E Shtunë, 31 Tetor 2026

MekKlaren: Më duhet më tepër kohë

Stiv MekKlaren ka kërkuar që të tregohet durim, ndërsa ai mundohet ta shndërrojë skuadrën përfaqësueses të Anglisë në një pretendente reale për trofe. Pas dy ndeshjeve zhgënjyese të fushatës së eliminatoreve të Euro 2008-, të luajtura në tetor ndaj Maqedonisë dhe Kroacisë, nga të cilat mori vetëm një pikë, skuadra e trajnerit MekKlaren arriti gjithsesi të rifitonte sadopak prestigj, me atë paraqitje shpresëdhënëse kundër Holandës në miqësoren e muajit të shkuar, kur vetëm një gol i vonshëm i Rafael van der Vartit, i mohoi asaj fitoren në Amsterdam.
Gjithsesi, duke qenë se shpresat e Anglisë për të siguruar vendin në Kampionatin Evropian të pas dy vjetëve, janë në një pozitë aspak të favorshme, MekKlaren e ka të qartë se, një humbje në Izrael përballë përfaqësueses vendase në mars 2007, kur të rifillojë fushata eliminatore, do të nënkuptonte që kritikët e tij do t'i mprihnin sërish thikat për të. Gjithsesi, ish-trajneri i Midëllsboros, të cilën e udhëhoqi në maj deri në finale të Kupës UEFA, nuk beson se aftësia e tij për të merituar një post të tillë, si ai i trajnerit të përfaqësueses, nuk mund të gjykohet brenda disa muajve punë. "Roma nuk u ndërtuar brenda një dite të vetme", - deklaroi ai dje.
"Ajo që ka rëndësi, është se ku je kur e mbyll dhe jo ku je në fillimet e tua, - theksoi MekKlaren, në vijim. - Ne po flasim këtu për kualifikimin për në Evropianin e 2008-s apo Botërorin e 2010-s dhe njerëzit fillojnë të gjykojnë gjithcka pas vetëm 4 a 5 muajsh punë?! Kjo është dicka afatgjatë, pasi gjërat duhen ndërtuar dhe zhvilluar dhe ne pikërisht këtë po synojmë të bëjmë." Kjo hapësirë 3-mujore midis ndeshjeve gjatë dimrit është një periudhë mjaft e bezdisshme për cdo trajner të skuadrave përfaqësuese, por, MekKlareni duket qe po e përdor me zgjuarsi këtë periudhë, duke ndjekur sa më tepër ndeshje të jetë e mundur dhe duke identifikuar yje potencialë të së ardhmes së përfaqësueses së Anglisë.
Së bashku me ndihmësin e tij, Terri Venabëlls, i cili, sipas MekKlarenit dhe në kundërshtim me zërat më të fundit që qarkullojnë në Angli, vazhdon të jetë i përkushtuar ndaj përfaqësueses angleze, dhe me pjesën e tjetër të grupit të tij teknik, ish-trajneri i Midëllsboros ka identifikuar afto 50 lojtarë që mund të jenë kontingjent potencialesh për skuadrën përfaqësuese nën drejtimin e tij. Nga këta, "shtatë apo tetë" nuk u morën në konsideratë për miqësoren e nëntorit me Holandën, por tashmë janë tepër "të moshuar" për t'u grumbulluar me përfaqësuesen U-21 të Anglisë. Kjo listë e kandidatëve të mundshëm përfshin Kevin Nolanin dhe Gareth Berri, por jo ish-kapitenin David Bekham.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›