Berisha në Kuvendin e PD: Fituam për heqjen e vizave dhe hyrjen në BE
U mblodhën të gjithë, për të festuar në një ditë lindjen dhe ripërtëritjen e partisë. Nga podiumi i Pallatit të Kongreseve që simbolizoi njëherësh 19-vjetorin e krijimit të PD-së dhe kongresin IX të demokratëve, lideri i të djathtës shqiptare, Kryeministri Sali Berisha, paralajmëroi se mazhoranca qeverisëse është e gatshme për çdo betejë në mbrojtje të votës së lirë. Z. Berisha mes një entuziazmi festiv dhe zgjedhor të PD-së shprehu angazhimin për t’i dhënë përgjigjen e merituar mafies, e cila dëmton imazhin e vendit në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian. Para kuvendorëve demokratë, z. Sali Berisha konfirmoi përpjekjet e qeverisë për luftën ndaj mafies, e cila, sipas tij, “gllabëron çdo ditë pasuritë e këtij vendi”. “Deklaroj publikisht se kjo luftë, betejë dhe përpjekje jona kundër mafies nuk ka dhe nuk do të ketë tendencën më të vogël politike, por ka dhe do të ketë interesin jetik të qytetarit shqiptar dhe sigurisë së jetës së tij”, - deklaroi ai. Kryeministri dhe kryetari i PD-së vuri në dukje se kanë përfunduar në shpellat e saj, por nuk do të tolerohen kurrë më, pasi për pallatet mbi rrugë dhe rrugica, qeveria nuk mund të ketë përgjigje tjetër veçse fadromave të ligjit. “Unë jam Sali Berisha dhe e mbaj fjalën. Nuk do pranojmë kompromise me mafien”, - theksoi z. Berisha. Më tej, ai i ofroi opozitës mirëkuptim dhe bashkëpunim për realizimin e reformave madhore për vendin. Kreu demokrat theksoi se nuk do të lejohet nëpërkëmbja e vullnetit të qytetarëve, por duke vënë në dukje se pasioni për lirinë nuk do të lejojë nëpërkëmbjen e votës së 28 qershorit. “I ofroj opozitës frymën e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit për reformat e mëdha, por i paralajmëroj se pasioni ynë për liri nuk do të lejojë të nëpërkëmbet vullneti i lirë i qytetarëve shqiptarë. Sot jemi gati për çdo betejë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë”, - tha z. Berisha në fjalën e mbajtur para delegatëve demokratë. Në vijim, Berisha theksoi se qeveria e drejtuar prej tij “do të zbatojë me vendosmëri, do të përdorë të gjithë pushtetin që i ka dhënë sovrani për të luftuar mafien”, duke shtuar: “Qeveria ime nuk do ketë përgjigje tjetër përveç fadromave pallateve mbi rrugica”. Kryeministri Berisha e cilësoi kuvendin IX të Partisë Demokratike si kuvendin i cili do të përgatisë fitoren e kësaj force politike në vitin 2013, por deri atëherë, qeveria e tij do të përqendrohet në përmirësimin e jetës në vend me reformat në shëndetësi, arsim, uljen e varfërisë dhe integrimin e vendit. Sipas tij, ky është kuvendi i fitores dhe Shqipërisë evropiane. Berisha përmendi faktin se në këtë mandat të dytë, PD-ja është në koalicion me një partner të majtë, me një anëtar të koalicionit, i cili në programin e tij, si shtyllë kryesore ka integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe Shqipërinë sociale. “Ne, - tha ai, - ndihemi të vendosur të jetësojmë çdo ditë krahas programit tonë, programin e partnerëve tanë, sepse aspirata e integrimit, ideali evropian nuk është monopol vetëm yni”. “Këtë ideal e mbështetin 94 për qind e shqiptarëve, pavarësisht nga spektri politik. Ndihemi shumë krenarë, që qëndrojmë në këtë ideal, jemi shumë të kënaqur që në këtë koalicion kemi një parti që përfaqëson interesat e vërteta të elektoratit të majtë, të vendosur të ecim së bashku në zgjedhjet e 2011-s, të ecim së bashku në zgjedhjet e 2013-s, të ecim së bashku në zgjedhjet e 2024-s”, - u shpreh z. Berisha. Kryeministri u ndal dhe tek historiku 19-vjeçar i PD-së, një rrugëtim ky që, sipas z. Berisha, projektoi atë që lideri i demokratëve e cilësoi si pasioni për të garantuar lirinë dhe të drejtat e mohuara në përmbushje të projektit evropian të Shqipërisë. Sipas tij, ky është kuvendi i fitores historike, i vendimeve të mëdha dhe i horizontit të ri historik për Shqipërinë evropiane. “Mblidhemi në këtë kuvend, në datën e themelimit të PD-së dhe ulemi në të më krenarë se kurrë për këtë forcë politike, e cila u projektua nga trimëria e kuraja e studentëve që u përballën me regjimin më barbar e mizor në Evropë. Pasioni ynë për lirinë na bën sot ne demokratëve që të festojmë rënien e këtij muri me 500 mijë shqiptarë”, - u shpreh z. Berisha. Në një fjalim që zgjati më shumë se 40 minuta, lideri i demokratëve, përpara 1267 delegatëve, tha se mbajtja e këtij kuvendi projektohet në një horizont të ri për Shqipërinë që, sikundër tha zoti Berisha, vjen pas zgjedhjeve që përmbushën standardet e ndërkombëtarëve. Andaj, ai i bëri ftesë opozitës dhe kryesocialistit Rama që të distancohet nga bojkoti, dhe të bashkëpunojë për përmbushjen e reformave në vend.