Kina premton të luftojë korrupsionin
Qeveria kineze ka premtuar ashpërsimin e masave kundër korrupsionit për të fituar besimin e publikut.
Në raportin e parë zyrtar për këtë çështje, autoritetet kineze pranojnë se korrupsioni është ende në nivele serioze dhe në disa raste bëhet fjalë për shuma të mëdha parash dhe shkelje të rënda të ligjit.
Zyrtari më i lartë i Partisë Komuniste të Kinës për luftën kundër korrupsionit, Wu Yuliang, u tha gazetarëve se ishin shtuar rastet e shkeljes së ligjit.
"Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka pasur një shtim relativ të numrit të rasteve të shqyrtuara".
"Në gjithë vendin punonjësit e inspektimit dhe disiplinimit kanë shqyrtuar 119 mijë raste, nga të cilët 108 mijë konsiderohen çështje të mbyllura. 113 mije persona janë ndëshkuar për shkelje të disiplinës së partisë dhe qeverisë. Prej këtyre rasteve, 4300 u janë kaluar për shqyrtim organeve të drejtësisë, ngase ka dyshime për implikim në aktivitete të kundërligjshme", tha zyrtari i lartë kinez i luftës kundër korrupsionit, Wu Yuliang.
Në dokumentin e publikuar nga autoritetet kineze çmohet roli i medias dhe internetit në ekspozimin e praktikave korruptive.
Në raport thuhet se "ndriçimi i diellit është antiseptiku më i mirë dhe transparenca është mbikëqyrësja më e mirë".
Kritikët thonë se korrupsioni është rrënjosur aq thellë në sistemin e vendit, sa që me shtim rregullash e pa reformë themelore nuk mund të zgjidhet problemi, njofton korrespondenti i BBC-së në Pekin, Martin Patience.