Raiffeisen Bank: Shqipëria, performancën më të mirë në Evropën Juglindore
19/05/2010 Në një publikim të fundit, Raiffeisen Research, pjesë e Grupit RZB, konfirmoi se ekonomia e Shqipërisë ka arritur të ruajë zhvillimin e saj pozitiv në termat e rritjes dhe stabilitetit. Pasi ekonomia e Shqipërisë u rrit me 7.8 për qind në 2008-ën dhe më shumë se 3 për qind në 2009-ën, analistët në Raiffeisen mendojnë se vendi do të ketë përsëri rritjen më të madhe të GDP-së në Evropën Juglindore në 2010-ën me një shifër afro 3.5%. Kjo shifër mund të shkojë më tej në një rritje prej 5% në 2011-ën sipas analistëve të Raiffeisen Research. "Vitin e kaluar, Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon, ekonomia e të cilit u rrit. Ky është një sukses i madh”, deklaroi Herbert Stepic, Drejtor Ekzekutiv i Raiffeisen International Bank-Holding AG dhe Zëvendës Drejtor Ekzekutiv i Raiffeisen Zentralbank Österreich AG (RZB). Stepic sapo është kthyer nga mbledhja vjetore e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila u mbajt në Zagreb në datat 14 dhe 15 maj. Ai theksoi që perceptimi i përgjithshëm në mbledhjen e Zagrebit ishte që miratimi nga Bashkimi Evropian i një pakete mbështetëse prej 750 miliardë eurosh ka eliminuar gjithashtu edhe presionin mbi Evropën Juglindore. “Paketa ishte një lehtësim i madh dhe shumë ekspertë në rajon, përfshirë këtu edhe veten time, e shohim perspektivën e Evropës Juglindore si shumë më të qëndrueshme dhe pozitive madje edhe se vetëm dhjetë ditë më parë. Ky zhvillim është jetësor, edhe për faktin që Shqipëria po hyn në tregun e bondeve. Mjedisi tani është shumë më i favorshëm për Shqipërinë, e cila hyn për herë të parë në tregun e euro bondeve dhe unë pres që kjo ngjarje të jetë e suksesshme”. Në 2004-ën, Raiffeisen International bleu Bankën Shtetërore të Kursimeve dhe e shndërroi atë në Raiffeisen Bank Shqipëri. Me një total asetesh prej 1.8 miliardë eurosh në fund të 2009-ës, Raiffeisen Bank ishte banka më e madhe në Shqipëri me një pjesë tregu prej rreth 28 për qind.