Berisha: Jemi përballë një katastrofe ekologjike në zonat e përmbytura
12/01/2010 Kryeministri deklaron se në bashkëpunim me Malin e Zi do të thellohet shtrati i Bunës
“Reshje që shoqërohen me pasoja të tilla mund të ndodhin një herë në 100 vjet”
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje nga Shkodra se në shtator do të fillojë projekti për thellimin e shtratit të lumit Bunë. Gjatë vizitës në Shkodër dhe takimit me përfaqësues të pushtetit vendor shefi i ekzekutivit tha se është rënë dakord me homologun e tij të Malit të Zi, kryeministrin Milo Gjukanoviç, që të nisë bashkërisht puna për thellimin e shtratit të lumit. Marrja e lejes nga qeveria e Malit të Zi është e detyrueshme në bazë të konventave ndërkombëtare për ujërat. Qëllimi i kësaj ndërhyrjeje është që Buna të bëhet e lundrueshme, gjë që do të rrisë më shumë kapacitetin tërheqës të saj. Berisha u shpreh se qeveria po ndërmerr masa afatshkurta dhe afatmesme. Në opinionin e kryeministrit ky projekt shpresohet që të ndihmojë dhe në drenimin e tokës në zonat e përmbytura. Duke u ndalur në operacionet për kalimin e situatës së vështirë nga përmbytjet, kryeministri tha se janë vënë në dispozicion mjete të shumta për evakuimin e banorëve, madje edhe helikopterë, si dhe pajisje të tjera: gjeneratorë e pompa uji. Nga ana tjetër kryeministri, megjithëse vlerëson shmangien e katastrofës humanitare, theksoi se ekosistemi në këto zona ka pësuar dëme të mëdha. “E vërteta është se janë shpëtuar jetët e njerëzve, por aty në rrafshin ekologjik është një katastrofë. Ndodhen nën ujë territore të tëra ndër më pjelloret e trojeve shqiptare. Kjo ka qenë dhe është një nga zonat më të fuqishme të prodhimit bujqësor të vendit. Qeveria nuk do të lërë përpjekje pa bërë që këto pasoja të kapërcehen me shpejtësi”, - deklaroi kryeministri. Duke iu referuar përmbytjeve të mëdha, Berisha tregoi se studimet tregojnë se një mot i tillë ndodh një herë në shekull. “Shkodra përjetoi një gjendje të jashtëzakonshme, një përmbytje e cila nga qendrat botërore të vlerësimit të përmbytjeve vlerësohet e njëjtë me atë që pësoi Australia gjatë fillimit të janarit dhe, jo fort e largët, me atë që pësoi Brazili. Observatori i përmbytjeve, “Dartmouth Flood”, i cili bën një vlerësim hapësinor dhe me mjete të tjera shkallën e përmbytjeve, e paraqet këtë përmbytje si ekstreme dhe si një ngjarje, si një mot që ndodh më rrallë se 100 vjet”, - tha ai. Kryeministri u shpreh se aktualisht objektiv kryesor në të gjitha veprimet operacionale të shpëtimit për qeverinë është evakuimi dhe shpëtimi i jetës së njerëzve. Duke qëndruar në këtë pikë, Berisha e vuri theksin te detyrat e përcaktuara për secilin dikaster. Gjatë takimit të tij me përfaqësues të pushtetit vendor kryeministri tha se qytetarëve të Shkodrës nuk u kanoset asnjë rrezik nga funksionimi i të gjitha portave apo tuneleve të kaskadës. “Ata që përhapën panik pa qëllim, duhet të jenë të qetë, të sigurt se nuk ekziston as dhe një portë, nuk ekziston as dhe një tunel që nuk hapet dhe që nuk funksionon. Nuk ekziston asnjë rrezik, qoftë dhe minimal për asnjërën nga digat e kaskadës. Ata që e bënë me qëllim këtë, ata janë më të rrezikshëm se vetë paniku”, - deklaroi Berisha. Duke akuzuar segmente të opozitës për thashethemnajën e përhapur, Berisha tha se pati edhe nga ata që shëtitnin si hije nga një ekran televizori në tjetrin si mitoman profesionistë për të thënë se rregullorja nuk është zbatuar, kur rregullorja është zbatuar në mënyrë të përpiktë.” Berisha në fjalën e tij tha se digat e hidrocentraleve dhe menaxhimi i bërë nga specialistët kanë qenë një nga faktorët që shmangën një ngjarje që nuk është përsëritur në 100 vjetët e fundit. Ai u shpreh se epiqendra ka qenë pikërisht Shkodra, Lezha dhe Alpet, por është shtrirë deri në Serbinë Qendrore, ka përfshirë Malin e Zi dhe një pjesë të Bosnjë-Hercegovinës.