Mekanizëm i ri për krimet në ish Jugoslavi

Siç raportojnë mediat serbe, Tribunali i Hagës, mandati i së cilës skadon në vitin 2014, do t`ua lërë gjykimin e Ratko Mladiqit dhe Goran Hagjiqit një mekanizmi të veçantë, nëse të dy do të arrestoheshin pas qershorit të vitit 2012.
Sipas një vendimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga dhjetori i vitit të kaluar, ky mekanizëm do të krijohet në vitin 2013 dhe se i njejti do të merret me krimet në ish Jugoslavi dhe Ruandë.
Siç i ka deklaruar gazetës “Politika”, zëdhënësja e Tribunalit, Nerma Jelaqiq, ky mekanizëm do të ketë mandat katër vjeçar, ndërsa i njejti do të ketë gjyqtarë, prokurorë dhe sekretariat. Selia e këtij mekanizmi të ri ende nuk është përcaktuar.