Mënyra më tinzare komuniste për të përbaltur demokratët
I. Vija e demarkacionit të dallimit ndërmjet frymëzimit demokratik antikomunist dhe nostalgjikëve fanatikë mëkatarë është qëndrimi dhe pozicionimi i personave në kohën e ballafaqimit me forcat obskurantiste të Ramiz Alisë, në kohën e proceseve demokratike (1990). Kjo s’ka të bëjë me teserat e Partisë së Punës, që u dorëzuan, në formën e një sfide kolektive, nga të gjithë njerëzit e ndershëm, që nuk u përzien në spiunllëqet dhe keqbërjet e kohës së diktaturës. Ish-të përndjekurit politikë dhe familjet e tyre (se shumëkush nga ata vetë ishin ende burgjeve të diktaturës në lëngim), u rreshtuan kundër manovrimeve djallëzore të Ramizit, për të shpëtuar të shpëtueshmen (salvare il salvabile). Me legalizimin e P. Demokratike dhe me gazetën e parë të lirë në vendin tonë (“Rilindja Demokratike”), PD-ja u bë bastioni më i fuqishëm për t’iu kundërvënë trimërisht, ish-mëkatarëve, ish-sigurimsave të përlyer gjer në grykë me sadizmin e tyre, ish-të privilegjuarve që ia kishin dhuratë partie mirëqenien relative, falë poshtërsisë për të marrë më qafë njerëzit e pafajshëm.
Në këtë pjesë të fillimit të një epoke të re, u dukën disa kërcëllitje dhëmbësh nga Vullnetarët e Enverit dhe nga ata që prisnin kohën të formonin P. Komuniste. Por pasi u shkrumbuan dredhitë për të ruajtur emrin e diktatorit Enver Hoxha në Universitetin e Tiranës, pas rrëzimit të statujës së diktatorit në Tiranë - dhe, më tej, në të gjithë vendin, - të trimëruarit e pandreqshëm ranë squk. Ishte koha kur mëkatarët morën një pamje hipokrite të ëmbël, “u bënë” të përzemërt me fqinjët – të cilët i shihnin nga lart poshtë, për shkak të ofiqit, në sajë të të cilit bënin ligjin, madje filluan të flisnin edhe se diktatura kishte bërë edhe gabime. Disa flisnin edhe më drejt: kishte bërë krime!
Ishin kohë që, me përjashtim të të rinjve të sotëm, brezi i 25-vjeçarëve të kohës e me moshë më të madhe, i mbante mend mirë.
Më vonë, për shkak të një demokracie liberale, komunistët e pandreqshëm filluan ta marrin veten; mjaft prej atyre që kishin në kohën e diktaturës mundësitë e marrëdhënieve tregtare me jashtë, e konsoliduan gjendjen e tyre ekonomike, duke i ruajtur lidhjet në dobi të pasurimit vetjak, tanimë. Kështu doli ajo dukuri që u quajt “e pronarit të ri”, që iu vërsul pronës së ligjshme të qytetarëve. Këta lloj të pasuruarish iu përngjitën, natyrisht, PS-së dhe kontingjenteve të saj, që menduan se mund të shpëlanin gjynahet e tyre përmes një strehe të sigurt, siç ishte partia emërndërruar me siglën PS. Kështu PS-ja ka në gjirin e vetë ish-anëtarë partie, që mbetën atje për koherencë, për të mos u quajtur renegatë, për të mos prishur shoqërinë e dikurshme. Këta, që nuk mund të akuzohen si mëkatarë, në kuptimin e implikimit në krimit komunist, mund të bëhen baza e një partie e cila, qoftë edhe në opozitë, ka një dëshirë të sinqertë për t’iu bashkuar aspiratave auropianiste të Shqipërisë. Por pjesa për të cilën folëm në fillim, ithtarët e Edvin Ramës, ku nuk mungojnë ata që janë të etshëm për pjelljen