Meidani: Tri variantet e zgjidhjes së krizës
Ish-presidenti Rexhep Meidani, megjithëse jo fort aktiv në jetën politike, ka dhënë dje tri mënyra se si mund të zgjidhet kriza aktuale, kur PS ndodhet jashtë Kuvendit dhe kërkon të hapë kutitë e 28 qershorit, një kusht i panegociueshëm nga ana e mazhorancës. Meidani mundohet të mbajë ekuilibër dhe nga njëra anë i kërkon opozitës të ndërpresë bojkotin e të hyjë në Kuvend, e nga ana tjetër i kërkon mazhorancës që të bëjë lëshime. Ai flet për tre rrugë kompromisi, politike, teknike dhe juridike dhe vlerëson se Presidenti duhet të lëvizë duke mos e lënë situatën të precipitojë më keq. Nisur pikërisht nga situata politike në të cilën ndodhet vendi, ai fton kreun aktual të shtetit që me përgjegjësinë që i jep Kushtetuta si simbol i unitetit të vendit të ndërhyjë për të krijuar mundësi për gjetjen e një zgjidhje mes palëve. “Natyrisht që nuk më pëlqen që të marr një pozicion, që në një mënyrë apo në një tjetër lidhet me detyrën e Presidentit sot, por institucioni i Presidentit si një institucion i unitetit të popullit, e ka për të detyrë të shmangë çdo lloj krize potenciale dhe për të mos lejuar atë krizë që të kthehet në një krizë reale. Në gjykimin tim ka dy mënyra mirëkuptimi mbi faktet dhe vlerat: mund të jetë mirëkuptimi i drejtë dhe i mirë mbi vlerat dhe faktet, në këtë rast zgjidhjet janë të thjeshta, pra teknike dhe kjo mund të bëhet në mënyrë fare normale, mund të jetë rasti kur zgjidhjet mund të jenë politike, mund të jenë juridike dhe në qoftë se të tria këto variante, teknike, politike dhe juridike nuk japin rezultat, atëherë mund të ndodhë që kriza mund të zbërthehet deri në gjirin e popullsisë dhe këtë jo vetëm që nuk e meritojnë shqiptarët, por vetëm e dëmton shoqërinë shqiptare dhe proceset integruese të Shqipërisë”. I gjendur në një konferencë shkencore në qytetin e Korçës, ish-presidenti Rexhep Meidani ka vendosur të thyejë heshtjen politike, duke folur për bojkotin e Partisë Socialiste. Sipas tij, opozita duhet të kthehet në Parlament dhe të dyja forcat politike duhet të gjejnë konsensus që vendi të mos shkojë drejt krizës. “Transparenca ka të bëjë me hapjen e kutive, por opozita për të arritur tek kjo transparencë duhet të futet në Parlament, pra të lërë mënjanë këtë prirjen bojkotiste. Pra, kërkohet një ndërthurje e dy aspekteve, ndryshe ne do vazhdojmë të kemi një situatë krize, që është e bezdisshme për politikën, është e bezdisshme për qeverisjen, është e bezdisshme dhe ndoshta frenuese për proceset integruese, por mbi të gjitha zhgënjen tërësisht qytetarin shqiptar”.