FSHF përgënjeshtron Petroviç, serbi pranë Levskit të Sofjes
Spekulimet rreth emërimit të Ljupko Petroviç në stolin e Kombëtares shqiptare janë mbyllur zyrtarisht nga Federata Shqiptare e Futbollit. Institucioni që drejton sportin më popullor në vend, nëpërmjet një deklarate për shtyp i ka cilësuar vetëm mediatik emrat e trajnerëve që qarkullojnë si kandidatë për stolin kuqezi. "FSHF deklaron se deri më tani nuk është kontaktuar asnjë trajner. Emrat që janë diskutuar si kandidatë për drejtimin e përfaqësueses janë thjesht mediatikë. Serbi Petroviç nuk është pranë emërimit, ashtu si të tjerët, pasi më parë duhet të fillojnë bisedimet", theksohej në deklaratë. Ndërkohë, sipas mediave serbe, trajneri i mirënjohur është më pranë Levskit të Sofjes, sesa Shqipërisë. "Blic" theksonte se 61-vjeçari është mjaft i respektuar në Bullgari, si nga drejtuesit e klubeve, ashtu edhe nga tifozët. Atje Petroviç ka drejtuar dy skuadra. Një tjetër detaj mjaft interesant është edhe takimi i Petroviç, që u shpall kampion Evrope me Yllin e Kuq të Beogradit në vitin 1991, me drejtuesit e Levskit. Së fundmi ai ndoqi nga afër ndeshjen eliminatore të Botërorit 2010 ndërmjet përfaqësueses bullgare dhe asaj qipriote. "Në stadium, përfaqësuesit e Levskit i ofruan drejtimin e skuadrës", theksonte media serbe.