E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kujtim të Skënderbeut

Të martën u shënua përvjetori i 544 i vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Qyteti i Krujës të martën organizoi aktivitete të shumta, megjithëse të tilla aktivitete u zhvilluar edhe në shumë qytete të tjera shqiptare, për nder të heroit tonë kombëtar. Natyrisht, nuk munguan as homazhet para varrit të Gjergj Kastriotit, i cili ndodhet në qytetin e Lezhës.

Në kontekstin e shënimit të 544-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, Aleanca Kuq e Zi organizoi në Kalanë e Krujës një aktivitet në shenj kujtimi të vdekjes së heroit kombëtar. Sipas Aleancës, i pranishëm në këtë përkujtim ishte edhe pinjolli i familjes së Gjergj Kastriotit, Flavio Misasi. Gjithashtu, Aleanca shfrytëzoi këtë rast edhe për shpalosjen e programit të saj “Shqipëria Bëhet”.

Paralelisht, në kinemanë Imperial, në Tiranë, u shfaq premiera e filmit të parë dokumentar që i kushtohet heroit. Dokumentari është bërë me regji të Vladimir Priftit dhe u shfaq me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe në 544-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut.

Paraprakisht Prifti deklaroi se fakti që për Skënderbeun ka dokumente të shumta arkivore aq sa e ka ndihmuar, poaq edhe ia ka bërë të vështirë punën e përzgjedhjes. Sipas Priftit, filmi i mbeti besnik fakteve historike, megjithëse ka një këndvështrim të ri. Pjesë e strukturës së rrëfimit të Priftit janë edhe historianë të njohur, të cilët argumentojnë dokumente dhe fakte nga jeta e vepra e Skënderbeut.

Nga ana tjetër, me rastin e hapjes së kalendarit të kremtimeve të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, një fjalë përshëndetëse e mbajti edhe kryeministri Berisha, përderisa ka vlerësuar lart edhe figurën e Skënderbeut, duke u shprehur se shqiptarët ia detyrojnë atij ekzistencën, prandaj ai do të nderohet dhe vlerësohet gjithmonë.

“Ne po mblidhemi sot, në ditën kur heroi ynë kombëtar mbylli sytë. Kombet prijësve të tyre iu detyrohen për shumëçka, kurse shqiptarët i detyrohen Skënderbeut për ekzistencën e tyre, por edhe për frymëzimin për një dinjitet dhe të ardhme”, theksoi, mes tjerash, Berisha.

E, Gjergj Kastrioti është kujtuar të martën edhe nga arbëreshët e Vulturës. Sipas AlbaniaNews, shoqata “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, e drejtuar nga profesori Donato Mazzeo, dhe në bashkëpunim me autoritetet lokale ka organizuar një aktivitet përkujtimor. I pranishëm në takimin që mblodhi shumë përfaqësues eminentë të arbëreshëve në Itali ishte edhe Giorgio Maria Castriota Skanderbeg, pasues i familjes nga rrënja e Napolit.

“Privilegjet familjare nuk janë asgjë krahasuar me një privilegj të vetëm: të përfaqësosh në ditët e sotme një burrë krenar, të pathyeshëm, të ndershëm, të njohur në Shqipëri dhe Evropë. Nuk do të krahasohemi asnjëherë me heroin, por mund të tentojmë që të jemi ambasadorë të denjë në Itali, Shqipëri dhe Evropë”, theksoi ai.

Ndryshe, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u lind më 6 maj 1405, dhe vdiq më 17 janar 1468. Ai personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve, e cila edhe mori emrin e tij: periudha e luftës mëse njëshekullore të shqiptarëve kundër pushtimit osman – e cila gjati nga fundi i shekullit të XIV deri në fillimin e shekullit të XVI.

Nën udhëheqjen e Skënderbeut lufta e shqiptarëve u ngrit në një nivel më të lartë dhe më të organizuar, gjë që shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të shqiptarëve dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare të tyre.

Bashkimi shpirtëror i gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënoi fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shekullit të XV, por edhe të gjithë veprës së Skënderbeut.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›