E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lira e artë

Me sukseset e jashtëzakonshme që i arriti në vitin 2010, Fatmire Bajramaj, përveç shumë trofeve, është kandidate serioze për ta fituar edhe ‘Topin e Artë’. Mesfushorja kosovare, vitin që po e lëmë pas e konsideron si më të mirin në karrierë. Nga Moral Pozhegu më 29 dhjetor 2010 në ora 18:56

Për Fatmire Bajramajn, viti 2010 ishte më i miri në karrierën e saj. Futbollistja kosovare i vargoi sukseset e njëpasnjëshme me skuadrën e saj, Turbine Potsdam, duke triumfuar në Ligën e Kampionëve për femra dhe në kampionatin gjerman, të cilin nuk e kishte fituar kurrë më parë.

Mirëpo, kulmi i suksesit të saj arriti në fund të vitit. Në fakt, 22-vjeçarja e arriti atë që nuk e kishte bërë asnjë futbollist shqiptar ndonjëherë, duke u futur në rrethin e ngushtë të kandidateve për ta fituar çmimin prestigjioz, ‘Topi i Artë’ (Futbollistja më e mirë e vitit në botë).

“Njëherë u futa në mesin e 10 futbollisteve më të mira, kurse më pastaj ndër 3 më të mirat. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm. Edhe pse njerëzit këtu në Gjermani më thonë se mund ta fitoj këtë çmim, unë mendoj se braziliania Marta është më e mira. Unë e konsideroj sukses faktin se kam arritur deri këtu, pasi do të shkoj në Zurich dhe do të takoj njerëz të rëndësishëm të futbollit”, tha për Express, ‘Lira’.

Sigurisht, duke e pasur parasysh moshën e saj të re (është e lindur më 1 prill 1988), Bajramaj thotë se ka kohë dhe, nëse vazhdon me ritëm të njëjtë, beson se do ta ketë rastin edhe ta fitojë këtë çmim të rëndësishëm për futbolliste. “Këtë vit kam luajtur mjaft mirë dhe kam fituar shumë kupa. Ndoshta në të ardhmen do ta fitoj edhe Topin e Artë”, vazhdoi ajo.

Deri tash, Bajramaj ka fituar pothuajse gjithçka mund të fitojë një futbolliste. Asaj i mungon vetëm medalja e artë e Olimpiadës, për ta kompletuar suksesin e jashtëzakonshëm. Ajo beson se këtë do ta bëjë në Londër, në vitin 2012.

Sa i përket vitit 2011, Bajramaj synon që me Gjermaninë të shpallet kampione e botës dhe këtë sezon t’i përsërisë sukseset me ekipin e saj aktual, Turbine Potsdam.

Në të kaluarën, Bajramaj ka fituar Kampionatin Botëror, atë Evropian, Ligën e Kampionëve për femra, kampionatin gjerman dhe Kupën e Gjermanisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›