E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mendon për rekordin e shtatë

Të jesh gjashtë herë rekordmen botëror brenda librit të rekordeve Guinness, për artistin shqiptar Saimir Strati është një kënaqësi e madhe. Rekordin e fundit Strati ua dedikon popujve që i kanë qëndruar pranë Shqipërisë gjatë 99 viteve pavarësi si dhe gjithë atyre shteteve që sot po e njohin pavarësinë e Kosovës. Rekordin e radhës ndoshta Strati mund ta realizojë në Kosovë.

Gjashtë rekorde Guinness i ka futur në xhep. Tani po mendon për të shtatin. Artisti shqiptar, i njohur tashmë në tërë botën, Saimir Strati ndihet i gëzuar që arriti të shënojë edhe një rekord botëror. Në fillim të javës ai u fut për të gjashtën herë në librin e rekordeve Guinness me mozaikun më të madh në botë të bërë me kokrra kafeje. Ai thotë për Express se të jesh gjashtë herë rekordmen botëror brenda librit të rekordeve Guinness është vërtet një kënaqësi e madhe.

“Ndihem mirë, sepse për rekordin e fundit zgjodha një temë e cila më është dukur gjithmonë interesante. Të gjithë popujt si një familje, dhe vepra do të titullohej ‘Një botë, një familje, një kafe’, që do të thotë më shumë dashuri, më shumë unitet, më shumë mirënjohje”, u shpreh Strati.

Ai tregoi se rekordin e fundit ua dedikon me mirënjohje të gjithë atyre popujve në të pestë kontinentet, të cilët i kanë qëndruar pranë Shqipërisë në këto 99 vjet pavarësi, si dhe të gjithë atyre shteteve anembanë botës, që po e njohin sot pavarësinë e Kosovës.

Strati ndihet krenar që ka arritur ta fusë Shqipërinë, gjashtë herë më radhë, në librin e rekordeve, sidomos në kategorinë e artit.

“Marrja e certifikatës së gjashtë Guinness më bën të jem krenar për faktin se të gjashtë rekordet janë realizuar në Shqipëri nga një shqiptar dhe janë të përfshira në kategorinë ART”, theksoi artisti Strati.

Në krijimtarinë e tij artistike, Strati është përpjekur të krijojë individualitetin e tij artistik, kjo edhe për faktin se ka përdorur vazhdimisht materiale të thjeshta për t’i kthyer ato në vepra arti. Në studion e tij janë të shumta materialet dhe eksperimentet me to.

Strati është duke menduar për mozaikun e radhës, me të cilin do të synojë të futet për të shtatën herë në Guinness, mirëpo ende nuk e ka përzgjedhur materialin me të cilin do ta punojë mozaikun. “Për momentin nuk e kam përzgjedhur ende materialin me të cilin do ta realizoj rekordin e radhës”, tha Strati.

Ai zbuloi për Express edhe një dëshirë të tij të kamotshme. Realizimin e një mozaiku, me të cilin do të futej edhe një herë në librin e rekordeve Guinness, Strati tha se do ta bënte me shumë kënaqësi në Kosovë. Për këtë atij mjafton t’i bëhet një ftesë.

“Do ta mirëprisja me shumë kënaqësi ftesën për të realizuar një rekord Guinness në Kosovë. Kjo ka qenë për mua një dëshirë e kahershme”, tha Strati.

E për ta futur Kosovën në Guinness si dhe për ta bërë vendin tonë lajm të mirë për mediet botërore, mjafton që ndonjë nga institucionet tona t’ia bëjë një ftesë rekordmenit të gjashtëfishtë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›