Menaxhimi, KESH shkurton shpenzimet me 25 milionë euro
Fitimi i KESh-it realizuar vitin e kaluar ishte 91% më i lartë se ai i planifikuar, ose 4 herë më i madh se një vit më parë, dhe njëkohësisht shpenzimet u ulën me 2.7 miliardë lekë
Si rezultat i mirëmenaxhimit, KESH arriti të ulë shpenzimet me gati 25 milionë euro vitin e kaluar, bëjnë me dije burimet zyrtare të Korporatës. Performanca ekonomiko-financiare përgjatë vitit 2010 njohu rritje, ku prodhimi vendës arriti shifrën rekord prej 7600 GWh. Fitimi i realizuar ishte 91% më i lartë se ai i planifikuar, ose 4 herë më i madh se një vit më parë, dhe njëkohësisht shpenzimet u ulën me 2.7 miliardë lekë. Gjatë vitit 2010 KESH arriti të shlyeje të gjitha detyrimet dhe borxhet ndaj institucioneve të huaja dhe shtetit, si edhe shumicën e kredive ndaj bankave të nivelit të dytë, duke i reduktuar nga 147 milionë në 66 milionë euro. Energjia vazhdon të jetë një sfidë për Shqipërinë dhe Rajonin dhe prandaj politikat promovuese e të kujdesshme për zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori kanë qenë dhe do jenë edhe për disa vite të tjerë imperative dhe prioritare, të grupit menaxhues të Koorporatës. Ne e konsiderojmë bashkëpunimin me donatorët si një instrument shumë të rëndësishëm për përballimin e sfidave dhe arritjen e objektivave tona. Rritja e performancës së korporatës vit pas viti, ka qenë rezultat i bashkëpunimit ndërmjet KESh-it dhe të gjithë donatorëve, prandaj edhe synimi ynë mbetet forcimi i këtij bashkëpunimi. KESh-i ka zbatuar me rigorozitet direktivën e qeverisë për sigurimin e sasive maksimale të mundshme të energjisë, duke e konsideruar furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike si domosdoshmëri absolute, dhe duke u shkëputur kështu përfundimisht nga praktikat e kufizimit të energjisë. Aktualisht gjenerimi nga KESh-i mbështetet në 100 për qind energji të prodhuar nga burimet hidro, ndaj, në mënyrë që të rrisim shkallën e sigurisë së furnizimit me energji elektrike, është i domosdoshëm një prodhim i kombinuar hidro-termo dhe në këtë kuptim merr rëndësi vendosja në punët e TEC-it të Vlorës për të garantuar të gjithë sasinë e nevojshme të energjisë për qytetarët, pavarësisht nga situatat hidrike që mund të kalojmë. Siguria e furnizimit është garantuar dhe do të garantohet edhe nga finalizimi i suksesshëm i projekteve të rehabilitimit të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin dhe kaskadën e lumit Mat, duke vijuar me rehabilitimin e hidrocentralit të Komanit, dhe që do të vazhdojë me implementimin e projektit madhor të sigurisë së digave në të gjitha hidrocentralet e kaskadës së lumit Drin dhe kaskadës së lumit Mat. KESH-i prodhon aktualisht energji më shumë se më parë, jo vetëm si rrjedhojë e situatës së mirë hidrike, por dhe në sajë të një menaxhimi dhe administrimi profesional si dhe procedurash tejet transparente në funksionimin dhe raport me partnerët e tij. Një nga objektivat kryesore të KESh-it është rritja e vlerave të aseteve që administron jo vetëm në sajë të investimeve, por dhe në saj të një mirëmenaxhimi dhe rritjes së portofolit financiar. KESh-i është sot në gjendje më të mirë financiare, për shkak se prej mëse një viti nuk importon asnjë KW, si dhe për shkak të likujditeteve që ka grumbulluar nga eksporti i energjisë elektrike.