E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mendimi teorik i ministrit Bumçi

Elsa Demo

Ministri Aldo Bumçi raportoi dje punët e mira që ka bërë gjatë 2011-ës ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve administruar kryesisht prej Ferdinand Xhaferajt e më pak prej tij. E megjithatë ministri nuk e prishi gojën. Ndryshe nga paraardhësi, Bumçi nuk sugjestionohet ashiqare nga deklaratat e veta publike, as duket i epur pas ndonjë mbledhje qeverie ku ministrit të Kulturës i është kërkuar të bëjë popullin të qeshë e të ngrejë një Teatër Komedie. Ka humor stabël. Nuk lë shteg për objektiva evazive që mendon ti përmbushë gjatë vitit 2012. Pohon se është e mirë ajo që do të bëjë ai dhe e di mënyrën si.

Arritjet

Ministri raportoi arritjet e 2011-ës në kah orar. Nga Turizmi te Sportet.

Në nëntë panaire ndërkombëtare turistike ka marrë pjesë Shqipëria; ka pritur 4 milionë e 100 mijë vizitorë dhe ka nënshkruar marrëveshje për turizmin me Kinën, Katarin, Vatikanin dhe Rusinë.

Vazhdoi Zhvillim i qëndrueshëm dhe integral i qendrave të trashëgimisë historike, projekt i financuar nga Komisioni Evropian, për rehabilitimin e siteve historike të Shkodrës, Elbasanit, Korçës, Beratit. U rihap Muzeu Arkeologjik në Apoloni pas 20 vitesh, dhe rijetëzimi i kalasë së Lezhës dhe Ndroqit është mbështetur plotësisht nga sipërmarrës privatë.

Të gjithë këto investime gjenerojnë të ardhura për turizmin thotë ministri.

Hartimi i Planit Kombëtar i Veprimit për luftën kudër trafikimit të veprave të artit që ndodhet për miratim në Këshillin e Ministrave, është arritja e re e rëndësishme për të cilën ministri e fton publikun ta përshëndesë.

Arti dhe kultura, portokalli me zemberek i ministrisë, ka arritur të shpalosë (gjuha panegjirike e përvjetorit të pavarësisë e do në këtë moment që shkaba me krahët hapur, të lërë flamurin e të ngrihet fluturim) vlera kombëtare. E tillë është Teatri i Komedisë, thotë ministri.

Po ti kthehemi ditëve të ftohta të dhjetorit, kur inaugurohej Teatri Kombëtar i Komedisë, – që për fondet publike është një vrimë e zezë e vogël për pare të madhe. Salla ishte e ngrohtë saqë e dërguara e kryeministrit, Jozefina Topalli, e hoqi pallton (nuk është e këshillueshme të hiqen palltot në teatrot tona). Truprojat e saj ruanin në këmbë, tre metër larg skenës, me celular në përdorim duke përfituar nga zhurmat që vinin prej shfaqjes. Drejtori i TKK (e fitoi postin në konkurs me dy konkurrentë) duke mos gjetur fjalët në shqip që të përshkruante veprën e kryeministrit të Shqipërisë sonë të dashur, e quajti Teatrin e Komedisë një hap drejt pluralizmit kulturor dhe brainchild-in e Sali Berishës. Ja një foshnjëri rrogëtarësh, që i pëlqen që arti dhe kultura të vijnë e të orientohen nga pushteti politik.

Në ditët pas premierave spektatori mpreh gozhdë. E pikërisht arritje në fushën e artit dhe kulturës Bumçi quan përmirësimin e infrastrukturës së institucioneve, Teatri i Kukullave, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, Galerisë së Arteve dhe Teatrit Kombëtar.

Kur të vijë dita që në Shqipëri publiku të protestojë poshtë dritares së ministrit kundër dimrit në sallat e teatrove, nuk do të flitet më për fëmijë që pjell nga koka kryeministri ynë si Zeusi Athinanë.

Përmenden nga goja e ministrit si fakte për tu shënuar ato punët e zyrës së përkujtimoreve në MTKRS e cila është e aftë që 100 vjet të Marie Krajës apo Migjenit, ti bëjë të zgjasin një moment, sa një regjistrim lindjeje apo vdekjeje.

Sa për fondin 16 milionësh për të rinjtë, në TOB apo në Teatrin për Fëmijë, efiçenca e tij është aq jetëshkurtër saç e tregoi festivali i teatrit për të rinj, që në mungesë të sallës (dhënë Teatrit të Komedisë) u mbajt në kushtet e cirkut shëtitës.

