Kulla e Gërvallajve do të bëhet muze
Gurthemelin e kësaj kulle e ka vënë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Memli Krasniqi, së bashku me kryetarin e Deçanit, Rasim Selmanaj, ceremoni kjo në të cilën kanë marrë pjesë familjarë dhe miq të shumtë të familjes Gërvalla.
Në kompleksin memorial të Gërvallajve kanë bërë homazhe dhe kanë vënë kurora lulesh delegacione të presidencës së Kosovës, MKRS-së, komunave të Dukagjinit, si dhe qytetarë nga shumë komuna të Kosovës.
Përpos vënies së këtij gurthemeli, MKRS-ja ka vendosur që të bëjë edhe restaurimin e shtëpisë së vjetër të Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, ku së bashku me shtëpinë e tyre dhe kompleksin memorial, do të shndërrohen në kompleks historik.
“Ky objekt i kullës muze, i cili ka një rëndësi të jashtëzakonshme historike, do të shoqërohet edhe me restaurimin dhe konservimin e shtëpisë së vjetër të kësaj familjeje, kurse të dyja këto do të përbejnë një kompleks të rëndësishëm historik”, tha ministri Krasniqi.
Sipas tij, për ndërtimin e saj do të përkujdesën ekspertë të dalluar të kësaj lëmie, kurse punimet do të kryhen në një afat sa më të shkurtër të mundshëm.
“Ne si institucione të Republikës së Kosovës kemi dashtë të kryejmë një obligim ndaj veprës së tyre madhore, prandaj kemi nisur në këtë ditë të shënuar ndërtimin e Kullës së Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës, në mënyrë që të kemi në fshatin Dubovik edhe një vend tjetër ku gjeneratat e ardhshme të kenë mundësi të mësojnë më shumë për jetën dhe veprat e tyre”, theksoi ministri Krasniqi.
Ndërsa kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, ndërtimin e këtij kompleksi duke e vlerësuar të një rëndësie të veçantë për Deçanin dhe tërë Kosovën, tha se kjo që sot po bëhet është shumë pak për vëllezërit Gërvalla, kur dihet vepra e tyre e madhe për Kosovën.
Krahas ndërtimit të kompleksit memorial të Gërvallajve, kryetari Selmanaj premtoi se do të investohet edhe në realizimin e infrastrukturës në këtë kompleks, i cili do të jetë një pikë e rëndësishme historike e Kosovës.
Ndërsa bashkëshortja e heroit Jusuf Gërvalla, Suzana Gërvalla, duke falënderuar MKRS-në për, siç tha ajo, përgjigjen pozitive për të jetësuar idenë e saj, ndërtimin e kullës muze, tha se shpreson që edhe shtëpia e nënës Ajshe do të restaurohet së shpejti dhe se të gjitha këto të përbejnë një kompleks të bukur.