E pashë pas katër vitesh
Nga Elidon Dodaj
Të dielën pasdite nëpër lagje po dëgjoja zhurma, jo shpesh herë dëgjon të tilla, ndodh gjatë verës kur fëmijët janë në pushime apo vetëm kur ka ndonjë dasmë dhe fëmijët gumëzhijnë pas lojërave të muzikës dhe të zhurmave të makinës. Nuk më ka rënë rasti të dëgjoj zhurma që të ngrihen ndonjëherë për të thërritur për mungesën e dritave e ujin, që as nuk u intereson edhe pse janë elementët më të rëndësishme ndërsa për gjëra të tjera jemi të parët. Në fakt e gjithë kjo zhurmë bëhej se në lagje do na vizitonte deputeti i zonës, të cilin për herë të parë e njoha pikërisht në Majin e 2009 në fillimet e fushatës elektorale të atij viti. Aso kohe ishte një zotëri tipik, që sapo kishte lënë zyrën dhe ishte emëruar në listën e deputetëve famëmëdhenj. Dhe nga ajo ditë deputetin e zonës sime nuk e pashë më të na vizitonte, siç bëri atë muaj ditë për ditë në atë fushatë të 2009-ës duke na premtuar çdo të mirë që në realitet as nuk e di nëqoftëse u realizuan apo jo, por së paku këtu ku jetoj unë asgjë. Përpos një shkollë edhe ajo si një burg apo si shkollë edukimi!
Tashmë deputeti i zonës, nuk vinte më si ai zotëria i zyrës, por si një figurë tërësisht i plotësuar madje, madje shumë i zoti në artikulim. Më kujtohet se atë herë kur e prezantuan për herë të parë, edhe pse ekspert i disa fushave shpesh gabohej në artikulimin e tij. Madje si pjesë e një grup të rinjsh që ishim aktivizuar atë vit pranë shtabit elektoral qeshnim sepse thonim me vete ky do të na drejtojnë zonën tonë(?). Jo vetëm kaq, por zotëria në pak ditë arriti të marrë frena ministrie e të mos e lëshoj atë deri sot sikur ta kishte zaptuar atë duke thënë: KJO ËSHTË TOKA IMË! E ndërsa prezantonte një tjetër kandidat që kësaj here së bashku me të kërkojnë votat e zonës sonë, na thurte lavde e merita (gjë të cilën na takon neve si votues tua themi) për punët e bëra në zonën tonë. Në një moment një i dehur (për mua jo edhe aq) u ngrit dhe me burrëri u drejtohet panelit: Ku ishin këto rrugët, spitalet, shkollat, etj. që keni ndërtuar? Në fakt paniku e kapi shpejt deputetin tonë, saqë kërkoj që personi të largohet nga salla ku po zhvillohej ky takim elektoral. Më erdhi të ngrihesha e ti përshpërisja në vesh, këtij zotërisë deputet, se disa gjëra edhe kur je i dehur i thua të vërteta, por gjej përgjigjen për zotërinë. Por, mendova se edhe mua do më kapnin për krahu e të më përcillnin siç bënë më tjetrin.
Nuk la këngë e lëvdatë pa thurur për zonën tonë, thua të ishte ajo nusja e bukur, një zonë që po nxjerr flori, apo se krejtësisht burimet natyrore kanë mbetur këtu. Jo aspak! Në fakt është një zonë krejtësisht mjerane, pak kilometra larg qendrës së kryeqytetit një periferi e përhirtë, e mykosur, plot ndërtesa të reja që dritat ditë e natë i lënë ndezur 24 orë dhe me ujin e pishën ujisin kopshtet dhe oborret e vogla që i rrethojnë shtëpitë e tyre. Si është e mundur, që ky ministërdeputet, nuk erdhi të na takoj për katër vite rresht asnjëherë ashtu siç bëri katër vite më parë rrugicë për rrugicë duke na premtuar se asfalti do të na vinte deri tek dyert e shtëpisë, gjelbërimi do të ishte në mënyrë maksimale, koshat e mbeturinave kudo nëpër lagje, ndriçimi i rrugëve i plotë… apo thjeshtë katër vite më parë kështu ia kishin mësuar të thonit e diktimi që i kishin bërë kishte qenë i dobët. Jo, jo këta që sapo thashë i tha edhe kësaj here. Kësaj here me betimin e një burri të fortë, të fryrë nga katër vite si ministër, të dhjamosur, kësaj here do ta mbante fjalën, e do ta bëjë zonën një komunitet ku të gjithë të ndjehen mirë. Shpresojmë, pse jo të mendojmë më të mirën e ndoshta bëhet edhe kjo! Ku i dihet, si i thonë asaj fjalës gjithmonë ka një herë të parë!!!
Këto fjalët e bukura, spaskan të mbaruar, e sërish populli (ne) vijojmë po me të njëjtin ush; jepi, se diçka do të dal, n.q.s nuk doli, pse mos po i prishet punë dikujt? Ndërsa dilnim nga salla dikush mu drejtua mua me inat duke më thënë: Pse nuk u ngrite të bësh ndonjë pyetje? Përgjigja ime ishte e thjeshte, – e kush më pyet mua për atë pyetje që do bëja! Thjeshtë nga pyetja ime do të kalonin në përgjigjet me lëvdata e si të tilla do më bindin se kisha bërë pyetjen më të bukur që kurrë më parë nuk kishte pasur mundësinë e një përgjigje.
Rruga ka nisur, uroj kësaj here deputeti ynë, që premton se do të jetë i yni, të nis me më të voglën, të falënderoj votuesit e tij qofshin pro apo kundër tij, sepse as këtë gjë nuk e beri për katër vite që la pas. Pastaj të na ndërtoj këto rrugët, pse jo edhe ndonjë pemë e meritojmë, për ta mbajtur të pastër edhe ndonjë kosh mbeturinash po të na i vërë do jetë mrekulli se do të tregojmë qytetarinë tonë. Dhe nëqoftëse i bën këto, atëherë eja e kërko sërish votën tonë me bindje të plotë se secili do të jetë i gatshëm të vij atë të diel për ta hedhur votën në kutinë e votimit.