E Diel, 1 Nëntor 2026

Mercedes GP

Mercedes Benz ka blerë ekipin kampion të Formulës 1, Brawn GP dhe planifikon të përfundojë aksionet e tij në McLaren. Presidenti i Mercedes Benz, Dieter Zetsche, gjatë një konference për shtyp të hënën, ka bërë të ditur se Brawn do të garojë në vitin 2010 si Mercedes GP.

Fabrika gjermane e automobilave më parë kishte furnizuar ekipin Brawn me motorë dhe do të vazhdojë të furnizojë ata dhe McLarenin. Nico Rosberg pritet të jetë ngasësi i tyre kryesor, ndërsa Nick Heidfeld spekulohet për partner të tij.

Gjermani tjetër Timo Glock, i cili sezonin e kaluar voziti për Toyotan, është po ashtu kandidat. Ekipi ende nuk ka konfirmuar Rosbergun, i cili ishte në Williams gjatë vitit 2009, por tashmë një kohë qarkullojnë njoftime se ai ka nënshkruar për ekipin e Mercedesit.

Ndërsa kampioni i botës, Jenson Button spekulohet se mund të kalojë në McLaren, ku do të jetë koleg i ekipit me Lewis Hamiltonin. Sa u përket aksioneve, Mercedes dhe Aabar Investments PJSC do të kenë në pronësi 75.1 për qind të Brawn GP.

Aabar është aksionari më i madh i Daimler AG, kompanisë amë të Mercedes-Benz. McLaren nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se do të vazhdojë të shfrytëzojë motorët e Mercedesit deri më 2015 dhe do të vazhdojë të njihet si McLaren Mercedes.

Megjithatë, ekipi me qendër në Angli ka bërë të ditur se do të blejë pjesën e aksioneve që aktualisht janë në pronë të Daimler AG. Brawn GP, ekip i themeluar pas largimit të Hondas nga Formula 1 në mars, zhvilloi një sezon të shkëlqyeshëm debutues. Jenson Button fitoi kampionatin e vitit 2009, ndërsa ekipi mori titullin e konstruktorëve.

Shefi i ekipit, Ross Brawn kishte kaluar vetëm një sezon të plotë në Honda, duke e udhëhequr fushatën e ekipit më 2008 pas 10 viteve të kaluara në Ferrari. Ai do të jetë shef i ekipit të ri të Mercedes GP.

Button ishte koleg i ekipit me Rubens Barrichellon, i cili do të kalojë në Williams sezonin e ardhshëm. Ngasës të McLarenit në sezonin e kaluar ishin kampioni i botës nga viti 2008, Lewis Hamilton dhe Heikko Kovalainen. Vendimi rreth dy pilotëve të ekipit të ri Mercedes GP do të merr pak kohë, ka thënë Haug i cili shtoi : Jemi duke e konsideruar me kujdes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›