E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meidani: Kryeministri bleu akademikët e vjetër

Intervista/ Rexhep Meidani vlerëson se individë me pushtet po pengojnë zbardhjen e krimit shtetëror të Gërdecit

Ish-Presidenti: Opozita të lërë përçarjet

Ish-Kryetari i Shtetit kërcënon qeverinë se të drejtën e tij të akademikut do ta kërkojë deri në Gjykatën e Strasburgut

Teatral dhe pseudo-demokratik. Kështu e ka vlerësuar ish-Presidenti i Republikës, Rexhep Meidani aktivitetin kuvendor për sesionin që sapo u mbyll. Në një intervistë për “Shekullin” ish-numri një i shtetit bën një analizë të përgjithshme situatës politike në vend, duke u ndalur tek aktiviteti kuvendor, qeverisja, gjendja e opozitës dhe së fundi tek zgjedhjet në Akademinë e Shkencave, të cilat nuk ngurron t’i konsiderojë si tërësisht politike dhe të blera nga qeveria. Përsa i përket jetës parlamentare ai thekson se ajo u karakterizua nga arroganca e mazhorancës dhe drejtimi i njëanshëm i kryeparlamentares Jozefina Topalli. Ish-presidenti vëren dhe deformime të thella jodemokratike të godinës shtetërore, por dhe dështim të luftës kundër korrupsionit dhe pse jo dhe abuzime të theksuara ligjore-administrative nga ana e qeveritarëve të sotëm. Duke u ndalur tek zhvillimet në kampin e majtë, Meidani gjykon si të domosdoshëm, realizimin e një koalicioni parazgjedhor me pjesëmarrjen e të gjitha forcave të majta, si e vetmja mënyrë për të administruar sa më mirë votat dhe për të garantuar fitoren. Ai lë të hapur mundësinë e kandidimit si deputetë për Partinë Socialiste, gjithmonë nëse kjo e fundit do ta përfshijë në listën e kandidatëve për deputetë.

Z.Meidani, Kuvendi ka pak ditë që mbylli sesionin e tij të radhës, ndërkohë që forcat politike vijuan ta komentojnë në mënyra të ndryshme veprimtarinë e tij. Ju si një njeri i paangazhuar drejtpërdrejtë në politikë, por edhe si ish-president, si do ta vlerësonit këtë sesion?

Në këtë sesion, nga pikëpamja kohore, u përjetuan disa ngjarje të bujshme, tragjike apo madhore. Pra, fatkeqësisht dhe të shenjave të kundërta: si krimi i Gërdecit, nga njëra anë, dhe pavarësimi i Kosovës e anëtarësimi në NATO, nga ana tjetër. Edhe ky sesion u karakterizua nga shumë të tatëpjeta dhe të përpjeta, u shfaq me ndërthurje të “teatralitetit” pseudo-demokratik me arrogancën sa të tepruar, po aq të pakuptimtë të deputetëve të “spektrit blu”. Në këtë këndvështrim edhe ky sesion, ashtu si në përgjithësi funksionimi i Kuvendit, ishte një sesion më tepër kartonësh të komanduar sesa parlamentarësh dinjitozë. Po ashtu, jo efektiviteti në lidhje me mjaft çështje thelbësore, si p.sh., ajo e hartimit të Kodit Zgjedhor, e kanë zëvendësuar në Kuvend mjaft shpesh retorika e tensionimi, provokimi e fyerja, deri dhe kërcënimi i turpshëm me “vrasje”, si në seancën e korrikut. Tepër problematik dhe me njëanshmëri skandaloze ka qenë dhe drejtimi i seancave të tij...

Ndërkohë gjatë këtij sesioni nuk u arrit që të përmbylleshin një sërë reformash apo nismash të rëndësishme, midis të cilave dhe miratimi i një ligji të posaçëm për hapjen e dosjeve. Besoni se politika shqiptare ka vullnetin e duhur për të ndërmarrë një hap të tillë, dhe në të vërtetë çfarë do të sillte ai?

