E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meidani: Zgjidhja të kërkohet në institucione

19/05/2010 Ish-presidenti i Republikës i kërkon lidershipit të PS të ndërpresë grevën e urisë.

Bojkoti i zgjedhjeve të ardhshme do të ishte një katastrofë për PS-në

Zoti Meidani, prej dy javësh në bulevardin kryesor të Tiranës, po zhvillohet një grevë urie e opozitës. Cilat janë emocionet tuaja në lidhje me këtë grevë?

Ka dy pamje në emocionet e mia, njerëzore dhe politike. Në pikëpamjen njerëzore kam dhimbje për këta njerëz për sakrificën dhe natyrisht dëshiroj që kjo grevë të mbyllet sa më parë. Në planin politik mund të flas në disa shtresime, në kuptimin që ideja e një reagimi qytetar ndaj një institucioni të rëndësishëm të zhvillimeve demokratike, të institucionit të votës së lirë, ky reagim është tepër i mirëpritur, tepër pozitiv. Personalisht kam qenë në mbështetje të realizimit të transparencës së procesit zgjedhor, duke gjetur të gjitha hapësirat për këtë transparencë. Nga pikëpamja kushtetuese në mendimin tim, kjo transparencë është e mundur brenda vullnetit të partive politike, por është e mundur edhe brenda rregullave të institucioneve tona. Në këtë drejtim dhe mund të jetë spekuluar dhe nuk është momenti për ta zgjatur. Ky është shtresimi i parë, por ka edhe një të dytë, po aq të rëndësishëm, i ndeshjes së kësaj situate, e cila nuk është e rastit, është brenda zinxhirit të shkak-pasojës. Pra, jemi në këtë situatë si pasojë e disa ngjarjeve të mëparshme, pjesë e kësaj ngjarjeje është institucioni i votës së lirë, respektimi i tij, garantimi i plotë i tij. Prekja e këtij institucioni është pasojë e ngjarjeve të mëparshme, dhe në këtë zinxhir shkak-pasojë edhe Partia Socialiste ka gabimet e saj, dhe një nga këto gabime janë amendamentet kushtetuese, me dobësimin e rolit të kryetarit të shtetit, dhe me fuqizimin tej mase të rolit të Kryeministrit, për arsye nga më të ndryshmet. Për arsye po nga më të ndryshmet është prekur edhe institucioni që menaxhon votën e lirë, vazhdon ende edhe pas 20 vjetësh, të kemi komisione bipartizane, në vend që të kishim komisione qytetare, përtej ndikimeve politike, komisione që duhet të ishin institucione ligjore të menaxhimit të votës së lirë.

Në gjykimin tuaj çfarë e mbyll këtë grevë, dhe a është bërë sa duhet nga vendimmarrësit për këtë gjë?

Që në fillim kam qenë kundër një rruge të tillë, për mjaft arsye. E respektoj sakrificën e grevistëve, por nuk e gjykoj që kjo është rruga e duhur për të arritur në transparencën e procesit zgjedhor, sepse një grevë urie mund të jetë e kuptueshme për një individ të veçantë që nuk ka as mbështetje, dhe as nuk ka zë publik. Por nuk mund të jetë një grevë rruga e duhur për një parti të fuqishme siç është Partia Socialiste dhe natyrisht me atë grup të madh parlamentar, nuk mund të jetë një grevë urie me një përbërje të tillë. Në gjykimin tim kjo nuk ishte rruga e duhur, ndoshta ishte edhe një përzgjedhje emocionale e lidershipit të partisë, duhet të vazhdohej këmbëngulja përmes reagimit qytetar, qoftë edhe të protestave, por edhe reagimit institucional brenda Parlamentit të Shqipërisë. Unë gjykoj se ajo që po rrëzohet sot, shumë kohë më parë, është propozuar edhe nga anëtarë të kryesisë së PS-së. Mbaj mend se një nga shkrimet e Kastriot Islamit propozohej si rrugë e përshtatshme hapja e dokumentacionit zgjedhor, jo hapja e kutive për të rinumëruar votat, por hapja e dokumentacionit për të verifikuar listën e zgjedhësve dhe për të bërë krahasime, dhe po të ishte e nevojshme të kalohej në një fazë të dytë për të kontrolluar edhe pjesën tjetër të materialit, ndoshta edhe ndërhyrjen tek fletët e votimit, dhe po të ekzistonte bashkëpunimi mes dy partive politike nuk do të ishim në këtë situatë të sotme. Jemi në këtë situatë të sotme edhe nga një kokëfortësi qeverisëse. Kërkohet zgjidhje e kësaj situate, nuk ka qenë rruga e duhur për të bërë transparencën zgjedhore, por nga ana tjetër nuk mund të vazhdohet me këtë situatë, Shqipëria ka nevojë për qetësi, për stabilitet politik, në mënyrë të veçantë ka nevojë për të përballuar ato shenja që duken sot më të vogla, në përballimin e krizës ekonomike, e cila mund të shqetësojë shumë qytetarët. Pra, në shërbim të këtyre elementëve të rëndësishëm, siç është transparenca, stabiliteti politik institucional, procesi integrues i Shqipërisë, por njëkohësisht edhe përballimi i një situate ekonomike që mund të dalë jashtë kornizave të veta, duhet që të dy forcat politike të bashkëpunojnë të futen në një proces dialogu dhe kompromisi.

Sa mundësi ka kjo, palët duken shumë larg kompromisit?

