Mehmeti, i pakënaqur me bashkëlojtarët

Kampioni aktual i Suedisë, Malmo po kalon nëpër një periudhë të vështirë. Ata tashmë renditen në vendin e shtatë në tabelë me dhjetë pikë më pak se lideri Helsinborg.
Përveç kësaj, skuadra suedeze - ku luajnë edhe dy sulmuesit kosovarë Dardan Rexhepi dhe Agon Mehmeti - është eliminuar edhe nga Kupa e Suedisë, derisa po përballet edhe me shumë lëndime.
Njëri nga lojtarët më të mirë të Malmos, Agon Mehmeti, për rezultatet e dobëta të ekipit akuzon bashkëlojtarët se janë shumë vetjakë.
“Është bërë një show me një protagonist. Ka shumë futbollistë që janë bërë egoistë dhe dëshirojnë t’i tregoj cilësitë e veta. Nëse dëshirojmë të fitojmë, nuk shkon kështu”, ka thënë Mehmeti për mediat suedeze.
Antari i përfaqësueses U21 të Suedisë thotë se nëse nuk e ndihmojnë njërin-tjetrin sikurse vitin e kaluar, nuk mund të arrijnë suksese. Mehmedi ka mundësi që të largohet nga Malmo gjatë verës. Ai ka kontratë deri në funt të këtij viti, derisa interesim për të ka shprehur ekipi italian Palermo.