e situatave anarkiste, provokatorë që gjendjen kaotike janë të thekur t’ua ngarkojnë demokratëve, këto kontingjente të asaj natyre që përmendëm, as duan t’ia dinë ç’thonë sot eksponentë të nderuar të BE-së, si Olli Rehni, Volgang Grosruku, Departamenti amerikan i Shtetit, Brukseli, OSBE/ODIHRi, për zgjedhje të lira, si kurrë ndonjëherë gjatë këtyre dy dhjetëvjeçarëve. Edi Rama kërkonte medoemos fitoren. Dhe, kur mendonte se atë e kishte pranë, plasi nga lavdet për zgjedhjet e 28 qershorit të këtij viti, i bindur se ajo fushata zgjedhore e tij në të gjitha skajet e vendit, që zgjati me vite e me shpenzime kolosale, e kishte bërë efektin e vet të leksioneve groteske që u jepeshin fshatarëve. Menjëherë, më tej, iu prish humori, pasi iu kthjelluan trutë se ambicia e tij për t’u bërë diktator në demokraci, (hem kryeministër, hem kryetar bashkie) ishte pranë kataklizmosë dhe premtimi se do të duhej të respektonte statutin e Partisë së tij për t’u dorëhequr në mënyrë të parevokueshme (neni 28 i këtij statuti), nëse dilte humbës, ia uli këmbët në tokë dhe e çoi në kufijtë e anormalitetit, pas asaj gjysmëçmendurie euforike, një gjendje kontradiktore kjo, që i bëri njerëzit më të logjikshëm në krye të PS-së ta gozhdonin me arsyetimin e tyre të shëndoshë se ai, dhe vetëm ai, ishte shkaktari i katastrofës. Ai s’mund të nxirrte bashkëfajtorë, me personalizimin që i bëri të tërë fushatës zgjedhore. Teoritë e tij të përçartura me “përtej së majtës dhe së djathtës, me politikën e re (me begraund të vjetër), me transparencën e mëtuar që e pamë sa false ishte në Kongresin e bunkerizuar dhe me fluturimet në bisht të fshesës, gjykimi i shëndoshë i kontestuesve të tij, ia la në grykë atij vetë, Edvinit, që t’ia pinte lëngun gafave të tij.
Tani po i shfaq ashiqare huqet e tij ekscentrike (jashtë binarëve): Bojkotimi i shpallur në mënyrë triumfale, pati një goditje të fortë, të drejtpërdrejtë, që kur u nis e vajti gjer në gjysmë të rrugës për në Fier për të eksituar më tej ithtarët fanatikë, të yshtur me flakëruesin në dorë nga lejtënanti i tij (kinse “i ri”), Gramoz Ruçi. Kush e ktheu? Një personalitet i faktorit ndërkombëtar. Tani po kërkon arsyen e mosarsyes që mosvajtja e socialistëve në Parlament të mos quhet bojkot! Por ai s’ka qenë kurrë dhe nuk mund të jetë as sot leksikograf, që t’u japë përcaktim termave!
Cili është ai, që jep urdhra të tillë? Si kryetar partie po quhet gjithandej mandatprerë. Si socialist, nuk është as deputet! Pra, meqë po flasim për terminologji, le të marrim hua ca nga neologjizmat e shpikura nga disa maniakë për të qenë pjellës fjalësh e le të shohim se ç’është ai, nga ky triptik me dy sajesa fjalësh: Mbititullar, titullar, nëntitullar. Mbititullar, jo se jo. As titullar, meqë nuk është as kryetar, as deputet. Pra, vetëm socialist, domethënë nëntitullar! Atëherë ai është abuziv, në komandën (që e mban si topuz në dorë) dhe u thotë prerazi parlamentarëve socialistë që të mos marrin pjesë në Parlament, duke mos qenë vetë as parlamentar! (Do të doja që kjo fjali të mos merret si lojë fjalësh).
