E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mendon edhe për Botëror

Sulmuesi kosovar, i cili mbron ngjyrat e përfaqësueses së Zvicrës, Albert Bunjaku, nuk e sheh si problem konkurrencën e fortë që e ka për ta zënë një vend në reprezentacionin zviceran për kampionatin botëror ‘Afrika e Jugut 2010”.

Sulmuesi i Nurnbergut tash e tre muaj po mundohet ta bind selektorin e reprezentacionit zviceran, Ottmar Hitzfeld, që ta përfshijë në ekip për Kampionatin botëror.

“Ju nuk mund të ankoheni kur keni konkurrencë me sulmues të mirë, sepse kjo ju shtyn të jepni më të mirën nga vetja. Unë jam i koncentruar të luaj mirë me Nurnbergun, sepse dëshirojmë të mbesin në Bundesligë. Kjo është çështja që më preokupon për momentin dhe më pas do të presim e të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka theksuar Bunjaku.

Pavarësisht obligimeve ndaj Nurnbergut, Bunjaku ka filluar të ëndërrojë se çfarë Zvicra mund të arrijë në Afrikën e Jugut, ku në Grupin H do të përballet me Kilin, Spanjën dhe Hondurasin.

“Çdo futbollist që shkon në Kampionatin botëror dëshiron të mbetet atje sa më gjatë që është e mundur. Ne shpresojmë ta zëmë njërin prej dy pozitave të para në fazën e grupeve dhe të kualifikohemi në rrethin e dytë. Por, duhet të bëjmë diçka të veçantë për ta ndal Spanjën për vend të parë”, ka deklaruar Bunjaku.

Bunjaku në bankinë ndaj Herthas?

Sulmuesi kosovar, Albert Bunjaku mund të mos luajë si titullar në ndeshjen e radhës që skuadra e tij, Nurnberg, do ta zhvillojë të shtunën si mysafire e Herthas, edhe pse 26 vjeçari aktualisht është golashënuesi më i mirë i ekipit të tij, me 11 gola të shënuara në këtë edicion.

Bashkëlojtari i tij Choupo-Moting shpërtheu në ndeshjen e fundit të Nurnbergut, pasi i realizoi dy gola në fitoren 3:2 ndaj Bayern Leverkusenit. Andaj, mediet gjermane thonë se Choupo-Moting, sipas të gjitha gjasave, do të luajë si titullar në duel me Herthan.

Megjithatë, Bunjaku nuk brengoset edhe nëse mbetet në bankinë të shtunën. “Për mua nuk është e rëndësishme se kush luan. E rëndësishme është që ekipi të fitojë në Berlin dhe të mbesim kështu në Bundesligë”, ka thënë Bunjaku.

Kurse konkurrenti i tij, Choupo-Moting preferon të luajë tandem me sulmuesin kosovar në vijën e sulmit të Nurnbergut.

“Me Albertin dhe njëmbëdhjetë golat e tij ne jemi edhe më të fortë”, ka theksuar Choupo-Moting.

Ndërsa kryetrajneri i Nurnbergut, Dieter Hecking, ka thënë se ende nuk ka vendosur se a do të luajë Bunjaku apo Choupo-Moting si titullar ndaj Herthas.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›