E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meksikë, në pranga 18 oficerë policie

Forcat e sigurisë në Meksikë arrestuan 18 oficerë policie të akuzuar për bashkëpunim me një nga kartelet më të fuqishme të drogës.

Marinsat i arrestuan agjentët në shtetin lindor të Verakruzit, bashkë me 9 persona të tjerë që ishin arratisur nga një burg i këtij rajoni dy javë më parë.

Autoritet deklaruan se një nga komandantët e policisë kishte në zotërim një listë të detajuar të oficerëve që ishin në librin e pagës të kartelit Los Zetas.

Qeveria meksikane vazhdon të angazhojë marinën dhe ushtrinë për të crrënjosur korrupsionin në radhët e policisë.

Sipas burimeve, arrestimet u kryen në harkun kohor të gjashtë ditëve të fundit. Marina zyrtare deklaroi se një informacion i dhënë nga një banor i coi ata në fshatin e vogël Ranco Viejo, ku nëntë të arratisurit ishin fshehur.

Burimet saktësojnë se ata po përgatiteshin të bashkoheshin me kartelin Los Zetas, me të cilin kishin vendosur kontakte.

Ndërsa agjentët e policisë u arrestuan pasi dyshoheshin se kishin marrë ryshfet, nga 2 mijë në 10 mijë pesos, ose nga 140 në 720 dollarë në muaj.

Prokurorët që drejtuan hetimet thanë se ata shërbenin si informatorë për kartelin, duke e lajmëruar për operacionet e forcave të rendit.

Duke qenë se kanë një rrogë minimale dhe një stërvitje të dobët, policët meksikanë konsiderohen si më të prirurit për të rënë pre e korrupsionit.

Meksikë, gjenden 5 koka të prera në Akapulko

Ndërsa një javë më parë, policia meksikane gjeti pesë koka të prera në gjendje dekompozimi, të futura në një thes të braktisur jashtë një shkolle në Akapulko.

Në thes u gjetën gjithashtu mesazhe të shkruara me dorë, përmes të cilave kërcënohej guvernatori i shtetit dhe lordët lokalë të drogës.

Ende nuk dihet nëse kokat e zbuluara i përkasin disa trupave të tjerë të coptuar, që u gjetën në zona të tjera të vendit.

Autoritetet dyshojnë se akti i rëndë kriminal mund të jetë i lidhur me kërcënimet që u janë bërë mësuesve të shkollës ku u gjetën kokat, të cilat kanë si qëllim zhvatjen e parave të tyre.

Dhjetra shkolla në Meksikë janë mbyllur muajin e kaluar pasi mësuesit hynë në grevë për shkaqe sigurie.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›