E Diel, 1 Nëntor 2026

Mentor Haziri:Filmi, kënaqësi e madhe, fansat do njohin edhe aktrimin tim

SHKRUAN: Ilda Lumani 10-09-2011 13:25

Duket se fati qëndron mbi kokën e tij… Është i vetmi këngëtar që ka arritur të prezantojë dy këngë një pas një, në kanalin më të madh muzikor, MTV. I pari, një këngë me grupin e tij “Kthjellu” dhe kënga e dytë, “Ëngjëj” e lançuar këtë verë. E sikur të mos mjaftonte kjo, Mentor Haziri po na surprizon nga dita në ditë. Ka marrë tashmë në dorë një projekt kinematografik për në Hollivud. Miqësia e tij me aktorin dhe producentin Nickola Shreli, i solli pikërisht këtë ofertë, të cilën e pranoi pa mëdyshje. E të mos mjaftojë kjo, ai do të ketë edhe rolin e protagonistit në filmin “Landlord”, xhirimet e të cilit nisin këtë fund vjeshte në Detroit.

Mentor, do të jeni pjesë e një projekti të madh kinematografik në Hollivud. Mund të na tregoni diçka më tej rreth këtij projekti?

Faleminderit Ilda. Gjithmonë afër karierrës sime artistike është edhe ky film. Filmi në fjalë është një projekt i pavarur i aktorit tashmë të mirënjohur ndërkombëtarisht, shqiptaro-amerikanit, Nickola Shreli, i cili këtë vit është në role kyçe në filmat më të mëdhenj të vjeshtës si: “Abduction”, “Hostel”, etj. Projekti në fjalë ka të bëjë me një skenar të shkruar nga vetë Nickola dhe quhet ‘Landlord’ dhe do të xhirohet në Detroit!

Nga ju erdhi ftesa? Si u bëtë pjesë e tij?

Ftesa më erdhi nga vetë Nicku, të cilin unë e kam mik prej shumë kohësh. Jemi njohur që nga 2007 dhe kemi pasur një projekt tjetër për të realizuar, por që u finalizua me ‘Landlord’, dhe unë do kem një rol kyç në këtë film.

Mesa di, ju jeni marrë edhe fëmijë me aktrim, apo jo? Po riktheheni tek një pasion i vjetër?

Si duket po. Unë gjithmonë kam dashur aktrimin dhe në shkollë sa kam qenë, vazhdimisht jam marrë me teatër. Po kthehem tek e shkuara, si duket (qesh).

Kur do të nisin xhirimet e filmit? Dhe sa i kushtueshëm është filmi?

Xhirimet do fillojnë këtë dimër, nga nëntori dhe se lokacionet janë në Detroit, kurse po ta llogarisësh, është film i kushtueshëm, fillimi është 3 milion e tutje.

Cilat janë shpresat tuaja pas këtij projekti? Do të synoni seriozisht Hollivudin? Çdo ndodhë me muzikën?

Unë do mundohem të bëj një bashkërendim mes muzikës dhe aktrimit. Muzikën e kam në shpirt dhe nuk do ta lë në asnjë mënyrë, sepse do i zhgënjej fansat e mi. Po edhe angazhimi në film është një risi në vetvete, që fansat të shohin edhe anën tjetër time si aktor. Nëse do të kishit mundësi të zgjidhnit mes dy famave ndërkombëtare si këngëtar a aktor, kë do të preferonit?

Më zure shummmmmë ngushtë, Ilda. Nuk di çfarë të them (qesh).

Ka qenë një kohë e artë për ju, Mentor. MTV me grupin, tani vetëm, dhe ja edhe Hollivudi. Ndiheni i përkëdhelur nga këto gjëra? Kujt ia dedikoni gjithë këtë fat?

Punës dhe angazhimeve që bëj në vazhdimësi! Nuk është se kanë pikuar nga qielli këto suksese po ka qenë rezultat i tratativave dhe punës sime të pandalur!

Kënga “Ëngjëll” është bërë popullore tashmë. Ja arritët synimit tuaj me të?

Që në momentin që u lançua, e kam ditur që do jetë një hit dhe falenderoj mikun Florin për bashkëpunimin, ku ju ftoj të prisni edhe në vazhdim këngë nga unë dhe Flori.

Si ka qenë kjo verë për ju?

Vera përgjithësisht e mirë, edhe pse nuk preferoja shumë të këndoj në vazhdimësi, doja pak të takoja miqtë dhe udhëtime bregdetare.

Familja juaj si reagon ndaj sukseseve tuaja?

Ata gjithmonë janë krenar dhe të lumtur me arritjet e mia. I falenderoj për përkrahjen e vazhdueshme.

Je ndër personazhet që jetën personale e ke mbajtur diskrete, të paktën ende publikisht nuk kemi parë një të dashur tënden… Kjo sepse nuk keni pasur asnjëherë një lidhje serioze, apo, sepse të qenurit vetëm, ju bën më të suksesshëm dhe më të pëlqyer, le të themi, në sytë e fanseve femra?

Unë ende jam single, kështu që ‘vasha come onn’ (qesh). Ndoshta ky kombinim i të qenit single dhe mos me u pengu nga e dashura është suksesi si zëvendësim!!! Nuk e di.

Jeni natyrë mjaft sportive. Me cilin prej sporteve jeni më tepër i afeksionuar?

Unë me sport merrem që nga fëmijëria, Basketboll, Ping pong, Snowboard, etj.

Keni pasur ftesa për koncerte këtë verë?

Kisha, sidomos në vendin tim, ku jetoj në Ferizaj dhe gjithandej, po nuk kam frekuentuar shpesh.

Në Tiranë nuk jeni më present si dikur në jetën e natës me grupin “Kthjellu”. Përse?

Sepse shumë nga organizatorët mendojnë të sjellin “Kthjellu” me një çmim qesharak dhe kjo është arsyeja, duhet të mendohen që të vlerësojnë muzikën që luhet ‘live’. Mundi duhet të paguhet. Thjesht është shkatërruar tregu i bandave në Tiranë.

Grupi “Kthjellu”, do të vazhdojë ekzistencën?

Patjetër, por që aktualisht po merrem me karierrën time personale, domethënë duhet t’i kushtohem vetes më shumë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›