Me mangësitë, mbulimet e presionet, pastrimet e ndërhyrjet “filtruese”, ç’ishte për t’u bërë tashmë është bërë. Aq më tepër që ka ndodhur dhe rotacioni i plotë i forcave kryesore politike. Secila prej tyre e ka bërë stazhin prej 8 vjetësh në qeverisje. Prandaj dhe të krijohet përshtypja se ajo që po debatohet aktualisht, teatri e zelli që shfaqen kohët e fundit me riciklime të kohëpaskohshme të drafteve “antispiun”, i kalon qartësisht kufijtë e seriozitetit. Në kushte të tilla nuk mund të shmanget dyshimi se gjithçka bëhet thjesht e vetëm për motive të tjera: diku për të tërhequr vëmendjen politike e mediatike nga ngjarje tepër diskredituese si p.sh., ajo e Gërdecit, diku për të rreshtuar “ushtarët” dhe shtrënguar radhët e tyre, diku tjetër për të kufizuar apo kërcënuar kundërshtarët. Nuk e di çfarë projekti “tundet” më shumë, por a mund të shpjegohet ndryshe fakti që në një nga këto projekte përfshihen dhe anëtarët e Këshillit Presidencial (të një organi këshillimor 1-2-mujor, pa kapacitete vendimmarrëse, të sajuar pas shpalljes së pluralizmit sipas një propozimi të z.Godo), ndërkohë që një nga anëtarët e këtij këshilli, z.Xhuveli (në mos gabohem edhe me “detyrën” e nënkryetarit të tij) është prej 3 vjetësh një nga ministrat e kabinetit “Berisha”, që me sa duket dhe e ka propozuar këtë draft, ashtu siç është gjetur në “sëndukët” e mykur të vitit 1995-1996...

Në mbledhjen e fundit, Kuvendi miratoi dhe ndryshimet në qeveri. Vlerësimi juaj për to dhe a mjaftojnë ato për të përmirësuar qeverisjen?

Në gjykimin tim, nuk është fare puna e emrave që ka ndonjë vlerë bazë në përmirësimin e qeverisjes. Aty kërkohet një përmbysje thelbësore e stilit dhe e mendësisë së drejtimit të saj. Dhe për këto të fundit, duhet shkuar më lart. Por deri këtu nuk më duket se ka këllqe pozita aktuale, sidomos pas ndryshimeve të fundit kushtetuese. As me stilin aktual të opozitës apo “filozofinë” e saj, kjo nuk duket e mundur. Prandaj, si ndryshimet e bëra, ashtu si dhe ato të pritshmet, nuk mund të rezultojnë ndryshe veçse thjesht garnitura të zhurmshme, pa ndonjë efekt tek qytetarët...

Gjithashtu, fundi i muajit gusht përbën dhe trevjetorin e ardhjes së demokratëve në pushtet. Keni një përkufizim për këtë qeverisje trevjeçare?

Kam një vlerësim mjaft të ndryshëm me atë që propagandon një pjesë e demokratëve, sidomos Kryeministri. Jo vetëm në lidhje me ecjen prapa apo deformimin jo demokratik të godinës shtetërore, por dhe në rrafshin e zhvillimit ekonomik, të luftës kundër korrupsionit apo abuzimeve të theksuara ligjore-administrative. Pa harruar, brenda një krahasimi relativ, që jetojmë në kohë të tjera, në situata mjaft më të favorshme rajonale!...

Kohët e fundit është hapur dhe debati për një kërkesë të qeverisë për largimin apo kufizimin e rolit të OSBE-së në vendin tonë. Komenti juaj…

Secili mund të dëshirojë që “Beni të eci vetë”, por mendësia e sjellja politike, sidomos këto tre vite, dëshmuan për domosdoshmërinë, diku të “aspirinës”, diku të “antibiotikut” ndërkombëtar për të mos rënë në ndonjë greminë si afro 12 vjet më parë. Pastaj, të mos harrojmë se në këtë botë globale që jetojmë, në binomin sovranitet-ndërvarësi, ndërvarësia, gjithmonë e më shumë, në një mënyrë apo në tjetrën, është e ulur këmbëkryq praktikisht në çdo vend. Tek ne diçka më shumë. Për papjekurinë e papërgjegjshmërinë tonë politike!...

Z.Meidani, megjithëse kanë kaluar pesë muaj që nga tragjedia e Gërdecit, ende nuk kemi asnjë të dënuar si përgjegjës për të. Mendoni se një ngjarje e tillë do të zbardhet ndonjëherë, apo do të mbetet peng i politikës?

