Mendimi politik i Hjumit me ADN kritike
Nga Dr. Lavdosh Ahmetaj
Si për të gjithë empiristët anglezë, ashtu edhe për Hjumin, sistemi ideve vjen nga përvoja ndijore. Ndërsa idetë lidhen me njëra-tjetrën në një zinxhir, sipas parimeve të një rregulli të caktuar. Ndërsa vetë rregulli, ka të bëjë me shkakësinë: Por çfarë është shkakësia, ajo, sipas tij, është e prejardhur prej perceptimeve tona ndijore e shoqëruar me elementin e domosdoshmërisë që përmban, dhe vjen si rezultat i zakonit empirik të vazhdimësisë që pasojnë njëra tjetrën pa asnjë përjashtim. Pra, shkakësia nuk qëndron te objektet, por te zakoni i subjektit, që do të thotë se ajo është subjektive. Nisur nga ky mekanizëm i filozofisë së Hjumit, dalin disa pyetje në shpjegim të kritikës jusnatyraliste.
Baza e mendimit kritik të Hjumit?
Ai niset nga mendimi se ekzistenca e ligjeve natyrore, të vlefshme në përgjithësi për mënyrsjelljen e njeriut dhe për organizimin shoqëror, e ka origjinën që nga bota politike antike. Studiohet tek Aristoteli, ka një shprehje romake me Ciceronin, dhe vazhdon me teologun e krishterë Tomas dAkuinin. Ndërsa në fillim të shekullit XVII, kjo bindje i jep udhë një traktati politik të fuqishëm që kulmon me Grozin. Hjumi vë në diskutim këtë bindje mijëvjeçare pikërisht një shekull pas formulimit të saj më të përpiktë.
Kjo bindje ka ruajtur një ndikim të rëndësishëm, e përhapur deri në ditët e sotme, por Hjumi minon në mënyrë vendimtare bazat e saj në terma të filozofisë politike. Rëndësia e përgjithshme e kësaj periudhe të shkurtër të hegjemonisë logjiko-politike të konceptit të ligjit natyror me përgjegjësinë groziane, do të jetë objekt i posaçëm, që për organicitetin e mendimit përfshin një dialektike të veçantë, duke shtjelluar tema, nga Hjumi që arrijnë deri në parashtrimin e tyre nga ana e Komtit (dialektika konservatorizëm-progres).
Faktorët që prodhojnë mendimin kritik
1. Stabilizimi i situatës në Angli, në të cilën, së paku deri në revolucionin amerikan ku, qoftë qeverisja e qoftë kisha, të prirura drejt shumë abuzimeve, shërbenin për mrekulli interesave të klasave me rëndësi politike më të madhe ;
2. Revolucionin industrial, i cili prishi disa rregulla juridike feudale, të cilat ndikuan në krijimin e një vizioni të ri Hjumian, të konkretizuara te Traktati mbi natyrën njerëzore (1719-40);
3. Studimi i Thomas More, i cili e shihte dobinë e marrëveshjeve si natyra, që i bashkon njerëzit midis tyre. Por, kur ka njerëz që nuk respektojnë natyrën, si mund të mendohet se do të mbajë fjalën . Këto vlerësime vinin prej faktit se sundimtarët i respektonin shumë pak marrëveshjet e nënshkruara.
4. Algjebra dhe matematika janë të vetmet shkenca ku mund të vazhdojmë në një varg të gjatë arsyetimesh pa humbur sigurinë;
5. Ndërsa argumenti më i fortë në kritikën e Hjumit, vjen nga karakteri i ligjeve shkakësorë në fizikë. Ndërsa ide të tilla si A shkakton B nuk duhet pranuar asnjëherë, dhe tendenca e arsyes njerëzore për ta pranuar duhet shpjeguar prej ligjeve të zakonit dhe të asocilimit. Duke u nisur nga kjo lëndë intriguese e përdorur nga Hjumi, duket se, ai arriti tek analiza e arsyes njerëzore dhe përpunojë mekanizmin e dallueshëm të saj:
Së pari, arsyeja përcakton marrëdhënie idesh për të cilat, duke vënë një premisë, rrjedh prej kësaj një dhe vetëm një deduksion; është një proces ecuria e të cilit siguron bindjen për rezultatin e arritur dhe është pikërisht në premisa të tipit matematik;
Së dyti, ka premisa që lidhen mes tyre nga një bashkëlidhje empirike që vë në marrëdhënie jo koncepte apo ide, por fakte dhe ngjarje; më e rëndësishmja e këtyre marrëdhënieve empirike është ajo e bashkëlidhjes shkakësore, e raportit shkak-pasojë: nëse një ngjarje pasohet me rregullsi të dukshme nga një tjetër, jo për këtë arsye mund të pohojmë me siguri se e para është shkaku i të dytës. Mes këtij shkaku dhe pasojës nuk ka pra të njëjtën lloj marrëdhënieje si e vërtetës matematike (siguri absolute e deduksionit), por vetëm një bashkëlidhje empirike, një shkallë probabiliteti pak a shumë të ngritur se një ngjarje pasohet nga një tjetër. Shkencat empirike që merren me fakte që realisht ndodhin dhe me bashkëlidhjet mes tyre, janë pra në thelb të ndryshme nga matematika dhe nga arsyetimi deduktiv;
Së fundmi, arsyeja prodhon masën që ajo tregon çfarë mjetesh mund të arrijnë një qëllim të dëshiruar apo me çfarë mjetesh mund të shmanget një rezultat i papëlqyeshëm. Fakti që një rezultat pëlqen apo nuk pëlqen nuk është, në vetvete, as i arsyeshëm e as i paarsyeshëm. Për rrjedhojë, nga etika, apo politika apo çfarëdo lloj studimesh politike, në të cilat duhet të mbajnë parasysh gjykimet, janë të ndryshme sa nga shkencat deduktive aq dhe nga ato faktuale.
