Meklaren pret Perezin

Skuadra e tij e re dhe e lavdishme po e pret. Sergio Perez është shpresa e madhe e Meklaren Mercedesit, ndërsa këtë sezon zëvendëson ish-kampionin Ljuis Hamilton në timonin e makinës angleze.
Shefi ekzekutiv, Martin Uitmarsh, është i lumtur për këtë meksikan 22-vjeçar, i cili premton shumë dhe që u ngjit 3 herë në podium me makinën modeste Zauber.
Sipas traditës, Perez do të ketë status të barabartë me pilotin tjetër të Meklarenit, Xhenson Baton, edhe ai një ish-kampion i botës.
Ai nuk ka lënë vend për dyshime dhe të gjithë e dinë se synimi i Çeko Perezit është vetë titulli botëror.
Meklaren mbetet me shpresë për t’u kthyer në nivele të lartë, ndërsa ka 3 vjet që nuk po përballon dot ritmin e Red Bullit, ndërsa më parë edhe të Braun Grand Prisë.
Titulli i fundit botëror për anglezët krenarë u arrit pikërisht nga Hamilton në 2008, ndërsa për momentin më të fortë duken sërish Red Bull me Sebastian Fetelin dhe Ferrari me Fernando Alonson.