E Diel, 1 Nëntor 2026

Memli Krasniqi i’a jep 35 mijë euro Blerand Stavilecit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të mbështesë financiarisht pjesëmarrjen e Klubit të Basketbollit “ SIGAL Prishtina” në Ligën Ballkanike, si klub i parë i basketbollit që merr pjesë në gara ndërkombëtare të njohura nga Federata Ndërkombëtare e Basketbollit ( FIBA ).

Për këtë, sot, mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Federatës së Basketbollit të Kosovës dhe Klubit ‘Sigal Prishtina’ është nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi, përmes të cilit MKRS ndanë 35 mijë euro për pjesëmarrjen e Klubit të Basketbollit “ Sigal Prishtina” në Ligën Ballkanike; me saktë për realizimin e pagesave të nevojshme për pjesëmarrje.

Mjetet financiare barten në xhirollogarinë e Federatës së Basketbollit të Kosovës. Nënshkrimi i Memorandumit është bërë nga Sekretari i MKRS-së, Veton Firzi, ai i FBK-së, Nazmi Paqarada dhe Nënkryetari i Klubit Sigal Prishtina, Lulzim Ibrahimi.

MKRS përveç kësaj mbështetje do të jetë e angazhuar që të ofrojë përkrahje edhe në aspekte të tjera që lidhen me një organizim sa më të mirë të ndeshjeve në kuadër të Ligës Ballkanike, këtu në Prishtinë.

Kryetar i Sigal Prishtinës është ministri i Bujqësisë, Pyltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci. Ky i fundit është në një objekt me ministrin e Kultures Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›