Kjo është e mundur, janë vetëm dy drejtues të forcave politike që mund ta marrin përsipër këtë çështje, pjesa tjetër është dekori i politikës së sotme. Nuk duhet lejuar të vazhdojë kjo përplasje mes dy forcave politike aq më shumë për ta shtrirë këtë përplasje në shtresime të tjera të popullsisë shqiptare. Çdo përplasje brenda shoqërisë shqiptare, çdo prekje e kohezionit social, nuk i shërben Shqipërisë, nuk i shërben as zhvillimeve të mëtejshme të vendit.

Për cilin kohezion social e keni fjalën, e keni fjalën për përplasjen mes intelektualëve?

Në radhë të parë është kohezioni mes anëtarëve të kësaj shoqërie, i atyre qytetarëve që pavarësisht përkatësive politike jetojnë me njëri-tjetrin, qëndrojnë me njëri-tjetrin, dhe natyrisht deformimi vjen nga jeta politike, nga ndikimi politik, nga lidershipi politik. Pikërisht këtë përgjegjësi duhet të marrin liderët e dy forcave politike, të dy palët duhet të gjejnë rrugët e komunikimit të gjejnë rrugët e zgjidhjes. Nuk është të presim çdo të thotë Komisioni i Venecias është të gjejmë ato zgjidhje që janë praktike sot, për të mbyllur këtë grevë urie që mund të sjellë edhe humbje jetësh njerëzore, dhe nga ana tjetër për të stabilizuar jetën politike dhe sociale në Shqipëri dhe njëkohësisht për të mos ndikuar negativisht mbi ekonominë.

A keni pasur edhe ju shqetësim që në protestën e 14 majit situata mund të destabilizonte. Kishte shumë njerëz që pyesnin veten se çdo të ndodhte atë ditë?

Nuk është situatë e tillë. Ka pakënaqësi të shumëllojshme, ka një lodhje ndaj politikës dhe reagimi është pjesë e kësaj lodhjeje, por nuk shoh arsye për të arritur në një dëm serioz mbi stabilitetin e vendit. Reagimi qytetar është normal në këtë situatë të acaruar, por në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që ky acarim të agravohet dhe të prishë ato tregues që prekin stabilitetin dhe sjellin shqetësime tek bashkësia ndërkombëtare me të cilën bashkëpunojmë.

A do kishte përgjegjësi PS-ja nëse do të ndodhte kështu?

Në radhë të parë përgjegjësia është e një shumice qeverisëse. Ajo ka përgjegjësinë për të stabilizuar situatën, për t’ju përgjigjur çdo veprimi qytetar. Është qeveria, grupimi i saj parlamentar që duhet të marrë iniciativën, dhe pjesa tjetër e politikës, pra, pakica duhet të përgjigjet. Nëse kjo e fundit nuk e bën këtu fillon dhe zhvendosja e përgjegjësisë tek ajo. Por në radhë të parë përgjegjësia është e shumicës dhe kështu funksionon në çdo vend demokratik.

Kryeministri Berisha është deklaruar se nuk do të ketë asnjë zgjidhje që bie ndesh me ligjin dhe këtu ai nënkupton që nuk do të ketë hapje të kutive nga Parlamenti shqiptar. Sipas tij, vetëm gjykatat mund ta bëjnë këtë?

Kam përshtypjen që është një lojë me ligjin dhe Kushtetutën. Janë të mundshme jo vetëm kontrolli apo vlerësimi mbi dokumentacionin zgjedhor, por mund të shkohet deri tek gjykimi i përmbajtjes së kutive, sepse ka dy aspekte mbi të cilat spekulohet. Ka një aspekt institucional për të cilin zoti Berisha ka të drejtë sepse ka një vendim të gjykatës, apo një vendim të KQZ-së për mbylljen e procesit zgjedhor, dhe si rezultat i mbylljes së këtij procesi natyrisht është ndërtuar një institucion i rëndësishëm që është Parlamenti, nga i cili pastaj gjeneron qeveria apo dhe institucione të tjera. Kjo pjesë është realizuar, as duhet të mendohet që duhet prekur sepse kjo të sillte një nga pështjellimet serioze institucionale të vendit. Pra, nëse flitet për hapje kutish, për të prekur këto institucione, natyrisht ne mund të mbështesim një deklaratë të tillë të Kryeministrit. Por nëse mendohet se nuk preket stabiliteti institucional, që nuk preket veprimtaria e institucioneve, siç është Parlamenti, qeveria apo dhe institucione të tjera, shumë shpejt do të zgjidhen anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe nëse hapen kutitë do të thotë që këta duhet të kthehen dhe të vijnë ata të mëparshmit. Pra, nuk preket situata institucionale, kjo bëhet me procese zgjedhore, por kjo nuk do të thotë të mos kontrollohet dokumentacioni zgjedhor, vota e qytetarit, korrektësia e saj, ndershmëria e procesit, dhe të mbahet përgjegjësia. Raste të tilla ndeshen në politikën ndërkombëtare.

Çfarë garancish ka që këto institucione nuk do të preken, nëse PS konstaton manipulime? Ju mendoni se PS-ja do e lerë me kaq, pra, do kemi një qeveri ilegjitime dhe jo sërish një grevë urie që do kërkoj rrëzimin e saj?

Natyrisht që mund të ketë edhe prirje të tillë, edhe një lojë të tillë, por unë po flas për një proces normal të kontrollit dhe realizimit të transparencës. Kjo transparencë realizohet me mirëkuptimin e forcave politike dhe një nga mënyrat më të mira është komisioni hetimor. Vendimi i komisionit hetimor futet pastaj në makinerinë politike për të ndërtuar një Kod Zgjedhor më të mirë, apo për të ndihmuar në ndërtimin e strukturave zgjedhore jo më bipartizane, por qytetare apo me përzgjedhje kompjuterike.

