Melania Trump i kërkon ABC-së të reagojë ndaj skeçit të Jimmy Kimmel

UASHINGTON, 27 prill /ATSH-DPA/- Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Melania Trump ka bërë thirrje publike, që rrjeti televiziv amerikan ABC, të mbajë qëndrim të qartë ndaj moderatorit Jimmy Kimmel, pas një skeçi satirik të transmetuar në prag të darkës së korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, në Uashington.
Në një reagim të publikuar sot në platformën X, Melania Trump e cilësoi Kimmel si “frikacak” dhe i konsideroi deklaratat e tij si “retorikë të urrejtjes dhe të dhunshme”, duke pretenduar se ato synojnë të përçajnë opinionin publik amerikan dhe të përkeqësojnë klimën politike në vend.
Skeçi u transmetua në programin “Jimmy Kimmel Live!” dhe përfshinte batuta satirike lidhur me presidentin amerikan dhe familjen e tij.
Gjatë emisionit, Kimmel bëri edhe komente ironike për Melania Trump, duke përfshirë një shaka që thoshte se “Melania shkëlqente si një vejushë në pritje”.
Në reagimin e saj, Zonja e Parë argumentoi se deklarata të tilla nuk mund të konsiderohen humor, duke theksuar se ato “nuk janë komedi”, por sipas saj përbëjnë një gjuhë që dëmton rëndë debatin publik dhe rrit tensionet politike në SHBA.
Ajo gjithashtu akuzoi Kimmel se “fshihej pas ABC-së”, duke sugjeruar se rrjeti televiziv po e mbron atë pavarësisht përmbajtjes së deklaratave të tij.
“Ka ardhur koha që ABC të marrë një qëndrim. Sa herë do të lejojë drejtimi i këtij rrjeti sjellje të tilla?”, shkroi ajo, duke kërkuar ndërhyrje nga drejtuesit e televizionit.
Ky reagim vjen disa muaj pasi Jimmy Kimmel u pezullua përkohësisht nga transmetimi, pas deklaratave të tij lidhur me vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk, një aleat i presidentit Donald Trump.
Pezullimi i tij, shkaktoi reagime të forta në opinionin publik dhe nga figura të njohura të Hollivudit, të cilët e konsideruan vendimin – si një kufizim të lirisë së shprehjes.
Kimmel u rikthye në ekran pas disa ditësh.
Deri tani, as ABC-ja dhe as Kimmel nuk kanë dhënë një reagim zyrtar ndaj deklaratave të fundit të Melania Trump. //a.i/