Është lajm i mirë për të gjithë, thotë ministri, nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit mes Qeverisë Shqiptare dhe Komisionit Evropian për programin për kulturën të BE-së, Kultura 2007-2013. Të gjitha institucionet kulturore shqiptare do të mund të aplikojnë për fonde të BE-së me projekte në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.

Për librin dhe bibliotekat, po nënkuptohet që ministria paska orientim për të mbështetur disa lloj botimesh në kuadër të dënimeve të krimeve të komunizmit. Bumçi përmend financimin e veprave studimore Masakra e Tivarit e Uran Butkës, Rrugët e ferrit të çarë e Visar Zhitit, dhe Gjysëm shekulli genocid në Shqipëri nga studiuesi Tomor Aliko, që kanë të bëjnë me studimin saç ka të bëjë ministri me aktrimin. Ai edhe pjesëmarrjen e një grupi shkrimtarësh dhe botuesish shqiptarë në Panairin Ndërkombëtar të Librit Lajpcig, më i madh në botë për shkrimtarët e numëron për të larë duart nga ndotja që ministrat në këtë post i kanë bërë librit, sa nga injoranca aq edhe nga qejfi që bëhet me paranë publike.

Rinia nuk ekziston e mbuluar si fushë veprimi e politikave të MTKRS. Për këtë të paktën ky ministër është shprehur hapur: ka kush mendon për rininë, ministria e Arsimit, Integrimit…

Mbyllet bilanci i arritjeve 2011 me Sportin. Mbështetja e aktiviteteve kualifikuese për Lojërat Olimpike Londër 2012 dhe e pjesëmarrjes me ekipin olimpik më të madh ndonjëherë me rreth 14 kandidatura; përsosja më tej (kanë qenë një herë të përsosura) e infrastrukturës sportive në stadiumin e Korçës (1 200 000 euro), në Pallatin e Sportit në Bajram Curri (90 000 000 lekë), në Stadiumin e Beratit (50 000 000 lekë).

Arritje quhen organizimi i Kampionatit Botëror i Vrapimit Malor, Kampionatit Botëror i Mundjes për Veteranë.

Në arritje

Edhe objektivat e 2012-ës raportohen në kah orar nga Turizmi te Sportet. Objektiva të qarta, gjysma e punës.

Ligji i ri Për Turizmin lehtëson investimet në këtë fushë. Pa këto investime nuk ka turizëm me standard. Kemi nevojë për hotele me shumë yje, për resorts-e, thotë ministri. Ligji i ri ndihmon zhvillim të planifikuar dhe partneritet me sektorin privat. Gjatë këtij viti fillon hartimi i planit kombëtar për zhvillimin e turizmit, përcaktimi i zonave me përparësi, çka do të rrisë vlerën e tokës në gjithë bregdetin shqiptar.

Trashëgimia kulturore është e lidhur ngushtë me zhvillimin ekonomik. Ajo është burim për shtimin e ofertave turistike. Prandaj muze, muze, më shumë muze.

Po ky ministër që (me të drejtë) e konstatoi inekzistent rrjetin muzeal të Shqipërisë, sot thotë kemi nevojë të rrisim ndjeshëm numrin e muzeve për qëllime edukative si tempuj të historisë dhe kujtesës kombëtare dhe si burime të rëndësishme turistike që gjenerojnë të ardhura dhe rrisin kohën e qëndrimit të turistëve në zonë.

Në listën e muzeve që do të përsosen më tej janë Muzeu Arkeologjik i Durrësit, i Pavarësisë në Vlorë, dhe të rinj, Muzeu i Genocidit Komunist në Shkodër, Hapja e Pavijonit Etnografik në Muzeun Historik Kombëtar, Muzeu Arkeologjik në Elbasan, Muzeu Etnografik në Durrës, Muze në Kalanë e Gjirokastrës, Muze në tunelin e Porto Palermos. Dhe një muze me veprat e piktorit të famshëm botëror Lin Delia që ministria dëshiron ti sjellë nga Italia. Ekspozita e parë e plotë e Delisë dy vjet përpara në Muzeun Historik Kombëtar, e tregoi Delinë me shtatin e tij real pa shpatullat që i ngjit ministri.

Vazhdon rijetëzimi i monumenteve të kulturës gjatë 2012-ës. Politika e mirë e do që ti besohet sektorit privat në shembullin e nismave që janë marrë në kalatë e Lezhës e të Ndroqit. Kësisoj ministri mendon që rritet niveli i mbrojtjes së monumenteve dhe ato kthehen në destinacione turistike duke gjeneruar të ardhura për komunitetet ku ndodhen. Këto janë lajme të mrekullueshme që vijnë nga se

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›