Duke qenë jo thjesht një tragjedi, por një krim shtetëror, mund të ketë individë me pushtet që të jenë të interesuar për mbulimin e kësaj ngjarjeje. Pra, të përpiqen me çdo mjet e mënyrë për të penguar, ndikuar ose ndërhyrë në procesin ligjor, në etapat e ndryshme të tij: në hetim, penalizim dhe gjykim. Sidoqoftë, përmasa tepër tragjike e kësaj ngjarjeje dhe ndërkombëtarizimi i saj e bëjnë të vështirë mbulimin dhe fshehjen e fajtorëve të vërtetë, mos zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje...

Kur mbeten më pak se një vit nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ende opozita vazhdon të jetë e fragmentarizuar. Cilat janë arsyet, sipas jush, të kësaj situate në kampin e majtë?

Janë të ndryshme. Për disa ato pretendohen që janë me natyrë objektive e programore, për të tjerë me përmbajtje subjektive. Pa harruar dhe interesa individuale jo shumë transparente apo një mosbesim të ndërsjellë midis drejtuesve kryesorë. Edhe, në gjykimin tim, në krijimin e kësaj situate, krahas përafrimeve të ndryshme në sjelljen dhe veprimin opozitar, më duket se aty më shumë mbizotëron aspekti subjektiv-emocional. Madje, ka një ngutje publike për të thënë gjënë e fundit të parën! Ndërkohë janë të gjitha mundësitë për kompromise, marrëveshje dhe bashkëpunim në interes të të gjitha palëve. Dhe, natyrisht, iniciativat në këtë drejtim, nga qetësimi e normalizimi i situatës, deri në kthimin e besimit të ndërsjellë, vlen të ndërmerren, në radhë të parë, nga më i madhi!...

Shpeshherë në opinionin publik është folur se në qendër të këtij konflikti është bërë posti ardhëm i Kryeministrit të vendit. Në gjykimin tuaj, kujt i përket e drejta për të qenë kryeministër i së majtës?

Një gjë e tillë më duket pak e besueshme. Bile, edhe në nivel thashethemesh kjo zhurmë më duket tepër larg interesave të qytetarëve dhe, mbi të gjitha, atyre të elektoratit, që voton për kampin e majtë. Pa harruar këtu që, në Kushtetutë, kjo është e përcaktuar qartë në nenin 96, paragrafi i parë.

Duke marrë parasysh edhe sistemin e ri zgjedhor që u sanksionua në Kushtetutë, sa e dëmton një fragmentarizim i tillë një sukses të së majtës në këto zgjedhje?

Po të kishim një sistem zgjedhor proporcional në nivel kombëtar nuk do të dilte si një problem tepër i mprehtë fragmentimi i spektrit politik. Pra, në kuadër të atij sistemi, “pazaret” e bashkimet, sidomos kur ato janë tepër artificiale, bëhen të padobishme. Ndërsa, në rastin konkret, me një sistem proporcional rajonal, fragmentimi në njërin krah politik, kur në krahun tjetër realizohet unifikimi, e dëmton këtë krah të fragmentuar, deri dhe e rrezikon fitoren e tij. Bile, edhe kur një numër më i madh votuesish është në favor të këtij krahu. Natyrisht, me një humbje deri në një nivel të dhënë (ndoshta, prej 2-4 deputetësh), kur ky fragmentim është dypjesësh dhe pjesa më e vogël ka një rezultat proporcional jo shumë larg atij mesatar për rajon, d.m.th., vlerës afro 8%. Për një fragmentim me më shumë pjesë kjo humbje vote thellohet.

Në të tilla kushte, ju e shihni të domosdoshëm krijimin e një koalicioni parazgjedhor të së majtës, kur edhe të djathtët kanë deklaruar daljen në koalicion?

