E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, 7 vende më lart për “Doing Bussines 2010”

Raporti i Bankës Botërore evidenton ecurinë edhe më të mirë për këtë vit

Raporti i Bankës Botërore “Doing Business 2010”, reforma në kohë të vështira, e rendit Shqipërinë 7 vende më lart, në vendin e 82 nga 89 që ishte në vitin 2009. 

Shqipëria është një nga vendet që ka reformuar rregullat e të bërit biznes gjatë vitit fiskal 2008-2009, analizon raporti, i cili konstaton kryerjen e 287 reformave në 131 vende në botë në periudhën qershor 2008 – maj 2009, që përbëjnë një ngritje prej 20 për qind krahasuar me raportin e mëparshëm. 

Kjo rritje me 7 pikë që ka shënuar Shqipëria është më e lartë se rritja në rreth 30 vende të tjera që varion nga 1-5 pikë, pjesa më e madhe e ekonomive botërore ka bërë hapa prapa, ose paraqitet në të njëjtat nivele. Ajo që vërehet në listë është rënia që kanë bërë vende të rajonit si Italia, -4 pikë, Greqia -9, në një kohë që Bosnje Hercegovina është rritur vetëm me 3 pikë dhe Mali i Zi me 6 pikë. Në rast se krahasojmë vende si Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Irlanda apo Kina, të cilat janë në dhjetëshen e parë, do të vërejmë se rritja e tyre është vetëm me një pikë, disa herë më e ulët se Shqipëria. Po kështu, asnjë ndryshim nuk kanë shënuar as Kanadaja, Australia apo Norvegjia, të cilat ashtu si një vit më parë, vazhdojnë të mbeten në vendet 8, 9 dhe 10.

Banka thotë se lehtësirat e të bërit biznes në Shqipëri nisin me regjistrimin elektronik të biznesit, gjë që natyrisht shtoi edhe kapacitetin e ruajtjes së të dhënave. Faktorë të tjerë janë ulja e ndjeshme e shumës së kapitalit fillestar për të hapur një biznes të ri si dhe eliminimi i kërkesës për të regjistruar biznesin në Dhomën e Tregtisë. 

Gjithashtu, përdorimi i softuerëve për financat dhe instalimi i pajisjeve të skanimit kontribuuan në pakësimin e kohës së kalimit të mallrave nëpër pikat doganore. Me këto arritje, qeveria shqiptare ka lënë prapa vende të rajonit si Greqia, Serbia apo Bosnie Hercegovina.

Pra, me gjuhën e shifrave, Shqipëria hyn në vendin e 46 në grupin e atyre vendeve ku hapja e një biznesi të ri është e lehtë. Po kështu, vendi ynë ofron kushte të përshtatshme për tregtinë ndërkufitare, e cila na rendit në raport 17 vende më lart se një vit më parë, në vendin 66. Një rritje me 7 vende ka kontribuar pagesat e taksave, në një kohë që stabël janë punësimi, mbrojtja e investitorëve apo mbyllja e biznesit.

Sipas “Doing Business 2010”, vendi ynë paraqet disa parregullsi në kreditimin e ekonomisë dhe regjistrimin e pronësisë. 

Ashtu si raportin “Doing Business 2009”, Banka Botërore vëren se sërish problem jo i vogël në vend mbeten lejet e ndërtimit. Sipas vlerësimit të dhënë, Shqipëria aplikon një numër më të madh procedurash për marrjen e lejeve të ndërtimit se vendet e tjera e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore. Po kështu, theksohet një tejzgjatje e afateve për marrjen e një leje ndërtimi si dhe një shifër shumë e ulët e të ardhurave për kapital. Këto reforma thotë raporti kanë ndodhur në kohën e krizës botërore. Në total Banka ka përfshirë në raport 131 nga 183 ekonomitë botërore, pra 70 për qind e tyre, një shifër rekord kjo brenda një viti, që nga botimi i raportit të parë të këtij tipi në vitin 2004. 

Banka Botërore përfshin në këtë raport edhe Kosovën, e cila pak javë më parë u bë pjesë e kësaj të fundit. Përfundimet e rendisin Prishtinën zyrtare në vendin e 124.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›