E kështu ky megaloman, që është nëntitullar, kërkon të bojkotojë parlamentin, sikur parlamenti të ishte seksion i PS-së, jo organ legjislativ i Shqipërisë! Merr përsipër t’i vërë edhe kushte Parlamenti, ky person që s’është pjesëtar i Parlamentit. Ndër kushtëzimet e tij, është edhe zbardhja e vrasjes së Xhindit, në Rroskovec. Ajo çështje gjyqësore është në përfundim e sipër. Por jo se kushtëzohet nga Rama. Ai e di sa zgjati çështja e krimit Azem Hajdari, sa edhe organet juridike finlandeze që u ofruan të jepnin asistencë, e humbën durimin dhe u larguan me ato vonesa të tejskajshme, gjersa të përgatitej një gjykim që nuk konkludoi në asgjë! Aq sa u zbardh edhe vendimi gjyqësor i krimit të shëmtuar të 2 prillit, në Shkodër. Këto përqasje nuk i ka qejf Rama. Dhe kështu të copëton timpanin e veshit duke të folur për transparencë, kur Kongresi i Jashtëzakonshëm i tij është prototipi i territ informativ. Flet për demokraci, kur kërcënon me jetë B. Blushin se nuk i përputhet mendimit të tij, për të hedhur në kosh një sanksion statusor të PS-së. Flet për Europën, kur është antieuropian (duke përbuzur gjykimet e faktorit ndërkombëtar për zgjedhjet e fundit). Fjala ekscentrik i përmbledh të gjitha këto çoroditje të mendimit logjik irracional.
II. Tani, duke u mbështetur në çka thamë më sipër na duhet ta mbyllim shkrimin tonë me mendimin se është abuzuar me qëllime djallëzore me prekursorët e përkushtimit demokratik në hapat e parë të demokratizimit të vendit tonë. Të qenët në anëtarësinë e PPSH-së nuk mund të jetë një paragjykim i instrumentalizuar për të fshehur vetveten. Që të mos duket e errët kjo fjali, shtojmë se një pjesë e madhe e dygishtorëve të parë janë bash anëtarë të ish-PPSH-së të institucioneve shkencore, të organizatave të partisë në ndërmarrjet, të anëtarëve të thjeshtë të PPSH-së të cilët e kishin të qartë se intelektualë të ndershëm, anëtarë të organizatave ekonomike, teknokratë, etj. nuk mund të refuzonin praninë në parti. Gjithkush e di se çdo të thoshte një mospranim i tillë kokëshkretë.
Por këtu vërehet një ndërlidhje artificiale, cinike do të thoshim, ndërmjet kësaj kategorie dhe funksionarëve të komiteteve të partisë, aq më tepër sekretarëve të këtyre komiteteve, aq më keq funksionarëve të Komitetit Qendror, apo organeve të Sigurimit, operativëve dhe të gjitha kontingjenteve të reprezaljes (hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve të ndëshkimeve kapitale, që iu përngjitën shërbestarëve të R. Alisë dhe partisë emërndërruar, për të fshehur krimet e tyre.
Është bërë e zakonshme kohët e fundit që i biri i Sulejman Bushatit, tani deputet i PS-së, të shprehet se e ka për nder që është biri i atij personi i cili, - siç doli në fac simile, - ai, i ati, kishte firmosur shpërngulje, internime dhe ndëshkime gjyqësore. Nga ana tjetër po na mburren edhe njerëz të cilët, pasi janë bërë tashmë bishta dhe aktivistë shërbestarë të Edvinit, kanë pafytyrësinë ta quajnë doktor Berishën komunist! Është shumë e leverdishme kjo poshtërsi. Le të përmend vetëm njërin: Mustafa Nanon. Dikur, në fillimet, e ngrinte në apoteozë PD-në dhe kontributin e Berishës në këtë parti. Pastaj preferoi duartrokitjet e mëkatarëve të Ramës, që e quajti doktorin komunist në një panel të një Televizioni. Natyrisht Berisha nuk denjoi t’i jepte asnjë përgjigje këtij renegati të hershëm të PD-së. Por koha nuk vonoi ta zbulojë se përse e kishte kapërcyer Rubikonin: Kishte përfituar një apartament nga Edvin Rama, me ndërmjetësinë e deputetit të tanishëm socialist, F. Yllit, por i rrëshqiti goja edhe se tani merrte një rrogë prej 3000 eurosh në muaj! Nxitje më e mirë për t’u bërë renegat, zor se gjendet!
...