Meksikë, policia gjen 12 kufoma të djegura
Trupat e 12 personave të vdekur janë zbuluar nga policia meksikane. Trupat e disa prej viktimave, siç raporton policia meksikane, ishin të djegura. Ngjarja e rëndë u zbulua në qytetin bregdetar të Ksaliskos nga policia vendase. Vrasjet supozohet se janë kryer nga kartelet e drogës që operojnë në zonën përreth. Por siç bën të ditur policia ende nuk janë zbuluar shkaktarët e kësaj tragjedie. Ngjarje të tilla të rënda kanë filluar që të kthehen në ngjarje rutinë në shtetin meksikan.
Sipas përllogaritjeve të ministrisë së brëndshme, në Meksikë që nga viti 2006 mbi 19 mijë persona janë ekzekutuar nga anëtarë të karteleve të drogës. Kartelet në shtetin meksikan nuk kontrollojnë vetëm ngarkesat e mëdha të drogës që kalojnë nga Meksika për në SHBA, por ato kontrollojnë tregun e prostitucionit dhe të emigracionit të paligjshëm. Në Meksikë ndodhet edhe qyteti më i rrezikshëm në botë, Ciudad de Juarez. Pavarsisht se ky qytet nuk është në gjendje lufte, pothuajse përditë policia vendase raporton persona të ekzekutuar nga kartelet e drogës.