Për të mënjanuar çdo firo apo votë të dhënë, pa dyshim, koalicioni parazgjedhor është shumë më garantues për fitore. Vetëm kur diferencat midis dy krahëve apo kampeve të politikës bëhen të konsiderueshme, ai edhe mund të jetë thjesht paszgjedhor. Por nuk më duket se është tamam ky rasti. Prandaj koalicioni parazgjedhor, në shumë pikëpamje, del më i sigurti. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se sistemi proporcional rajonal bën ngjeshje të rezultateve për nga qendra e tyre, d.m.th., fitorja arrihet, normalisht, me një diferencë të vogël mandatesh midis palëve. Edhe për këtë arsye shtesë varianti i parë, d.m.th., koalicioni parazgjedhor, bëhet më se i domosdoshëm.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare, a do të përbëjnë për ju një moment për t’u rifutur në politikë. Pra, nëse PS do ta përfshijë emrin tuaj në listën e kandidatëve për deputetë a do të pranoni?

Kam lexuar diku një histori të lashtë, të konsideruar si tipike për një përgjigje lakonike. Bëhej fjalë për ushtrinë perse, që kishte rrethuar Spartën. Persët, të lodhur nga rrethimi i gjatë i qytetit u dërguan spartanëve një letër, ku i kërcënonin se po të mos dorëzoheshin, do ta shkatërronin qytetin dhe do të vrisnin të gjithë banorët. Përgjigja e Spartës ishte tepër e shkurtër: “Nëse”. Ma thotë mendja që kjo vlen dhe në këtë rast...

Ndërkohë, kohët e fundit, në gjirin e Partisë Socialiste janë shtuar zërat për domosdoshmërinë e një opozite më të fortë. Si do ta vlerësoni opozitën e PS-së nën drejtimin e Edi Ramës?

Bazuar në rezultate, kam përshtypjen se zëri opozitar pothuajse nuk përfillet nga pozita e sotme. Madje, çuditërisht, nuk mungojnë dhe “talljet” publike të Kryeministrit! Kjo, edhe pse ka ndodhur Gërdeci apo çmimet e mallrave të konsumit dhe shërbimet kanë shkuar “astronomikisht” përpjetë. A mungon analiza konkrete e orientimi i qartë apo ka dhe arsye të tjera, këtë nuk mund ta them. Por pretendimi për t’u shkëputur nga të bërit opozitë të egër apo destruktive të tipit të Berishës, më duket më tepër si justifikim, sepse një opozitë serioze disponon gjithmonë një larmi mjetesh e “teknologjish” për të kontrolluar, kufizuar apo demaskuar një qeverisje të keqe e abuzive. Madje, të them të drejtën, nuk e kuptoj këtë lloj justifikimi dhe qarkullimin e tij si argument “nëpër tavolina”! Ndërkohë, logjikën e pritshmërisë dhe të “fërkimit të duarve”, kur shtohen gabimet e abuzimet qeverisëse, nuk e konsideroj tepër civile e qytetare, por as strategji e taktikë politike. E jo më rrugë për fitore!...

Z.Meidani, Akademia e Shkencave mbylli fazën e saj të rinovimit, ku emri juaj nuk u përfshi në të. Nga posti i Kryetarit që ju u zgjodhët pak kohë më parë, nuk arritët të bëheshit as pjesë përbërëse e akademisë. Si qëndron e vërteta me këtë çështje?

As e kam fare idenë. Por ama, mund ta korrigjoj lehtë pyetjen tuaj me kundër-pyetjen time: A mund të quhet proces rinovimi një proces politik përzgjedhjeje emrash, i komanduar nga Ekzekutivi, nën kontrollin e drejtuesit apo stafit të tij? Në këtë proces pa precedent në historinë e vendeve evropiane, fatkeqësisht, shërbyen apo u “blenë”, me dashje apo “detyrim” dhe disa anëtarë të mëparshëm të akademisë. Dhe akoma më e turpshme, edhe disa të huaj, që duke mos pasur nivelin e mjaftueshëm për të qenë anëtarë akademie në vendet e veta, patën kurajën të përzgjidhnin anëtarë akademie në një vend tjetër. Sikur, për ta, të ishim ndonjë tribu primitive! Si kanë arritur deri këtu, shpresoj të gjenden “letrat” dhe të merret vesh më vonë! Por, realisht një gjë e tillë është sa fyese dhe absurde, po aq e turpshme dhe e dhimbshme! Sa për ironi: thuhet se kjo ka ndodhur vetëm në Romë, në kohën e perandorit Justinian (për të shkatërruar Akademinë liberale të Platonit); dhe aktualisht edhe në Tiranë, në kohën e qeverisë “Berisha X” (numrin nuk e di!)...

