E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Meloni e ekstremit të djathtë në krye të sondazheve në Itali, frikë për kthimin e neofashistëve

Me anë të një mesazhi që ndërthur krishtërimin, amësinë dhe patriotizmin, Giorgia Meloni, po rrit popullaritetin gjë që muajin e ardhshëm mund ta bëjë atë kryeministren e parë femër të Italisë, si dhe lideren e parë të ekstremit të djathtë, që nga Lufta e Dytë Botërore. Edhe pse partia e saj “Vëllezërit e Italisë” ka rrënjë neofashiste, Meloni është përpjekur të largojë shqetësimet për trashëgiminë e saj, duke thënë se votuesit janë lodhur nga diskutime të tilla. 

Megjithatë, ka shenja bezdisëse se një trashëgimi e tillë nuk mund të shkundet kaq lehtë. Simboli i partisë së saj ka si imazh një flakë me tre ngjyra, të huazuar nga një parti neofashiste e formuar menjëherë pas përfundimit të luftës. Nëse “Vëllezërit e Italisë” mbizotërojnë në zgjedhjet e 25 shtatorit, dhe 45-vjeçari Meloni bëhet kryeministre, do të jetë fiks pas 100 vitesh, në muajin kur Benito Musolini, diktatori fashist i Italisë, erdhi në pushtet në tetor 1922. 

Në vitin 2019, Meloni prezantoi me krenari Caio Giulio Cesare Mussolini, një stërnip i diktatorit, si një nga kandidatët e saj për Parlamentin Evropian, megjithëse ai humbi. Për shumicën e votuesve italianë, pyetjet në lidhje me antifashizmin dhe neofashizmin nuk janë “një shtytës kryesor për kë duhet votuar”, tha Lorenzo Pregliasco, kreu i kompanisë së sondazheve YouTrend. “Ata nuk e shohin këtë si pjesë të së tashmes. Ata e shohin këtë si pjesë të së kaluarës.” 

Megjithatë, Meloni është e ndjeshme ndaj shqyrtimit ndërkombëtar, në lidhje me postin e saj të mundshëm si kryeministre dhe preferon termin konservator, në vend të ekstremit të djathtë për të përshkruar partinë e saj. Së fundmi, ajo regjistroi video-mesazhe në anglisht, frëngjisht dhe spanjisht, në të cilat thoshte se e djathta italiane “e ka dorëzuar fashizmin në histori për dekada, duke dënuar pa mëdyshje shtypjen e demokracisë dhe ligjet poshtëruese anti-hebraike”. 

Kjo ishte një referencë për ligjet e vitit 1938 që ndalonin komunitetin e vogël hebre të Italisë të merrte pjesë në biznes, arsim dhe aspekte të tjera të jetës së përditshme. Ligjet hapën rrugën për dëbimin e shumë hebrenjve italianë në kampet naziste të vdekjes gjatë pushtimit gjerman të Romës në vitet e fundit të Luftës së Dytë Botërore. 

Megjithatë, duke mbajtur flakën me tre ngjyra në logon e partisë së saj, “ajo po luan në mënyrë simbolike me atë trashëgimi”, tha David Art, një profesor i shkencave politike në Universitetin Tufts, që studion të djathtën ekstreme të Evropës. Apnews

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›