Deputeti i Peqinit, Sula, akuzon FSHF-në për standarde të dyfishta

Presidenti i ekipit të Shkumbinit dhe deputeti i këtij qyteti, Dashamir Sula, akuzon Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) për qëndrim të ashpër ndaj ekipit që ai drejton dhe për standarde të dyfishta përsa u përket incidenteve në futbollin shqiptar. Sula u shpreh dje se "Komisionet ndëshkuese të FSHF-së japin dënime jo të barabarta. Komisioni i Disiplinës, tha ai, ka dënuar ekipin e Flamurtarit me një gjobë qesharake, ndërsa skuadrën tonë, për një ngjarje banale, e dënoi me gjashtë javë, kur edhe ngjarje te tjera më të ashpra ndëshkohen minimalisht".
"Ne, - tha ai në vazhdim, i kemi kërkuar Federatën Shqiptare të Futbollit, që nëse nuk reagon zyrtarisht, deri ditën e premte, atëherë ne do të marrim masën ekstreme, largimin nga kampionati." "Ndërkohë, - theksoi Sula në deklaratën e tij, - fryma e gjyqtarëve dhe gjykimet ndaj skuadrës sonë janë negative dhe kjo u pasqyrua edhe në ndeshjen e kaluar me Vllaznine, ku gjyqtari na mohoi një 11-metërsh. Ne kërkojmë nga FSHF-ja vetëm barazi", - përfundon deputeti i Peqinit.