Nga ana tjetër, në lidhje me anëtarësinë time, mund të pohoj se unë nuk jam emëruar nga ndonjë kryeministër apo “komitet politik” pranë tij, por jam zgjedhur anëtar akademie, për vendin e mbetur bosh, me votë të lirë të akademikëve në Asamblenë e Akademisë së Shkencave, vite më parë. Bile, në të njëjtin vit me mua u zgjodh për një vend të mbetur të lirë, në Akademinë Franceze, edhe ish-presidenti i Francës, Giscard d’Estaing. Pra, edhe ai, edhe unë, kemi një të drejtë të fituar, e cila, sipas çdo ligji demokratik ndërkombëtar, nuk mund të humbasë më. Aq më tepër, që jam krejtësisht i bindur, edhe pa i ditur “prurjet e emëruara”, se po të krahasohet CV-ja ime shkencore, e kaluar dhe e sotme, me të gjithë të sapoemëruarit, sidomos me vetë emëruesit, ajo duhet të jetë e paarritshme, apo, le të themi për modesti, vështirësisht e arritshme!... Por, nëse mohohet kjo e drejtë e fituar, siç pretendoni ju në pyetjen tuaj, nga ndonjë “stan” aktual politik apo klanor, do të kërkohet të rikthehet ajo, brenda sistemit juridik shqiptar deri në zgjidhjen e saj, dhe po të jetë e nevojshme, dhe në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg. Natyrisht, shoqëruar dhe me dëmshpërblimin moral! Ky është dhe favori i të jetuarit sot, në një botë me mekanizma të fuqishëm globalë, ku dënohen si Millosheviçët e Karaxhixhët, ashtu dhe izolohen, derisa të përmbysen, Llukaçenkot e llojllojshëm. Aq më e lehtë bëhet kjo tashmë në Shqipëri, në prag procesesh integruese, ku imponohen vëzhgime, kushtëzime e instrumente shtesë. Sidomos pas hapjeve të sotme të “syve” ndërkombëtarë, me krimin e Gërdecit, me votimin “en bloc” kundër propozimeve për Gjykatën e Lartë apo me fyerjet, deri kërcënimin me vrasje, brenda seancës së Kuvendit...

Për akademinë:

“Në këtë proces pa precedent në historinë e vendeve evropiane, fatkeqësisht, shërbyen apo u “blenë”, me dashje apo “detyrim” dhe disa anëtarë të mëparshëm të akademisë. Dhe akoma më e turpshme, edhe disa të huaj, që duke mos pasur nivelin e mjaftueshëm për të qenë anëtarë akademie në vendet e veta, patën kurajën të përzgjidhnin anëtarë akademie në një vend tjetër. Sikur, për ta, të ishim ndonjë tribu primitive!”.

Për mandatin:

“Por, nëse mohohet kjo e drejtë e fituar, siç pretendoni ju në pyetjen tuaj, nga ndonjë “stan” aktual politik apo klanor, do të kërkohet të rikthehet ajo, brenda sistemit juridik shqiptar deri në zgjidhjen e saj, dhe po të jetë e nevojshme, dhe në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut, në Strasburg. Natyrisht, shoqëruar dhe me dëmshpërblimin moral! Ky është dhe favori i të jetuarit sot, në një botë me mekanizma të fuqishëm globalë, ku dënohen si Millosheviçët e Karaxhixhët, ashtu dhe izolohen, derisa të përmbysen, Llukaçenkot e llojllojshëm”.

Për opozitën:

“Bazuar në rezultate, kam përshtypjen, se zëri opozitar pothuajse nuk përfillet nga pozita e sotme. Madje, çuditërisht, nuk mungojnë dhe “talljet” publike të Kryeministrit! Kjo, edhe pse ka ndodhur Gërdeci, apo çmimet e mallrave të konsumit dhe shërbimet kanë shkuar “astronomikisht” përpjetë. A mungon analiza konkrete e orientimi i qartë apo ka dhe arsye të tjera, këtë nuk mund ta them”.

Për kandidimin:

“Kam lexuar diku një histori të lashtë, të konsideruar si tipike për një përgjigje lakonike. Bëhej fjalë për ushtrinë perse, që kishte rrethuar Spartën. Persët të lodhur nga rrethimi i gjatë i qytetit u dërguan spartanëve një letër, ku i kërcënonin se po të mos dorëzoheshin, do ta shkatërronin qytetin dhe do të vrisnin të gjithë banorët. Përgjigja e Spartës ishte tepër e shkurtër: “Nëse”. Ma thotë mendja që kjo vlen dhe në këtë rast...”.

