KESH rrit rezervat për sezonin veror
Sipas njoftimeve zyrtare nga KESh-i, është pakësuar përdorimi i ujit të kaskadës së Drinit, duke siguruar një blerje të energjisë në import. Një gjë të tillë KESh-i tani e ka më të lehtë ta bëjë, pas rezultateve shumë të mira financiare
Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare ka nisur të mendojë për sezonin e verës, duke marrë parasysh thatësirën që karakterizon këtë stinë dhe ka rritur rezervat e saj hidrike. Për të bërë të mundur një gjë të tillë, sipas njoftimeve zyrtare nga KESh-i, është pakësuar përdorimi i ujit të kaskadës së Drinit, duke siguruar një blerje të energjisë në import. Një gjë të tillë KESH-i tani e ka më të lehtë ta bëjë, pas rezultateve shumë të mira financiare të vitit të kaluar, kur fitimet e realizuara shlyen një pjesë të madhe të borxheve, të marra në vite. Vlera totale e energjisë së blerë në të dy procedurat e kryera gjatë muajit prill arriti në 3 352 182 euro. Konkretisht, theksojnë specialistët e Korporatës, në procedurën e parë të blerjes/importit të energjisë elektrike për periudhën 1 prill-30 prill 2011 u ble energji elektrike nga "GEN-I Tirana sh.p.k." në sasinë prej 36 milionë kilovatorësh. Ndërsa në procedurën e dytë të zhvilluar për blerje energji elektrike për periudhën 8 prill-30 prill 2011, u ble energji elektrike nga "Rudnap a.d." në sasinë 2.64 milionë kilovatorë, "GSA sh.p.k.", në sasinë 4.22 milionë kilovatorë; "GEN-I Tirana sh.p.k.", në sasinë 3.69 milionë kilovatorë dhe "CEZ Trade Albania sh.p.k.", në sasinë 15.84 milionë kilovatorë. Ndërkohë, siguria e furnizimit të mëtejshëm është garantuar dhe do të garantohet edhe nga finalizimi i suksesshëm i projekteve të rehabilitimit të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Drin dhe kaskadën e lumit Mat, duke vijuar me rehabilitimin e hidrocentralit të Komanit, dhe që do të vazhdojë me implementimin e projektit madhor të sigurisë së digave në të gjitha hidrocentralet e kaskadës së lumit Drin dhe kaskadës së lumit Mat. Ndërkaq, po punohet intensivisht në objektin fundor të kaskadës së Drinit, HEC-in Ashtë, ku tashmë vijon procedura e montimit të një numri të madh gjeneratorësh. Hidrocentrali të punojë me anën e 90 turbinave të vogla, të cilat mundësojnë një shfrytëzim veçanërisht efikas të ujit. Nga viti 2012, në Ashtë do të prodhohen 240 milionë kilovatorë energji elektrike. Aktualisht, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare disponon një fuqi të përgjithshme gjeneruese prej 1628.3 MW. Fuqia e instaluar gjeneruese përfaqësohet nga 8 HEC-e me kapacitet të përgjithshëm 1431,7 MW, 7 TEC-e me kapacitet të përgjithshëm 194,6 MW dhe 34 HEC-e të vegjël me kapacitet të përgjithshëm 2 MW. Duke qenë se pothuajse të gjithë HEC-et e vegjël dhe TEC-et janë totalisht të amortizuar dhe jashtë pune, fuqia gjeneruese në gjendje aktive është 1431,75 MW me një prodhim vjetor të projektuar prej 4,338 miliardë kwh. Për të ardhmen KESH sh.a. synon furnizimin e pandërprerë me energji elektrike nëpërmjet gjenerimit, transformimit dhe shitblerjes së saj me koston më të ulët të mundshme; mirëmbajtjen e aseteve, zgjerimin dhe modernizimin e tyre; ndërtimin e burimeve të reja dhe kryerjen e aktiviteteve të studimit, projektimit dhe konsulencë për aktivitetet e përmendura më lart. Prej kohësh KESH sh.a. është pjese e proceseve integruese dhe liberalizuese të tregtisë për Europën Juglindore dhe tashmë mund të thuhet se Shqipëria ka në tërësi një kuadër ligjor, nënligjor dhe rregullator të aftë për të përballuar sfidat që kërkon tregu i hapur i energjisë elektrike jo vetëm në nivel nacional por dhe atë rajonal e më gjerë.