëtim dhe realizimin e mëditjeve që i kam deponuar në Ministri dhe do t’i paraqes edhe në Këshillin e Pavarur ). Sipas procedurës duhej të më pyesnin, por Goranci e dinte përgjigjen, sepse një ditë më parë e kam informuar. Prandaj, erdhi në zyre pikërisht ditën kur s’do të më gjente!
E dyta, një muaj më vonë, i njëjti zyrtar, që mu kishte ngjitur si rrodhe vjen para zyrës sime për të më kontrolluar, 15 minuta para se të përfundonte orari i punës. Dy orë më herët shkova në Fushë-Kosovë zyrtarisht. Këtë gjë ia faktova më shkrim zyrtarit që shpif, por ai tashmë e kishte përpiluar vërejtjen.
E treta, zyrtari tjetër, Sekretari i Përhershëm, Veton Firzi mashtron opinionin kinse e kam përdor veturën pa autorizim. Asnjë drejtor i institucioneve të Kulturës që e ka makinën e institucionit në parkun e vet nuk merr autorizim, ai ua nënshkruan autorizimet punëtorëve të institucionit kur dalin në terren. Një gjë të tillë e kam bërë edhe unë, kur i dërgoja punëtorët jashtë Prishtinës, apo jashtë shtetit për nevoja të Kosovafilmit. Pse duhej të isha unë përjashtim? Sepse u duhej alibi për të më pushuar nga puna.
E katërta, hakmarrja e sekretarit Firzi shpërtheu ngase refuzova t’ia jep veturën e Kosovafilmit atij, meqë nuk kisha të drejtë ta tjetërsojë pasurinë e institucionit të cilin e udhëhiqja.
E pesta, vendimi arbitrar i MKRS-së përshpejtohet pasi që e alarmova opinionin për neglizhencën e MKRS, ndërsa kopjet e filmave, pra thesari 50-vjeçar po shkatërrohet, përderisa ata shpenzojnë para për bojëra e tepihe nëpër korridoret e objektit Qafa Galeri. Është e habitshme që ushtruese e detyrës në vendin tim caktohet zyrtarja e cila është në Komisionin për shuarjen e Kosovafilmit. Cinike apo jo?
Arsyeja e vërtet e shkarkimit tim është, sepse duan ta shuajnë me çdo kusht dhe me çdo çmim Kosovafilmin. Ndërkaq, unë e kam kundërshtuar dhe do ta kundërshtoj edhe më tutje.
Shuarja e Kosovafilmit është krimi më i madh që mund ta bëjë Ministria e Kulturës. Një veprim të këtillë me 1989 e pati bërë administrata e Milosheviqit. Këtë praktikë po e ndjekin zyrtarët e sotëm të MKRS-së!
Pirolla u qoftë!
Me nderime:
Gani Mehmetaj
Drejtor i Kosovafilmit