E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roberto Daris, me fizarmonikë nëpër Shqipëri

Apolonia, Durrësi, Pogradeci dhe Korça do të jenë qytetet nëpër të cilat fizarmonisti italian, Roberto Daris, do të interpretojë në një tur lëvizës. Prej datës 3 gusht deri më 5 gusht, artisti italian do të interpretojë për publikun shqiptar. Jo rastësisht ka zgjedhur qytete të tilla e jo Tiranën. Jeta artistike e kësaj vere është zhvendosur në qytetet bregdetare, ku aktivitete të tjera do të organizohen përgjatë muajit gusht. Roberto Daris që i ri ndjek mësimet me maestro Giovanni Tarabocchia. Pas një faze të parë që iu kushtua studimit të autorëve klasikë, mes të cilëve Rosini, Bizet, Liszt, Çajkovski, Brahms etj., në vitin 1997 regjistron CD-në "Accordion Virtuoso", një sintezë e pjesëve më të mira të repertorit solistik. Në bashkëpunim me violinistin Antonio Kozina pas viteve ‘90, merr pjesë në regjistrime radiofonike, por edhe në aktivitete muzikore dhe interpretimi në kolonada zanore për kinematografi. Nga pasioni për folklorin, sidomos për Europën Lindore, në vitin 1998, së bashku me violinistin Simonetto i kushtojnë një CD muzikës cigane. Në vitet e mëvonshme, pjesë e interesit të tij bëhet edhe muzika tango. Daris, përveçse instrumentist, është pedagog i matematikës në Universitetin e Triestes.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›