Arben Malaj si sfidë ndaj autoritarizmit politik
Nga Mentor Kikia
Dalja e deputetit socialist Arben Malaj si i pavarur në garën elektorale të 23 qershorit ishte një veprim që tërhoqi menjëherë vëmendjen e opinionit dhe do të vazhdojë të përbëjë interes derisa të numërohen votat në Vlorë. Largimi i Malajt u komentua si një shenjë e qartë që tregonte se Rama, krahas fitores së zgjedhjeve, është po kaq i interesuar për të pastruar partinë nga figurat që i bëjnë karshillëk apo që thjesht nuk i binden, dhe për të afruar pranë vetes njerëzit e tij më të besueshëm. Pra Rama po mendon sa për qeverisjen aq edhe për kontrollin përfundimtar dhe të plotë të partisë, duke pasur në krah njerëz që janë dakord me gjithë sa thotë dhe mendon kryetari. Malaj qartësisht ishte deklaruar kundër këtij roli që në krye të kohës kur mori rrugët dhe filloi të zhvillojë takime me bazën socialiste si drejtues i lëvizjes për mendimin ndry she në PS. Por meqë ata pak politikanë në PS që mendonin ndry she, bashkë me Malajn, hoqën dorë nga mendimi i tyre dhe u kthyen në v athë për të menduar si Rama, Malaj nuk ndërmori aventurën për të bërë ndonjë PSV tjetër si Petro Koçi, por qëndroi në parti, duke vazhduar gjithsesi të mendojë me kokën e vet. Malaj është një figurë politike e konsoliduar dhe bëri gjënë e duhur kur deklaroi se mandati i tij do të vazhdojë të jetë socialist, pa lënë asnjë hamendësim që mund ta shesë atë nëse do ti duhet Berishës, siç iu desh vota e Islamit dhe Kadelit në ditët e fundit. Ajo që po bën Majal, në dukje është një sfidë ndaj Ramës. Por unë mendoj se lëvizja e tij nuk duhet parë thjesht si sfidë vetëm ndaj Ramës, meqë ai e spostoi nga lista. Ka një arsye më shumë se përse Arben Malaj duhet të fitojë në Vlorë. Dhe kjo nuk lidhet as me rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve, as me sfidat brendapërbrenda Partisë Socialiste dhe as me opinionet personale për këtë figurë të së majtës. Gara e Malajt duhet parë në fakt si një sfidë në tërësi ndaj mënyrës se si drejtohen sot partitë politike. Ajo është një sfidë ndaj kryetarëve bajraktarë, ndaj mungesës së demokracisë, konkurrencës brenda partisë dhe frymës mbytëse kundër mendimit të lirë.
Tashmë është e qartë si drita, se në partitë politike shqiptare nuk ka pikën e demokracisë. Strukturat drejtuese nuk zgjidhen me votë të lirë, por sipas rekomandimeve të kryetarit. Praktikisht, kryetarët e parive sot janë shndërruar në drejtorë ekzekutivë, pasi ata nuk janë aty me votën e lirë të anëtarësisë, por falë mekanizmave që kanë prodhuar për të mbajtur partinë nën kontroll. Berisha e ka hipotekuar partinë e tij me kohë dhe është kaq i ndërgjegjshëm për këtë, sa as edhe formalisht nuk i bën më zgjedhjet e forumeve. Edhe Meta, i cili ka meritën se krijoi nga hiçi një parti dhe e bëri faktor, është i bindur se LSI-ja është pronë e tij dhe rivalitetet në zgjedhjet e brendshme janë thjeshtë formale.
Ndërsa Rama është duke i dhënë dorën e fundit varrosjes së demokracisë në partinë e tij, pasi gjeti një mjedis më liberal të lënë nga Nano. Për këtë arsye, lista e Ramës kryesohet ne çdo qark nga njerëz që janë tërësisht nën kontrollin e tij. Ndryshimi i ligjit zgjedhor dhe futja e sistemit të listave, të cilat përcaktohen ekskluzivisht nga kryetarët e partive, kanë bërë që fryma e sundimit të kryetarëve në parti të jetë edhe më mbytëse ndaj demokracisë. Kjo ka bërë që të gjithë të vihen në rresht, pa guxuar dot të flasin kundër mendimit të kryetarit; të vihen në garë kush të jetë më servili dhe kush të qëndrojë më afër kryetarit. Sepse kush nuk e bën këtë e pëson, siç e pësuan disa figura, sa majtas aq edhe djathtas. Dhe Arben Malaj është njëri prej tyre. Pikërisht për këto arsye Arben Malaj duhet të fitojë si i pavarur.
Malaj duhet të fitojë për të treguar se deputet nuk mund të bëhesh vetëm nëse të fut emrin në listë Berisha, Rama apo Meta, por bëhesh kur të voton populli. Malaj duhet të fitoje sepse ai do të jetë deputeti i vetëm që është votuar drejtpërdrejt nga populli dhe do të jetë një shembull për të frymëzuar pak demokraci dhe liri brenda partive politike. Ne nuk duhet të presim që Malaj do të revolucionarizojë dhe demokratizojë politikën shqiptare, por nëse fiton do të jetë një pikë referimi për ata që detyrohen qe para kamerave të lexojnë deklarata të shkruara nga stafi i kryetarit.