Por opozita e ka bojkotuar këtë komision?

Natyrisht, aty është bërë edhe teatri që mund të ketë qenë me pamje të dyanshme. Ishte një përplasje mes dy forcave politike në Parlament, por në gjykimin tim ishte fare i mundshëm ndërtimi dhe funksionimi i një komisioni hetimor që drejtohej nga opozita. Dhe nëse ky komision brenda debateve të tij do të ndërtonte axhendën e tij brenda së cilës do të ishte dhe kontrolli i materialit zgjedhor apo dhe hapja e kutive. Por gjithmonë me një vendim të këtij komisioni për t’i shërbyer transparencës së zgjedhjeve dhe jo për të prekur institucionet.

Kjo është tejkaluar tashmë, po flitet për zgjidhje të tjera. Ju cila mendoni se është zgjidhja, a është Komisioni i Venecias, apo keni një formulë tjetër?

Kërkojnë mbështetje nga Komisioni i Venecias për të dalë nga kjo situatë, ndërkohë që në gjykimin tim ai propozimi fillestar i nisur edhe nga një prej protagonistëve të PS-së, Kastriot Islami, është i mundur, pasi nuk lidhet me asnjë vendim gjyqësor as me ato nene që lexohen në panele të ndryshme dhe nëpër deklarime të ndryshme partiake. Është plotësisht e mundshme, brenda një komisioni hetimor, brenda një diskutimi serioz midis forcave politike dhe natyrisht është i domosdoshëm një shqyrtim i tillë për transparencën zgjedhore për të mos lejuar lojëra të tilla me votën e qytetarit. Për mua u bënë të bezdisshme zgjedhjet në Shqipëri për arsye të këtyre lojërave politike, që bëhen nga të dy krahët e politikës.

Si do ta kishit zgjidhur situatën nëse do të ishit president?

Natyrisht do përpiqesha të gjeja zgjidhjen shumë kohë më parë. Tani situata është acaruar dhe ndërhyrja e institucionit të Presidentit të Republikës duket akoma më e vështirë nga ç’mund të ishte disa muaj më parë. Ndryshimet kushtetuese e kanë dobësuar fuqinë e Presidentit për ndërhyrje të tilla. Do përmendja rastin e amendamentit kushtetues ku preket procesi i zgjedhjes së Presidentit, nga një shumicë e cilësuar në 70+1. Në këtë rast edhe sikur Presidenti të vazhdojë të ushtrojë trysninë e tij me dorëheqje nuk ka asnjë efektivitet. Ndërkohë që një President që në procesin e zgjedhjes ka një kuorum të lartë, për t’u zgjedhur natyrisht zëri i tij do të ishte një zë kërcënues për forcat politike, sepse rizgjedhja e një presidenti tjetër do të bëhej e vështirë dhe partitë politike do të mendonin seriozisht që kjo trysni e Presidentit mund të prekte stabilitetin e Parlamentit dhe mund të çonte këto forca politike në zgjedhje të reja. Sot Presidenti as këtë mekanizëm të fortë të dorëheqjes nuk e ka efektiv sepse me këtë amendim kushtetues çdo shumicë parlamentare mund të zgjedhë Presidentin nëse ai dorëhiqet. Kjo tregon se në shumë nga momentet kyçe të situatës së sotme ka ndikim konkret pikërisht dhe ajo prekje serioze e Kushtetutës së Shqipërisë në vitin 2008. Ky ishte një nga gabimet e rënda të politikës shqiptare dhe PS duhet të mbajë përgjegjësi për një ndryshim të tillë të realizuar brenda një nate.

Në një farë mënyrë kjo është dhe kostoja e parë që po paguan apo jo?

Unë do të thosha që është një kosto relativisht shumë e lartë. Do të thosha se ishte dhe një gabim i disa deputetëve të kësaj partie që kishin dhënë kontributin e tyre të madh për miratimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë që kishin kontaktuar qytetarët në çdo cep të vendit për të miratuar këtë Kushtetutë dhe nuk patën kurajën t’i kundërviheshin këtyre ndryshimeve të panevojshme, por që preken kolonat kryesore të shtetit shqiptar.

PS thotë se greva nuk do të ndalet, dhe se çadra e grevës është çadra e shpresës. Sa shpresë rrezaton ajo çadër sot?

Për sa i përket kontributit të kësaj çadre të njerëzve brenda saj natyrisht që ky kontribut nuk mohohet, ishte një rritje ndjeshmërie qytetare dhe politike për institucionin e votë së lirë. Nuk ka ndodhur përpara, gjatë këtyre 20 vjetëve që të fokusohet kaq shumë media, edhe komuniteti ndërkombëtar, por natyrisht të jenë pjesëmarrës në proces edhe qytetarët shqiptarë. Për sa i përket ndjeshmërisë në lidhje me institucionin e votës së lirë në lidhje me votimin qytetar, këtë ndjeshmëri kjo çadër e ka dhënë. Nuk është pak, është shumë, por ka një kufi dhe në gjykimin tim ky kufi është tejkaluar. PS duhet të ndërmarrë vendimin e duhur për ndalimin e kësaj greve sepse realizoi një nga synimet kryesore dhe natyrisht të vijojë pastaj atë proces diskutimi me forcat e tjera politike për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe për të gjetur përgjegjësitë në procesin zgjedhor të mëparshëm. Ka mundësi për të realizuar edhe pjesën e dytë, kur është realizuar e para pra, ajo e rritjes së ndjeshmërisë qytetare, dhe për këtë kërkohet kurajë nga drejtimi konkret i PS-së.

