E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitingjet e PS-së rinisin nga Durrësi



Parashikimi për të mbledhur në sheshin para pallatit të kulturës “A. Moisiu” në Durrës mijëra vetë, madje edhe ata që dalin pasdite në xhiro bulevardit të qytetit, duket se ka qenë dështimi i radhës i Ramës. Ashtu siç edhe pritej, Durrësi që ka qenë prej 1992 dhe vazhdon të jetë edhe sot shumicë absolute pro PD-së, e ka braktisur Edi Ramën, madje të lodhur nga thirrjet për protesta dhe të zhgënjyer edhe nga premtimet, edhe më fanatikët nuk kanë dashur ta prishin qetësinë e pasdites. Duke folur në mitingun e djeshëm nga Durrësi, Rama kërkoi edhe njëherë nga Kryeministri Berisha “hapjen e kutive ose largimin e tij”. Sipas tij, “Durrësi mbetet qyteti që po vuan më shumë se kushdo qeverisjen e keqe dhe të papërgjegjshme të PD-së, rrënimin dhe falimentimin e bizneseve, rritjen e papunësisë, krimit dhe fenomeneve të tjera negative”. Rama në fjalën e tij tha se “e nisëm nga Durrësi, pasi ky qytet po ndjen prej 5 vitesh peshën e keqqeverisjes nga Sali Berisha, e nisëm nga ky qytet, pasi Durrësi ka numrin më të lartë të bizneseve të falimentuara dhe rritjen e ushtrisë së të varfërve, të atyre që dergjen prej mëngjesit deri në darkë me lopatën në dorë duke kërkuar dhe pritur të gjejnë punë”. Rama kërkoi nga Durrësi “hapjen e kutive ose largimin e Berishës, pasi ne jemi të vendosur të qëndrojmë të palëkundur në vendimin tone për të mos hyrë në Parlament, pasi e konsiderojmë atë ilegjitim, ashtu si edhe qeverinë e drejtuar nga Sali Berisha”. Rama u shpreh se “duke dashur të tërheqë vëmendjen e opinionit, Kryeministri ka nisur ditët e fundit një sulm të paparë ndaj Bashkisë së Tiranës, Durrësit dhe ndaj kujtdo bashkie e komune që drejtohet nga socialistët, ndaj biznesit dhe ndërtuesve në veçanti, duke dashur ta zhvendosë interesimin e qytetarëve nga hallet e ditës, nga fukarallëku që ka pllakosur dhe korrupsioni që ka mbërthyer institucionet e shtetit”. Mitingu i socialistëve dje në Durrës është vlerësuar edhe nga shumë prej militantëve të hershëm të asaj partie në qytetin bregdetar, si më i dobëti, kjo pasi në 20 vjet pluralizëm, PS në mitingjet e saj ka eksportuar gjithmonë njerëz për të mbushur sheshin apo sallat. Durrësi ka qenë dhe do të mbetet historikisht shumicë blu dhe këtë e pranuan edhe dje vetë drejtuesit e PS-së lokale. Ndërsa kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, ka akuzuar qeverinë se “ka zvogëluar buxhetin për qytetin e Durrësit dhe këtë qytetarët nuk mund ta durojnë, pasi kjo i prek drejtpërdrejt ata”. Opozita nisi nga Durrësi javën e protestave që do të përfundojnë më 21 dhjetor në Tiranë. Kryefjale e këtyre protestave që do të zhvillohen kryesisht në bashkitë që drejtohen nga të zgjedhurit vendorë socialistë do të jetë hapja e kutive.

Koçi: Kriza nisi me kodin zgjedhor

Kreu i PSV’91, Petro Koçi, i cili u votëbesua nga partia, pasi kishte dhënë dorëheqjen fill pas zgjedhjeve, deklaron se përgjegjës për krizën politike në vend janë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe Kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, fillesa e saj është kodi zgjedhor dhe ndryshimet kushtetuese përpara zgjedhjeve të 28 qershorit. “Berisha nuk i fitoi zgjedhjet më 28 qershor 2009, por më 28 prill 2008, ndërsa ata që shitën zgjedhjet dhe morën pjesë në grushtin e shtetit mbi Kushtetutën nuk mund të qahen për zgjedhjet e manipuluara e të kërkojnë zgjedhje të reja, të parakohshme, e kësaj radhe të lira e të ndershme, pa kërkuar më parë falje publike për papërgjegjshmërinë e demonstruar. Ne jemi në favor me propozime konkrete qysh nga 2005, por edhe tani, për pastrimin e katharsis të një procesit zgjedhor, por jemi të bindur se pa bërë katharsis mbi 21 prillin nuk mund të pastrohet politika shqiptare nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetet dhe vullneti zgjedhor i qytetarëve. Pas 19 vjetësh sanksionimi formal të demokracisë shumëpartiake, 8 dhjetori 2009 e gjeti pluralizmin shqiptar jo më me dy parti, se kjo do të ishte e keqja më e vogël, por me vetëm dy persona, me dy agallarë, me dy agallarë me të njëjtën alternativë”, - tha Koçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›