Nga ky konceptim i përmbledhur nga Hjumi në shprehjen se, në temën e gjykimeve, arsyeja është skllave e pasioneve dhe nuk mund të pretendojë që të bindë ato, vjen si rrjedhojë rrëzimi i pikëpamjes sipas së cilës ekzistojnë parime racionale të së drejtës dhe të drejtësisë, domethënë i ashtuquajturi ligj natyror. Brenda këtyre caqeve Hjumi bën dallimin e qëndrimit të tij nga kontraktualizmi si të thuash i nevojitur i Hobsit dhe i Lokut. Obligimi politik nuk është rrjedhoja e pashmangshme e një situate natyrore konfliktuale (Hobsi) apo bashkëpunuese (Loku) . Kontrata e bazuar mbi miratimin është vetëm një marrëveshje që ngrihet mbi përvojën empirike të dobishmërisë së saj.
Ky saktësim është i rëndësishëm, pasi Sabini si njohës dhe admirues i Hjumit, pyet nëse Hjumi sulmoi doktrinën politike të kontratës apo të miratimit?. Në realitet, ai nuk sulmoi këtë doktrinë, por përkundrazi premisat jusnatyraliste të saj, për ta kthyer, në mënyrë empirike, në një marrëveshje me vlerë. Në të vërtetë, vetë Sabini shkruan: Është e dukshme, thoshte Hjumi, se detyra e bindjes qytetare dhe detyra për të ruajtur një pakt janë gjëra aspak të ndryshme; njëra nuk mund të rrjedhë nga tjetra; përse pra do të duhej të lidhej në detyrime? Mesa duket, sepse nuk është e mundur të arrihet pa to një shoqëri e qëndrueshme në të cilën rendi ruhet, prona mbrohet dhe pasuritë këmbehen. Të dy detyrimet rrjedhin nga po kjo rrënjë. Nëse shtrohet pyetja më tej përse njerëzit ndjehen të detyruar të ruajnë rendin dhe të mbrojnë pronën, përgjigja është se pjesërisht ata përmbushin me këtë egoizmin e tyre dhe pjesërisht që besnikëria (ndaj pakteve) është një zakon i përforcuar nga edukimi dhe se për rrjedhojë ka aq rol në natyrën njerëzore sa çfarëdo shtyse tjetër. Anëtarët e një shoqërie provojnë një sens ndjesi interesi të përbashkët dhe pranojnë detyrimet që ai u dikton atyre. Ky interes i përbashkët është më i ngjashëm me një marrëveshje se me një të vërtetë racionale. Është një tërësi rregullash dhe normash të përgjithshme që përvoja i ka treguar të dobishme për nevojat njerëzore në përgjithësi. Prej dëshirës për siguri njerëzit duhet të njohin se mbi çfarë mund të mbështeten, dhe prandaj janë norma të nevojshme të çfarëdo lloji. Nëse ato reshtin së qeni të dobishme, njerëzit do ti ndërrojnë edhe me dhunë, nëse nuk ka tjetër mjet, por në përgjithësi çfarëdo norme është më e mirë se asnjë normë dhe më e shumta që mund të shpresohet është që ato të veprojnë arsyeshëm mirë. Dukshëm nuk janë të vërteta të jashtme, të rrënjosura në natyrën, por vetëm mënyra të përcaktuara sjelljeje të përligjura nga përvoja dhe të përforcuara nga zakoni. Një qeverisje legjitime, si e dalluar nga uzurpimi, bazohet mbi një tërësi normash konvencionale që shërbejnë për të dalluar autoritetin legal nga forca e pastër.
Disa rrjedhoja juridike të teorisë së Hjumit
Hjumi si kontraktualist empirik, me theks dhe karakter konvencional të paktit shoqëror , teoria e tij, merr ngjashmëri me pikëpamjet e Hobsit dhe Lokut, nëse lihet më