Pra, ju thoni që të ndalet greva?

Në gjykimin tim kjo është e tepërt. Të luftohet për të realizuar ato elementë të propozuar, mund të ketë pengesa për t’i realizuar ato, por në radhë të parë është e rëndësishme jeta njerëzore, dhe kjo sakrificë e këtyre njerëzve të arrij qëllimin e vet, rritjen e ndjeshmërisë që kjo e fundit të gjejë mishërimin e vet në procesin e ardhshëm zgjedhore dhe në të gjitha rregullimet ligjore në Kodin Zgjedhor.

Zoti Meidani, komisioneri evropian për zgjerimin, Stefan Füle, tha se përgjegjësia për jetët njerëzore është e Ramës, ndërsa ky i fundit thotë se është e Berishës. Ju si mendoni?

Kur e kam dëgjuar këtë deklarim të komisionerit Füle më është dukur e padrejtë. Nuk mundet që një politikan evropian të marrë përsipër zgjidhjet apo të adresojë përgjegjësi ndaj individëve të veçantë apo partive politike, duhet të jetë shumë afër terrenit konkret për të arritur në këto konkluzione apo përcaktim përgjegjësish. Mbaj mend ka qenë një pjesë teatrale që quhej “Kthimi i përgjegjësisë”, i një rreshteri që i kthente përgjegjësi për disa ushtarë të vrarë një gjenerali sepse ky i fundit kishte edhe shumë të tjerë të vrarë në luftë mbi supet e tij, dhe ky rreshteri nuk e mbante dot.

Ju vetë sapo thatë që kjo grevë duhet të mbarojë?

Padyshim fare, por nuk i takon një komisioneri të vërë gishtin mbi përgjegjësitë përkatëse sepse këto përgjegjësi përkatëse i kanë vetë ata që kanë hyrë në grevë, drejtuesit përkatës, por aq përgjegjësi kanë edhe drejtues të tjerë të shtetit shqiptar që duhet të përgjigjen për jetën e qytetarëve, për stabilitetin dhe natyrisht për qëndrueshmërinë institucionale dhe social-kulturore në Shqipëri. E thashë këtë të fundit sepse nuk ka mundësi që disa deputetë apo drejtues politik të një force apo të një tjetre të dalin nëpër panele dhe të përdorin të gjithë adjektivët e llojllojshëm, përfshirë edhe ato të Kryeministrit me bllokqenër apo me pisllëqe të tjera që nuk i shërbejnë kohezionit social, një qetësimi shpirtëror qytetar. Në vend pra, që të qetësohet situata, të gjenden zgjidhje mundësi kompromisi, ne nxisim individë dhe grupime për t’i përplasur dhe për t’u përdorur e gjithë terminologjia përplasëse, luftënxitëse, tensionuese që nuk i shërben fare jetës së qytetarit dhe të familjeve shqiptare. Dhe nuk është e rastit që sot ndeshim shumë humbje jetësh njerëzore, përplasje nga më të ndryshmet, përdoret arma pa të keq një i ri për të vrarë një vajzë të re. Për nxitje të kësaj situate kanë përgjegjësi të gjitha forcat politike, të gjithë ata drejtues politik që dalin në panele dhe në vend që të përdorin argumente, bëjnë cilësime që nuk i shërbejnë kësaj situate konkrete të shoqërisë shqiptare.

Zoti Meidani ka pasur shumë reagime ndërkombëtare që kërkojnë ndërprerjen e grevës dhe të bojkotit të Parlamentit. A mendoni se është pak vetëm PS-ja në gjithë këtë periudhë, pra, nuk ka gjetur mbështetjen e ndërkombëtarëve, por dhe aktualisht që po flasim?

Pavarësisht nga deklarime të tilla, brenda një logjike të shëndoshë në përputhje edhe me situatën aktuale në Shqipëri do të thosha që greva e urisë ishte tepër e panevojshme, dhe që nuk i takon një partie që ka gjysmën e Parlamentit, do të ishte ndryshe për një individ apo një partie politike që ka vetëm një zë në Parlament, dhe mundet, por prapë unë e quaj që nuk është më mekanizëm veprues në botën e sotme. Mund të realizohet vetëm në situata konkrete, për një të burgosur, për arsye nga më të ndryshmet sidomos po të jetë një i burgosur ndërgjegje në ndonjë vend autokratik apo diktatorial, atëherë ka kuptim për të rritur ndjeshmërinë qytetare, apo për të fuqizuar depërtimin e medias për këtë çështje konkrete. Për rastin konkret, për rastin shqiptar, pavarësisht sakrificës së bërë unë do të thosha se kjo grevë nuk i përgjigjej një realiteti konkret dhe ky ishte me sa duket vendimi i marrë nga PS-ja i papërpunuar si duhet në të gjithë kanalet e veta.

Jeni pyetur ju në lidhje me këtë grevë?

