E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha flet, Bode luan poker

Ja loja e preferuar e ministrit të Financave, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së

Kthimi nga pushimet dhe rifillimi i aktivitetit të zakonshëm shoqërohet gjithmonë me përtesë, gati-gati dembelizëm tek çdo kush. Kështu që, ka qenë mëse e kuptueshme edhe kjo sjellje e ministrit të Financave, Ridvan Bode. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, këtë fillim javë, Bode është shfaqur në formë të plotë. I relaksuar dhe me rrezet e nevojshme pas një vere tejet të gjatë, ai ka mbërritur në godinën e kryesisë së Kuvendit . Pak pasi është rehatuar dhe ka bërë ndonjë humor me kolegët e miqtë e tij, ja ka behur edhe kryeministri i vendit Sali Berisha. Qetësia ka mbizotëruar menjëherë në sallë. Fotot ekskluzive që ju sjellim në faqet “VIP” të Gazetës “Mapo”, dëshmojnë se ministri I Financave e ka pasur shumë të vështirë të shkëputet nga loja e pokerit në celularin e tij. Dhe kjo nuk është ndonjë hipotezë si në rastin e ndonjë kronike, ku mendohej se Berisha komunikonte me ambasadorin Arvizu. Këtu celulari është aq i dukshëm dhe loja e pokerit në ekranin e tij është kaq e vërtetë, sa nuk ka vend për hamendësime. Në një moment, Bode e ka pikasur zhurmën e aparatit fotografik, dhe është përpjekur ta fshehë telefonin e tij, por sigurisht pa e lënë në mes atë në asnjë mënyrë. Në fund të fundit, rinisja e aktivitetit vetëm me mënyra të tilla mund të cilësohet efektive.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›