Për koalicionin:

“Për të mënjanuar çdo firo apo votë të dhënë, pa dyshim, koalicioni parazgjedhor është shumë më garantues për fitore. Vetëm kur diferencat midis dy krahëve apo kampeve të politikës bëhen të konsiderueshme, ai edhe mund të jetë thjesht paszgjedhor. Por nuk më duket se është tamam ky rasti. Prandaj koalicioni parazgjedhor, në shumë pikëpamje, del më i sigurti”.

Për konfliktin:

“Janë të ndryshme. Për disa ato pretendohen që janë me natyrë objektive e programore, për të tjerë me përmbajtje subjektive. Pa harruar dhe interesa individuale jo shumë transparente apo një mosbesim të ndërsjellë midis drejtuesve kryesorë. Edhe, në gjykimin tim, në krijimin e kësaj situate, krahas përafrimeve të ndryshme në sjelljen dhe veprimin opozitar, më duket se aty më shumë mbizotëron aspekti subjektiv-emocional”.

Për Gërdecin:

“Duke qenë jo thjesht një tragjedi, por një krim shtetëror, mund të ketë individë me pushtet që të jenë të interesuar për mbulimin e kësaj ngjarjeje. Pra, të përpiqen me çdo mjet e mënyrë për të penguar, ndikuar ose ndërhyrë në procesin ligjor, në etapat e ndryshme të tij: në hetim, penalizm dhe gjykim. Sidoqoftë, përmasa tepër tragjike e kësaj ngjarjeje dhe ndërkombëtarizimi i saj e bëjnë të vështirë mbulimin dhe fshehjen e fajtorëve të vërtetë”.

Për qeverinë:

“Në gjykimin tim, nuk është fare puna e emrave që ka ndonjë vlerë bazë në përmirësimin e qeverisjes. Aty kërkohet një përmbysje thelbësore e stilit dhe e mendësisë së drejtimit të saj. Dhe për këto të fundit, duhet shkuar më lart. Por deri këtu nuk më duket se ka këllqe pozita aktuale, sidomos pas ndryshimeve të fundit kushtetuese. Prandaj si ndryshimet e bëra, ashtu si dhe ato të pritshme, nuk mund të rezultojnë ndryshe”.

Për OSBE-në:

“Secili mund të dëshirojë që “Beni të eci vetë”, por mendësia e sjellja politike, sidomos këto tre vite, dëshmuan për domosdoshmërinë, diku të “aspirinës”, diku të “antibiotikut” ndërkombëtar për të mos rënë në ndonjë greminë si afro 12 vjet më parë. Pastaj të mos harrojmë se në këtë botë globale që jetojmë, në binomin sovranitet-ndërvarësi, ndërvarësia, gjithmonë e më shumë, në një mënyrë apo në tjetrën, është e ulur këmbëkryq praktikisht në çdo vend”.

Për dosjet:

“Me mangësitë, mbulimet e presionet, pastrimet e ndërhyrjet “filtruese” ç’ishte për t’u bërë tashmë është bërë. Aq më tepër që ka ndodhur dhe rotacioni i plotë i forcave kryesore politike. Secila prej tyre e ka bërë stazhin prej 8 vjetësh në qeverisje. Prandaj dhe të krijohet përshtypja se ajo që po debatohet aktualisht, teatri e zelli, që shfaqen kohët e fundit, me riciklime të kohëpaskohshme të drafteve “antispiun”, i kalon qartësisht kufijtë e seriozitetit”.

Për Kuvendin:

“Edhe ky sesion u karakterizua nga shumë të tatëpjeta dhe të përpjeta, u shfaq me ndërthurje të “teatralitetit” pseudo-demokratik me arrogancën sa të tepruar, po aq të pakuptimtë të deputetëve të “spektrit blu”. Në këtë këndvështrim edhe ky sesion, ashtu si në përgjithësi funksionimi i Kuvendit, ishte një sesion më tepër kartonësh të komanduar sesa parlamentarësh dinjitozë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›