E Diel, 1 Nëntor 2026

Mendimi i GJND-së nuk pritet t’i ndryshojë raportet midis Kosovës dhe Serbisë

Shkup, 5 gusht – Pas Mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës, nuk pritet të ketë ndryshim në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu kanë konstatuar ekspertët juridikë dhe analistë politikë në tryezën e së mërkurës në Shkup lidhur me Mendimin e GJND-së për Pavarësinë e Kosovës.
Sipas profesorit të së drejtës ndërkombëtare, Zejnulla Gruda, tani duhet të ndodhin edhe njohje të reja nga ato shtete që kanë pasur dilema për ligjshmërinë e një vendimit të tillë. “Vetëm ato shtete që nuk kanë ndërgjegjen të pastër dhe që kanë probleme të njëjta nuk do ta njohin atë. Unë besoj se tash duhet të ketë njohje të reja, për shkak se nëse deri tash ka pasur ndonjë shtet i cili për ndonjë arsye tjetër ka hezituar të njihte Kosovën edhe këtë e ka mbështetur në paqartësitë lidhur me legalitetin e shpalljes së saj. Secili shtet që do ta refuzojë njohjen më tepër tregon se nuk e ka vetë ndërgjegjen të pastër se që ka ndonjë pengesë formale”, ka thënë Zejnulla Gruda.
Ndërkohë, analisti Slobodan çashule, ka thënë se Kosova ka shanse të krijojë ekonominë e vet, sistemin politik, të konsolidohet dhe të zgjidhë problemin e madh të njohjes së saj.  “Megjithëse Tadiqi, gruaja e tij dhe Nikoliqi vazhdojnë me këtë politikë shoviniste dhe heqin dorë nga integrimi i Kosovës në rajon, Kosova ka shanse të krijojë ekonominë e vet, sistemin politik, të konsolidohet dhe të zgjidh problemin e madh të njohjes së saj”, ka thënë çashule.
“Përpjekja e Serbisë për të bërë një pengim do të vazhdojë. Për arsye krejt politike, sepse partitë në pushtet janë shumë të interesuara që prej kësaj situate prej këtij shoku politik që përjetuan me vendimin në mënyre që të menaxhohet situata dhe ato të ruajnë pushtetin e vet. Aq më tepër kur në masa më të gjera popullore të popullit serb procesi i demilosheviqizmit nuk ka mbaruar”, ka thënë nga ana tjetër, Rizvan Sulejmani. Ndryshe, ekspertët kanë konstatuar se e ardhmja e të gjitha vendeve të rajonit është integrimi në strukturat euroatlantike.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›