Absolutisht jo. Në atë periudhë kam qenë në Gjermani në një aktivitet të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor, me përfaqësues të vendeve të ndryshme. E mësova nga kolegë të pranishëm në këtë takim, ishte një deputete shqiptare e Maqedonisë, e cila më njoftoi në mbrëmje për shpalljen e grevës së urisë menjëherë pas protestës së 30 prillit. M’u duk e pamenduar dhe mendoj dhe gjykoj njëlloj. Duhet gjetur zgjidhja për të çliruar nga vuajtje të tilla ato individë që janë brenda çadrave. Natyrisht duke e vlerësuar sakrificën e tyre për rritjen e ndjeshmërisë ndaj asaj që kërkohet. Ndonjëherë edhe pozitat tona janë përgjithësisht servile ndaj deklarimeve të jashtme. Situata është konkrete, kërkohet analizë konkrete. Jam dakord me shumicën e këtyre deklarimeve, por jo me disa prej tyre, siç janë ato të zonjës Pack, e cila shumë herë bën lexime me syze me xhama të zmadhuar dhe në raste të tjera përdor syze me xhama të zvogëluar, pra nuk e ka leximin e saktë. Por sidoqoftë leximi mesatar ndërkombëtar tregon që PS-ja duhet të reflektojë dhe vazhdimi i një situatë të tillë kritike e dëmton dhe nuk e ndihmon atë.

Kjo intrasigjencë e PS-së ndaj ndërkombëtarëve e dëmton sidoqoftë sjelljen e institucionit të PS -së me partnerët ndërkombëtarë?

Duhen parë edhe protagonistë të tjerë, sepse ka pasur mbështetje nga konfiguracione të tjera të lidhura me PS-në brenda Internacionales Socialiste, padyshim vlen të konsiderohet leximi ndërkombëtar dhe ky lexim duhet të jetë shumë afër leximit vendor. Nga ana tjetër, edhe nëse ky lexim nuk përputhet, edhe leximi i shoqërisë shqiptare edhe leximi i një pjese të aktorëve politikë nuk është në përputhje me leximin e PS-së, dhe kjo e fundit e arriti atë që kërkonte, rritjen e ndjeshmërisë për transparencën e procesit zgjedhor, por nuk mund të vazhdojë me të njëjtat mekanizma me të njëjtën trysni, brenda jetës qytetare shqiptare. Detyrimisht duhet të ndryshojë orientimin për t’ju futur jetës institucionale për zgjidhjen e këtij problemi. Unë jam i bindur se po të kishte harxhuar një pjesë dërrmuese të këtyre energjive jo vetëm për transparencën, por edhe për të rritur ndjeshmërinë e qytetarëve ndaj votës, këto energji mund t’i kishte menaxhuar shumë më mirë brenda Parlamentit. PS-ja 6 muaj energji i harxhoi do hyjmë apo nuk do hyjmë në Parlament dhe vetëm 6 ditë përpara nga afati i quajtur kushtetues i futi deputetët në Parlament dhe natyrisht vazhdoi ato polemika dhe luftën jo të një aktivizimi normal brenda Parlamentit, por përmes bojkotimit dhe përplasjeve.

Ju e shikoni si jo koherente sjelljen e PS-së?

Mungon mençuria në disa nga aktet kryesore, nuk ka një strategji qoftë hyrëse, qoftë dalëse. Pra, në disa momente të veçanta drejtimi politik i partive duhet të jetë që do bëjë përpunimin e strategjive dhe taktikave konkrete në veprime të caktuara. Në shumë raste shikon emocione, në shumë raste disa orientime që nuk dihet se ku do të mbyllen. Pra, nuk mund ta quaj që veprimi i PS-së në të gjithë kohën ka qenë veprim i mençur, pavarësisht që synimi ka qenë pozitiv, për transparencën e procesit zgjedhor, për hapjen e kutive, për këtë transparencë, por jo për të ndryshuar institucionet e prodhuara nga ky proces. Po të shikosh me kujdes ka diçka që çalon në këtë drejtim, ka mungesë fantazie për kompromise dhe ecuri të mëtejshme. Në momente të caktuara duke mos pasur këtë kapacitet për kompromis, për strategjinë e daljes kërkohet të radikalizohet pozicionimi i mëtejshëm. Në gjykimin tim ky është një nga gabimet e Partisë Socialiste dhe natyrisht dhe leximi i ndërkombëtarëve, besoj është më analitik, lidhet me këto.

Ju thatë se kauza e transparencës është e drejtë. Sa besoni se kjo kauzë është e sinqertë po të kemi parasysh që janë të shumtë analistët që e kanë quajtur një kauzë të pasinqertë për shkak se nuk besojnë se hapja e kutive është problemi, por lufta për pushtet, edhe pak kohë më parë ambasadori amerikan tha se të dyja palët luftojnë për pushtet.

Për sa i takon luftës për pushtet, për partitë politikë, udhëheqësit e tyre natyrisht kjo është pjesë e lojës politike. Por në këtë rast pavarësisht a ka dominuar kjo luftë për pushtet, a ka mbizotëruar dëshira për të akumuluar pushtetin brenda PS-së, apo e njëjta gjë brenda PD-së, unë do thosha që pavarësisht interpretimeve të tilla që mund të jenë të drejta ose pjesërisht, ose mund të mos jene të duhurat, unë do të thosha që ka një shqetësim serioz në Shqipëri, ka 20 vjet zgjedhje dhe nuk kemi realizuar ato zgjedhje që priten nga një republikë demokratike, ato zgjedhje që lidhen me integrimin e vendit në strukturat evropiane. Dhe ky ishte rasti më i mirë për të realizuar këtë dëshirë për zgjedhje të drejta dhe të ndershme meqë ishim anëtarë të NATO-s dhe ne e humbëm këtë rast. Këtë e tregojnë faktet dhe në gjykimin tim mjaftojnë vetëm pak. Si për shembull, ato leximet që kanë ardhur nga fotografimet kompjuterike për Partinë Demokristiane apo Rruzhdia e famshme, për mua mjaftojnë vetëm kaq.

OSBE-ODHIR i ka certifikuar zgjedhjet zoti Meidani?

Me problemet e veta.

