Melankolike!
Cila ka qenë eksperienca jote e parë, si e nisët fushën e modës?
Në vitin 2006, mora pjesë në konkursin “Ford Supermodel of Albania”, ku fitova çmimin e parë. Më pas, falë këtij konkursi, m’u dha mundësia që të shkoja në New York, ku dhe përfaqësova Shqipërinë në “Ford Supermodel of the World 2007”. Aty jam ndjerë vërtet mirë dhe mjaft krenare që arrita të përfaqësoj vendin tim në një aktivitet të tillë. Isha jashtëzakonisht e emocionuar, pasi m’u desh të hapja sfilatën si përfaqësuese e Albanias, megjithatë gjithçka shkoi mjaft mirë.
Çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj që nga ajo kohë?
Shumë dhe asgjë. Unë kam mbetur Anada e thjeshtë, që përpiqet të jetë me këmbë në tokë. Bashkëmoshataret e mia, që e kanë pasion modelingun, më kërkojnë shpesh herë këshilla. Unë përpiqem t’iu rekomandoj se çfarë duhet të bëjnë, megjithatë unë mendoj se edhe vetë kam nevojë për trajnime për të qenë një modele e vërtetë.
Kush kanë qenë eksperiencat tuaja të deritanishme?
Eksperiencat kanë qenë të shumta, por mund të përmend “Tirana Fashion Week 2007”, “Albanian Fashion Week 2007-2008”, sfilata të organizuara nga stilistë të mirënjohur, kam qenë pjesëmarrëse në Sfilatën Gala të “Geraldina Sposa 2009”, kam qenë imazhi i “Penelope Jewelery” etj .
Sa i rëndësishëm është stili i jetesës për një modele, dhe cili është ai i Anada Nikollarit?
Stili i jetesës, regjimi ditor janë mjaft të rëndësishme për një modele. Mënyra e ushqyerjes, kujdesi për lëkurën, trupin, sigurisht që janë prioritare për dikë që është pjesë e kësaj fushe. Unë përpiqem të tregohem e kujdesshme me mënyrën e të ushqyerit, tregoj kujdes për fytyrën nuk pi alkool, bëj gjumë të rregullt, vrapoj ose shkoj në palestër.
I ndiqni koleget tuaja në botë dhe a keni një model ku do të donit t’i ngjanit?
Po normalisht që i ndjek dhe i admiroj. Unë e kam thënë gjithmonë që modelja ime më e preferuar, është modelja e mirënjohur me origjinë shqiptare Emina Çunmulaj, e cila jeton në New York, ku dhe kam pasur fatin ta takoj.
Për çfarë studioni?
Unë studioj për Shkenca Politike, pranë Fakultetit të Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës. Jam në vitin e tretë të studimeve.
Pse keni zgjedhur këtë degë?
Më kanë pëlqyer gjithmonë diplomacia dhe çështjet politike, prandaj kam bërë këtë zgjedhje.
Është një pyetje që bëhet shpesh... do të pozonit nudo për një shumë të madhe parash...?
Një model nuk duhet të ketë komplekse, dhe duhet të jetë sa më i lirshëm, por unë nuk besoj se do të pozoja nudo.
Modelingu ka qenë ëndrra juaj... apo ju ka lindur me kalimin e viteve kjo dëshirë?
Ka ardhur mjaft natyrshëm. Kam qenë 15 vjeç, kur nisa ta mendoja seriozisht diçka të tillë. Ndoshta, kjo lidhet me faktin se në atë moshë shkëputesh nga fëmijëria dhe nis të kuptosh prirjet dhe çfarë të pëlqen të bësh më shumë.
Tani që i jeni futur kësaj rruge, jeni penduar?
Absolutisht jo.
Cili do të jetë angazhimi juaj i radhës?
Aktualisht po marr pjesë në një trajnim 2-javor për modelingun, që po organizohet nga kompania “Bindi Talent”, e cila ka bashkëpunimin e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Trajnimi po zhvillohet nga një staf profesionistësh të ardhur nga Kina, enkas për këtë trajnim. Stafi përbëhet nga një supermodele, që trajnon modelet dhe një trajner për modelet, 1 make up artist dhe një fotograf që kanë punuar për brendet më të famshme si: Gucci, Swarovski, CHANEL, DIOR, PIAGET, VS, CLAIROL, BVLGARI etj. Kjo është një eksperiencë e jashtëzakonshme, sepse ky është trajnimi i mirëfilltë që po bëhet në fushën e modës këtu në Shqipëri.