Inter, tension ndërmjet Zhoze Murinjos e Balotelit
Mario Baloteli dhe Zhoze Murinjo vazhdojnë të kenë një marrëdhënie shumë të tensionuar. Të martën, trajneri portugez dhe sulmuesi kanë debatuar ashpër në dhomat e zhveshjes. Gjithçka ka ndodhur pas stërvitjes së paradites, ku edhe aty drejtuesi i stolit të Interit i kishte tërhequr vazhdimisht vëmendjen lojtarit, për shkak të impenjimit të paktë që po tregonte në fushë. Bashkëjetesa e vështirë ndërmjet teknikut zikaltër dhe “SuperMarios” po shndërrohet në një telenovelë dhe ajo të kujton shumë çështjen “Adriano”. Kjo për faktin se në momentin kur problemet shfaqen në media, klubi del menjëherë në mbrojtje të Balotelit. Lojtari nuk do të jetë i grumbulluar për sfidën kundër Katanias, por sipas burimeve zyrtare të Interit, ai ka probleme me gjurin (ndërsa më parë ishte diskutuar për virozë gripale) dhe mungesa nuk lidhet me debatin me trajnerin. E njëjta gjë kishte ndodhur me Adrianon, kur braziliani paraqitej i dehur në stërvitje, ndërsa klubi e dërgonte në shtëpi me justifikimin se sulmuesi kishte probleme fizike dhe nuk mund të stërvitej.
#