Por jo te pandershme?

Nuk ka të bëjë fare. Pavarësisht se aty thuhet se një e treta në numërim është bërë keq.

Nuk ka prova për manipulim, a duhej një aksion kaq i madh politik pa pasur prova?

Kemi dy prova që janë tepër serioze. Është prova e Rruzhdies që është tepër serioze qoftë edhe sikur të kishim një prirje për të pasur një votues që nuk ka qenë në Shqipëri kjo është pasqyrim i tentativave të partive politike, jo direkt të lidershipit, por në nivelet e ulëta për t’u dalluar para udhëheqësve, dhe aty bëhen spekulimet e mëdha. Dhe ne këtë kemi, një situatë që na shfaqet në mënyrë permanente, pavarësisht ritmeve të shfaqjes së saj. Kjo tregon që kemi një problem madhor për sa i përket respektimit të votës së qytetarit, për sa i përket ndërtimit të një institucioni të qëndrueshëm të votës së lirë dhe të ndershme. Këtë të keqe e ka edhe PD-ja, e cila duhet të mbështeste PS-në në këtë aksion politik dhe të dyja së bashku të gjenin zgjidhjen për ta shmangur përfundimisht spekulimin dhe manipulimin me procesin zgjedhor. Përndryshe dhe besimi i qytetarëve do të vijë duke rënë edhe besimi i ndërkombëtarëve ndaj demokracisë dhe institucioneve shqiptare do të vijë duke u dobësuar.

Ju jeni një nga figurat më të rëndësishme në PS, nga mbështetja e saj u zgjodhët President. Në vlerësimin tuaj a është socialiste sjellja e PS-së, a ka sjellje të ngjashme si kjo në parti të majta evropiane?

Natyrisht që ka ndryshime në sjelljet, në programin politik, në përbërjen e forcave mbështetëse, shtresimeve mbështetëse për partitë e majta në Evropë apo në botë, dhe pjesë e këtij evolucioni është edhe Partia Socialiste. Por natyrisht unë shikoj me shqetësim një rritje përfaqësimi brenda PS-së, në strukturat e saj, brenda grupit parlamentar të përfaqësimit të biznesit, jam tërësisht pozitiv ndaj biznesit se është ai që po ndihmon ecjen përpara të Shqipërisë dhe zhvillimit ekonomik të saj, por nga ana tjetër gjykoj se duhet gjetur një raport i drejtë midis përfaqësimeve në strukturat politike të partisë apo në institucionet që prodhohen nga këto struktura, dhe në këtë kuadër unë do të thosha që Partia Socialiste ka nevojë për një studim serioz të situatës qoftë për sa i përket programit, qoftë për strukturimin e saj, qoftë edhe për raportin e forcave politike, dhe në këtë plan duhet të rikonsiderojë ndoshta edhe konfliktin e interesit brenda strukturave të saj, dhe të përfaqësimit në nivele të ndryshme qofshin këto vendore apo qendrore.

Zoti Rama ka rreth pesë vite në drejtimin e PS-së dhe mendimi i tij politik ka qenë qendërzuar në togfjalëshin "politika e re", por askush nuk ka dëgjuar se çfarë mendon zoti Rama për taksat si do t’i ulë apo do t’i rrisë ato, për reformën në shëndetësi apo për sistemin e pensioneve, për rolin e Shqipërisë në zhvillimet rajonale, në lidhje me Kosovën apo me shqiptarët kudo që janë. Askush nuk ka dëgjuar se çfarë do të bëjë PS me shpenzimet publike nëse vjen ne pushtet. A është normale që në PS për pesë vite të flitet me metafora dhe nuk ka asgjë konkrete në lidhje me alternativat e zhvillimit të vendit. Pra, kemi një situatë ku PS kritikon, por nuk kemi alternativa. Ju e vëreni kështu?

Jo tamam. Keni të drejtë për sa i përket lëvizshmërisë së madhe të kryetarit të PS -së nëpër Shqipëri, dhe deklarimet e ndryshme të tij. Fillimisht përveç tezës së ndryshimit, një tezë tjetër e fuqishme të paktën në mendjen e tij ishte që do zhvillonte një politikë të re përtej të majtës dhe të djathtës dhe me këtë arriti të realizoj ndoshta një farë ndjeshmërie por edhe më tutje e ridimensionoi pozicionimin e tij duke ndjekur modelin Obama, por në mënyrë të ndrojtur dhe kjo është normale. Pra, pati një lëvizje për të krijuar konceptimin e një ndryshimi në frymëmarrjen e Partisë Socialiste, por edhe në konceptet politike, të politikës ndërkombëtare, të koncepteve diplomatike, ekonomike, strukturore dhe të gjitha këto pa dhënë rrugët e zgjidhjes dhe dokumentet përkatës. Kjo lidhet me lëvizshmërinë e kryetarit të Partisë Socialiste dhe për këtë nuk mund të themi a kishte përpunime PS apo jo sepse këto i prekte kryetari gjatë atyre lëvizjeve në qytete. Kjo është pjesa e parë, që nuk më pëlqen për sa i përket këtij fokusimi fillestar, ndryshim përtej të majtës dhe të djathtës, modernizim, kompromis, tolerancë dhe me radhë, sot shikojmë një pozicion fare tjetër. Kemi kërcyer në një pozicionim krejt tjetër, qoftë edhe nga kryetari i PS, i cili është tepër radikal dhe që nuk lidhet shumë me atë pozicionimin e parë. Dhe këtu duhet bërë analiza. Për sa i përket pjesës së dytë, unë them se PS ka një kontingjent të fuqishëm specialistësh, dhe të gjitha tematikat janë marrë në shqyrtim të plotë. Një pjesë e këtyre materialeve u realizuan nga këta specialistë, por ndërkohë në fushatën e zgjedhjeve të kaluara nuk pamë program, nuk e di arsyen. Ndoshta nuk gjetën kohën për të sintetizuar këto mendime të vyera të specialistëve shqiptarë dhe nuk u arrit të jepej ai model qeverisës që do të realizonte PS. Në dokumentet e saj të gjitha këto janë të detajuara, tepër pozitive, madje ato mund të bashkëpunonin për të realizuar elementë të rëndësishëm të këtyre programeve ekonomike, sociale, mjedisore e me radhë me PD.

