E Martë, 3 Nëntor 2026

Melodia që “buron” nga malet e Veriut

Ai qëndron diku në një kënd të rrugës dhe krijon melodinë e tij. E quajnë Myrto dhe vjen nga fshati Bruçaj i Shkodrës. Çobani 85-vjeçar sfidon thuajse çdo ditë temperaturat e larta të qytetit me instrumentin e lashtë baritor të fyellit, të cilin e ka punuar vetë dhe e ka shoqëruar prej një jete të tërë.

“E kam mësuar qysh 10 vjeç, me fyellxhinj, me njerëz që kanë ditur me i rënë fyellit. Atëherë e kam marrë vetë me iniciativën time, me forcën time,” thotë Myrto Mani.

Ndonëse kalimtarët duken indiferentë para melodisë që krijon, ai thotë se ata e duan fyellin, sepse buron nga malet.

“E pëlqejnë, e pëlqejnë se është muzika malore, që i tërheq maleve, me berr, me dhi, me bagëti.“

Myrtoja përgjigjet i prerë dhe i vendosur kur e pyet nëse e bën këtë për ngrohtësinë e shpirtit apo edhe si mënyrë për të nxjerrë bukën e gojës.

“Jo, jo, vetëm për kënaqësinë time, për hatrin tim, për dëfrimin tim, por kujt nuk i lyp asgjë,” shton 85-vjeçari.

Dëshira e tij është që melodia e alpeve të mos ndalet asnjëherë dhe t’u trashëgohet brezave që do të pasojnë.

Gazetar: Marjo Gjini

/RTSH/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›