E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bora dhe akulli në rrugë, probleme në Kukës dhe Shkodër

Veriu
Akset nacionale mbahen të hapura, por kalimi i mjeteve është i vështirë

Veriu i vendit vazhdon të jetë nën pushtetin e borës. Situata në akset nacionale ka vazhduar të jetë problematike, ndërkohë që ndërmarrjet e rrugëve janë përpjekur ta mbajnë situatën nën kontroll për të shmangur aksidente të mundshme. Kështu aksi kombëtar i rrugës Kukës-Tiranë dhe anasjelltas, është mbajtur në funksion të plotë, megjithatë, shoferët që e kanë përshkuar këtë rrugë tregojnë se disa segmente kanë qenë tepër të vështira për t’u kaluar. Ndërmarrja e Rrugëve Rajonale ka dërguar tri borëpastruese dhe një kamion me kripë në këtë aks, por gjendja në rrugë vazhdon të mbetet tepër e vështirë. “Kemi kaluar përmes rrezikut në akull dhe dëborë, për më tepër kemi pritur plot tri orë, pasi rruga ishte bllokuar nga disa kamionë të rëndë dhe askush nuk na ka ndihmuar”, thotë një drejtues furgoni. Ndërkohë, dhe efektivë të qarkullimit rrugor pohojnë se kalimi i kamionëve të tonazhit të rëndë në Qafë-Mali dhe Qafë-Shllak përbën një problem. Për këtë arsye rrugorët kanë ndaluar udhëtimin e kamionëve të mëdhenj gjatë natës, por pa mundur t’i ndalojnë plotësisht. “Ne po përpiqemi dhe ia kemi dalë të shmangim aksidentet, ndërsa vonesa sigurisht që do ketë”, tha një efektiv i qarkullimit rrugor në Kukës. Në rrethin e Kukësit mbeten të bllokuara rrugët rurale të qendrave komunale të Zapodit, Arrnit, Grykës së çajës etj., si dhe disa fshatra të veçantë ku ende trashësia e dëborës është e madhe. Burime të Prefekturës së Kukësit thonë se po mbahet kontakt i vazhdueshëm me të gjitha fshatrat e zonave të thella dhe deri në këto momente nuk janë raportuar raste emergjencash shëndetësore. Ndërkohë, situata në zonat e thella malore të Qarkut Shkodër vazhdon të jetë problematike për shkak të reshjeve të dëborës dhe ngricave. Komunat Shalë dhe Shosh në Dukagjin, Vermoshi në Malësi të Madhe dhe Iballa në Pukë mbeten të bllokuara. Ndërsa rrugët rurale të pothuajse gjitha komunave të thella të qarkut janë të pakalueshme nga dëbora, ndërsa në rrugët nacionale malore mund të kalohen vetëm me zinxhir. Segmentet rrugorë Shkodër - Koman, Shkodër - Pukë, Pukë - Fushë Arrëz, Qafë Mali - Fierzë, Fushë Arrëz –Kukës janë problematike. Sipas policisë rrugorë në këto akse janë shtuar patrullat e policisë dhe nuk lejohet të kalojë asnjë automjet që nuk është i pajisur me ka zinxhirë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›