Nëse është kështu pse mbahen të fshehura?

Nuk do të thosha që mbahen të fshehura janë materiale që janë në duart e PS-së dhe specialistët janë pjesë e PS-së, por si duket e kanë gjykuar që më mirë të përdoret retorika dhe demagogjia si armë për të depërtuar tek votuesi sesa shifrat apo rrugët e ndryshme të zgjidhjeve ekonomike.

A e shikoni normale këtë?

Natyrisht që jo. Pavarësisht se nuk jemi në situatë elektorale sot unë mendoj se ky program ka nevojë të detajohet më tutje dhe në përputhje me situatën aktuale kritike rajonale dhe ndikimin e krizës në Greqi. Dhe pas përpunimit mund t’i kalohet jo vetëm anëtarëve të PS-së, por edhe qytetarëve shqiptarë si dhe shumicës parlamentare. Unë e shikoj të rëndësishme që në një demokraci parlamentare ky debat sidomos për problemet ekonomike duhet të ishte një debat normal mes forcave politike dhe ky program në qoftë se miratohej nga shumica parlamentare mund të ishte pjesë e qeverisjes së sotme.

Një nga dy kauzat e rëndësishme të grevës së urisë është edhe situata ekonomike. PS deklaron se ka krizë, se jo vetëm qytetarët po e ndjejnë, por edhe buxheti i shtetit. Por nuk kemi parë një alternativë se si mund ta zgjidh ajo këtë situatë. Nëse hapen kutitë a mbushen xhepat e shqiptarëve? Pra, shihni një mungesë thelbi në të gjithë këtë dhe e gjitha është formë?

Natyrisht ka disa probleme. Natyrisht as unë nuk e parapëlqej këtë mënyrë të trajtimit jo vetëm retorik me oratori, por dhe të mbarsur me elementë demagogjik për të trajtuar krizën më kutitë. Ka elementë të një trajtimi politik, se nëse demokracia preket në një institucion themelor kjo mund të prekë edhe elementë zhvillimeve ekonomik dhe social, kështu që mund të ketë një lidhje, por është shumë e largët. Për qytetarin lidhja duhet të jetë shumë e drejtpërdrejtë. Nuk jam dakord as me zbukurimin e shumicës qeverisëse aktuale sepse nuk i përgjigjet realitetit, dhe nuk ka arsye që t’i përgjigjet realitetit sepse gjithë bota po vuan. Dhe Shqipëria vuan, pak më pak se vendet e tjera për mjaft arsye, edhe për shkak të ndërveprimit të ekonomisë shqiptare me ekonominë botërore, dhe kjo na ndihmoi që ta përballojmë situatën. Por situata është kritike dhe për këtë duhet të mendoj fillimisht qeveria dhe po aq fuqishëm duhet të kontribuoj edhe dhe Partia Socialiste përmes bashkëpunimit parlamentar apo formave dhe reformave të ndryshme për të kapërcyer këtë krizë. Mund të them që edhe shifra e dhënë nga BERZH tregon që ne po hyjmë në një krizë serioze. Kemi në vend të rritjes ekonomike një rënie ekonomike me -1.7% dhe në qoftë se edhe tremujori tjetër do të shoqërohet me një ulje tjetër ekonomike ne do futemi në një recesion që do të sjelle shqetësime serioze për qytetarët. Ndaj dhe kërkoj që lojërat politike të bëhen sa më minimale, ndërveprimi i forcave politike sidomos i strukturave parlamentare të jenë të tilla që t’i shërbejnë kapërcimit të një situatë që mund të bëhet më e rrezikshme në muajt e ardhshëm.

Sa demokratike është sot PS-ja?

Nuk mund të them saktësisht, si është situata konkrete. Ndjej që ka probleme, për sa i përket konceptit të kolegjialitetit. Në gjykimin tim forca e kësaj partie vite më parë ishte kolegjialiteti, nuk kishte vendim kryetarësh, por forumesh. Në ndijimet e mia që mund të jenë jo të plota, është prekur deri diku kolegjialiteti. Po aq e rëndësishme është edhe koncepti i solidaritetit për një parti demokratike, do thosha, që vite më parë në synimin që të kishim solidaritet përmes diversitetit, e pranonim që të ishim bashkë me njëri-tjetrin duke pasur mendime të ndryshme. Ndërkohë në kongresin e fundit apo në rregullimet statutore duket sikur preket ky element, pra në vend të solidaritetit nëpërmjet diversitetit ne kërkojmë solidaritet nëpërmjet uniformitetit. Kjo në gjykimin tim është një ecje prapa në konceptin liberalizues dhe demokratizues të një partie demokratike. Por gjithsesi është një parti më demokratike se ajo që është sot në qeverisje. Ajo ka akoma më shumë probleme brenda saj kërkon dha ajo një reformim të madh, por PS në vend që të ishte frymëzuesja e ndryshimeve ajo po ndjek dhe po synon t’i afrohet PD-së. Ndoshta mund ta kem edhe gabim por ka një ecje prapa, për sa i përket reformimit të mëtejshëm të PS në përputhje me situatat konkrete dhe zhvillimet e ardhshme.

