Jozefina Topalli merr pjesë në përkujtimin e kryengritjes antikomuniste të Postribës
“S’ka krenari më të madhe se të jesh i pari në betejën e rrëzimit të komunizmit”
Komuna e Postribës, e dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin "Nderi i Kombit" organizoi dje një ceremoni në përkujtim të Kryengritjes Antikomuniste të organizuar në këtë komunë 63 vjet më parë. Në aktivitetin përkujtimor të organizuar nga komuna e Postribës ndodhej Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli pas zgjedhjes së saj për një mandat të dytë në këtë detyrë. Në këtë ceremoni morën pjesë shumë demokratike të qarkut të Shkodrës, përfaqësues dhe drejtues të shoqatave të ish të përndjekurve politikë, të komunave të qarkut, etj.
Për Kryetaren e Kuvendit, përkujtimi i kësaj dite është një emocion i veçantë dhe një krenari shumë speciale, e cila u shpreh se "për mua është gjithmonë një emocion i veçantë, një ngjarje e veçantë, por edhe një krenari shumë speciale përkujtimi i kësaj dite".
Duke u ndalur në përkujtimin e rrëzimit të komunizmit, fillimit të lëvizjeve antikomuniste në Hungari dhe në Çeki, Topalli tha se "Në fillim të nëntorit do të bëhet një përkujtim i madh në Gjermani për rrëzimin e murit të Berlinit, por unë them se ne shqiptarët dhe ju nga Postriba, jemi më krenarë nga të gjithë që kemi qenë të parët për të rrëzuar komunizmin".
Më tej Topalli vlerësoi faktin se "kemi qenë të parët për të kërkuar lirinë, kemi qenë të parët për të sakrifikuar dhe ka qenë sakrificë e madhe, me gjak, sakrificë me jetë, sakrificë me sulmet që i bëheshin Postribës, Shkodrës, pastaj për ta përcjellë dhe për ta rrezatuar, për të mbajtur nën hijen e frikës dhe burgut të gjithë shoqërinë shqiptare, gjithë shqiptarët".
Duke u ndalur te të ndjerit krenar për këtë ngjarje të shënuar antikomuniste të pasardhësve të atyre që u martirizuan për idealin e lirisë dhe kundër komunizmit, Topalli tha mes të tjerave, se "nuk ka krenari më të madhe se sa të jesh pjesë e atyre familjeve që sakrifikuan, që vendosen jetën e tyre në themel të asaj që do jetë dhe ishte liria e shqiptarëve".
Në kujtim të kryengritjes së Postribës të 9 shtatorit 1946, Topalli vijoi, "Kryengritja e Postribës nuk ishte spontane, e pamotivuar dhe e paorganizuar. Që në fillim postribasit dhe jo vetëm ata ishin të vetëdijshëm se e ardhmja e tyre nuk ishte komunizmi. Ata e dinin se prona nuk do te ishte më e tyre, e dinin se komunistët nuk e pranonin besimin fetar, i cili u vërtetua, ndaj dhe sakrifikuan jetën e tyre dhe familjeve".
Ajo theksoi se "në kryengritje nuk morën pjesë vetëm një grusht njerëzish, as vetëm ata që u prekën nga komunizmi, por gjithë populli i zonës, duke shënjuar kryengritjen e parë antikomuniste në Shqipëri, Ballkan e Evropë".
Data 9 shtator1946, shënoi revoltën e parë antikomuniste dhe me përmasat e mëdha që mori, pasi në të u përfshinë me armë në dorë burrat e Postribës, Shkodrës, Gurit të Zi, Rrethinave, Oblikës e më gjerë, u shtri në një kryengritje të vendosur antikomuniste, e cilësuar e para e këtij lloji jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Evropën Lindore. Një pjesë e protagonistëve të kësaj ngjarje historike për Shqipërinë dhanë jetën, të tjerë u burgosën, u internuan dhe u persekutuan përgjatë viteve të diktaturës komuniste.
...