Meksi: TVSH-ja e energjisë, të bëhet transparenca
12/01/2010 PS përqendron vëmendjen në zonat e përmbytura
“Qeveria tejkaloi kujdesin për ujin në liqenet e hidrocentraleve”
Socialistët vijojnë të përqendrojnë oponencën e tyre ndaj mazhorancën për shkaqet që shkaktuan përmbytjen e zonave veriore. Kështu, gjatë ditës së djeshme deputetja e PS-së Ermelinda Meksi gjatë një deklarate për shtyp në emër të kësaj partie shprehu rezerva se “nën presionin e deficitit shumë të lartë buxhetor të krijuar për vitin 2009, por të maskuar me retorikë e demagogji nga qeveria, është tentuar të rriten të ardhurat nga TVSH-ja e energjisë elektrike të importuar në vend të konsumit të saj nga prodhimi i hidrocentraleve të vendit, që ishin të tejngopura me ujë”. Për këtë arsye selia rozë kërkon transparencë mbi të gjithë procesin e importit të energjisë për konsumatorët. “Ne denoncojmë faktin se për këto çështje mungoi dhe mungon ende transparenca: se sa dhe me çfarë çmimi prodhohet në vend dhe sa energji importohet për konsumatorët. Ne bëjmë përgjegjëse qeverinë që për të rritur të ardhurat spekulative në buxhet jo vetëm nuk deshi t’ia dinte për barrën e rritjes së çmimit të energjisë te popullata, por tejkaloi kujdesin për ujin në liqenet e hidrocentraleve, duke përmbytur në ujë Veriun e vendit”, - vuri në dukje Meksi. Madje, duke vijuar po në këtë linjë, Meksi shtoi se “PS-ja kërkon si domosdoshmëri në këto rrethana që ministri i Ekonomisë dhe ai i Financave të informojnë publikun se sa kanë qenë të ardhurat e TVSH-së nga importi i energjisë elektrike për muajt tetor, nëntor, dhjetor për vitet 2008 dhe 2009 si dhe sa janë të ardhurat nga eksporti i saj. Kështu do të dalë në pah edhe sa reale ishte rritja e çmimit të energjisë në kushtet e prodhimit të bollshëm vendas në një vit të lagësht si ky”. Njëkohësisht Meksi bëri me dije faktin se “pak ditë para se të përmbytej vendi qeveria nëpërmjet një akti normativ u detyrua të pranojë zyrtarisht, megjithëse në heshtje, mosrealizimin e të ardhurave të buxhetit të shtetit, duke vulosur zyrtarisht se kriza ishte e pranishme prej kohësh në ekonominë shqiptare”.
Taulant Balla
“Deklarojmë me përgjegjësi të plotë se nga të gjitha informacionet që ne kemi mbledhur dhe po administrojmë nga verifikimet në terren si dhe konsultimet me ekspertët hidroteknikë na rezulton se kjo përmbytje është një vepër penale e pastër abuzimi me detyrën, si pasojë e së cilës janë rrezikuar jetët e disa mijëra banorëve të zonës së Shkodrës dhe janë dëmtuar me paramendim pronat e disa mijëra familjeve në këtë zonë. Në këtë vepër penale identifikojmë si persona përgjegjës: Sali Ram Berisha, me detyrë kryeministër i votave të vjedhura; Dritan Prifti, me detyrë ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i qeverisë së votave të vjedhura.