A mund të quhet e dështuar politika e re e Edi Ramës?

Nuk e di. Nuk e kam mësuar asnjëherë se cila ka qene politika e re. E kam kërkuar në shumë raste, nuk e kam parë akoma, por nga ana tjetër këto lëvizjet e fundit dëshmojnë që ka një ecje në drejtimin e radikalizmit të lëvizjes politike të PS-së, që nuk ka të bëjë fare me politikën e re, me politikën e qytetarit.

Çfarë mund t’i ofrojë Edi Rama PS-së në këto momente? E kam fjalën për idetë, për të futur në fushatë partinë për të fituar zgjedhjet. Pas këtij aksioni politik e shikoni PS më të dobësuar apo më të fortë?

Për sa i përket pozicionimit të kryetarit do të thosha që ndoshta kjo situatë e ka fuqizuar kryetarin, por njëkohësisht edhe ndryshimet statutore e kanë bërë një gjë të tillë. Është praktikisht situata njëlloj si me amendamentet kushtetuese ku filloi ju dhanë fuqi kryeministrit, ndaj një pushteti tjetër siç ishte Presidenti. Kjo tregon se synojmë drejt një pozicionimi piramidal në qeverisje apo në ushtrimin e pushtetit. Një situatë të ngjashme me këto ndryshime kushtetuese unë ndesh edhe në statutin e PS-së dhe në këtë kuptim është forcuar kryetari kurse PS të paktën në perceptimin ndërkombëtar është dobësuar, dhe këtu duhet punuar me shpejtësi dhe me kujdes, për të rregulluar drejtimin piramidal, për t’ju afruar drejtimit kolegjial, dhe njëkohësisht për të bashkëpunuar me partitë simotra në një reformim të ri të PS-së. Njëlloj uroj që një situatë përmirësuese të kemi edhe brenda PD-së dhe të synohet që edhe brenda saj që autoritetit i njëshit të zëvendësohet nga autoriteti i forumeve.

Një ide kanë qenë zgjedhjet e parakohshme, ndërkohë që edhe zgjedhjet lokale janë afër. E shikoni të favorizuar PS-në për këto zgjedhje në këtë situatë që është?

Është herët për të dhënë një gjykim. Është e rëndësishme që PS-ja të mendojë seriozisht për zgjedhjet e pushtetit vendor dhe në këtë plan duhet menduar edhe për rregullime të Kodit Zgjedhor dhe ndryshimin e konceptimit të strukturave zgjedhore, duke përfshirë edhe komisionet zgjedhore, të mos ketë më komisione bipartizane, t’i afrohemi edhe ne botës demokratike.

Pra, ka nevojë për një reformim të tillë?

Unë mendoj që po. Nuk mund të shtyhet më në këtë rrugë Shqipëria, me komisione bipartizane, që marrin urdhër nga partitë,dhe nuk ndjekin fare Kodin Zgjedhor dhe as udhëzimet e KQZ-së.

Çfarë ndodh nëse PS-ja i bojkoton këto zgjedhje?

Është e pamundur. Ndoshta mund të luhet, por është e pamundur sepse për një parti politike që aspiron pushtetin dobësimi i përfaqësimit në pushtetin vendor, sjell dobësim po aq të fuqishëm edhe në zgjedhjet e përgjithshme. Pra, do të ishte një katastrofë për PS dhe të ardhmen e saj, por nga ana tjetër edhe në planin praktik më duket pothuaj e pamundur sepse në qoftë se drejtimi aktual do të merrte një vendim të tillë, do kishte grupime të tjera që nuk do të ishin dakord brenda partisë, por edhe jashtë saj, dhe do të merrnin pjesë në zgjedhje. Në këtë kuptim dhe ky bojkot do të ishte një bojkot në erë, pasi grupime të tjera të majta do të përfaqësoheshin në strukturat vendore. E përsëris, bojkoti do të ishte një nga absurditetet e një force politike sidomos të një force të fuqishme siç është PS.

Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Edi Ramën. Keni komunikim me të?

Aktualisht nuk kam asnjë lloj komunikimi. Natyrisht mund të ketë pasur ndërmjetës apo të deleguar për të më përfshirë në këtë proces aktual, kam dhënë nëpërmjet tyre mendimet e mia. Nuk e di a janë diskutuar apo konsideruar, por komunikim të drejtpërdrejt nuk kam pasur në këtë periudhë të fundit.

A keni një mesazh për zotin Rama dhe PS-në në një situatë të tillë, duke marrë në konsideratë kontributin tuaj në PS qoftë edhe si ish-President i Republikës?

Më shumë si qytetar, më shumë si një nga drejtuesit e një forumi për të drejtat e njeriut shumë vite më parë se të zgjidhesha President i Republikës, kjo thirrje do ishte për PS-në për drejtimin e saj dhe njëkohësisht edhe për grevistët. Duhet për hir të jetës dhe mosdëmtimeve që mund të jenë fizike apo psikike, thirrja ime e përsëritur është se është arritur një ndjeshmëri maksimale, është arritur nëpërmjet kësaj sakrifice që qytetari shqiptar është i ndërgjegjshëm për votën e lirë, por duhet ndërprerë greva e urisë dhe për këtë duhet të kontribuojë edhe drejtimi i PS-së dhe drejtuesit brenda grevës së urisë.

Intervistoi: Eni Vasili

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›