Mërgimtarët
Sipas një njoftimi të paradokohshëm të Aleancës KuqeZi, ajo organizoi në Durrës një tubim me 300 shqiptarë të arsimuar jashtë, të kthyer nga emigracioni për tu bërë anëtarë të saj e për të kontribuar në fushatën elektorale dhe, më pas, në qeverisjen e vendit. Një kartë të ngjashme politike, por jo në të njëjtën magnitudë, e ka luajtur edhe PD-ja para 2005-ës ose PS-ja para 2009-ës. Dhe luajtja e kësaj karte synon të shfrytëzojë një farë miti që qarkullon rreth shqiptarëve të diplomuar në universitetet e huaja, të cilët, sipas këtij miti, do ta bëjnë Shqipërinë. Po a vlen të kihet një pritmëri e tillë e lartë?
Duke hedhur sytë prapa në histori, mund të konstatohet se, në shekullin e 15-të, është regjistruar një eksod i madh i shqiptarëve, i ngjashëm me atë që filloi pas vitit 1990. Por në ndryshim nga ai i pesë shekujve më parë, kur e keqja, në formën e hordhive pushtuese, erdhi nga jashtë, ky i tashmi u shkaktua nga një e keqe e brendshme, e cila kishte dekada që mbruhej. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, mërgimtarët e sotëm janë aq të ndryshëm nga ata të shekullit të 15-të.
Kur çereku i popullsisë shqiptare të periudhës së Skënderbeut u largua drejt brigjeve të Italisë, në mendjet e mërgimtarëve duhet të ketë qenë e fuqishme shpresa dhe dëshira për një rikthim në atdhe. Duke gjykuar nga ruajtja për shekuj e gjuhës, historisë, kulturës, traditave, etj., ta do mendja se kjo shpresë e dëshirë, në formën e një ëndrre, u trashëgua brez pas brezi deri në kohën e Jeronim De Radës, Gavril Darës etj. Dhe ndoshta jo rastësisht, veprat e këtyre shkrimtarëve me origjinë të largët shqiptare, u bënë ndër gurët kryesorë të themelit të Rilindjes Kombëtare në Shqipëri.
Ndërsa kur çereku i popullsisë shqiptare u largua në vitet pas rënies së diktaturës komuniste, në mendjet e shumicës së mërgimtarëve, shpresa dhe dëshira për një rikthim në atdhe dukej të ishte e vogël. Kjo, sepse ata nuk u larguan nga atdheu për ti shpëtuar një pushtuesi të huaj, por thjesht për ti shpëtuar së keqes që e kishte kapërthyer vendin nga brenda.
Për shumicën e mërgimtarëve të pas vitit 90, Shqipëria dukej një vend që nuk bëhej dot. Dhe si rrjedhim, edhe shpresa e dëshira për një rikthim në atdhe ndoshta ishte fare e vogël.
Më pas, ngjarjet e vitit 1997, të cilat shërbyen si një konfirmim i kobshëm i idesë se Shqipëria nuk bëhej dot, ia hoqën shpresën dhe dëshirën për rikthim edhe atyre pak mërgimtarëve që e kishin ndërmend rikthimin. Ndërkohë, ato ngjarje i shtuan ndjeshëm radhët e atyre që synonin rrugën e mërgimit. Duke bërë që sot, fatkeqësisht, mbi 1 milion shqiptarë të jetojnë në dhe të huaj.
Çështë më e keqja, ndër mërgimtarët që kanë arritur të diplomohen në universitetet perëndimore, apo që janë bërë biznesmenë të suksesshëm në vendet ku janë ngulur, shumica as që kanë ndërmend të kthehen në Shqipëri. Maksimumi që ata bëjnë për vendin e tyre është kryerja e ndonjë vizite familjare gjatë verës në atdhe, shkrimi i ndonjë artikulli në gazetat shqiptare, apo ndonjë aktivitet kulturor e rrallë politik në vendet ku jetojnë. Dhe kur kënaqësia e përkohshme që u japin këto eksperienca patriotike davaritet, shumica e tyre u rikthehet preokupimeve të përditshme, duke i kujtuar vetëm kalimthi momentet që i bënë të ndjeheshin patriotë.
Kuptohet që gjatë këtyre 22 vjetëve, disa prej mërgimtarëve janë kthyer në Shqipëri (përfshirë dhe autorin e këtyre rreshtave). Madje disa prej tyre kanë arritur të bëhen edhe ministra apo zëvendës ministra. Por këta të fundit thjesht janë bërë si kolegët që gjetën në Shqipëri.
Dhe në kushtet kur shumica dërrmuese e mërgimtarëve kryesisht e vrasin mendjen se si të plotësojnë nevojat për ushqim e rroba të mira, shtëpi komode, dhe siguri për vete e fëmijët në vendet ku janë ngulur, është e kotë të shpresosh se prej tyre do të dalin ca De Rada të shekullit të 21-të. Me fjalë të tjera, është e kotë të presësh që, nga radhët e mërgatës së tashme, të dalin njerëz që do të hidhnin themelet e një rilindje të re kombëtare. Kësaj radhe, rilindja do të duhet të vijë Shqipërisë nga brenda – bash siç i erdhi edhe sëmundja nga e cila ka dekada që vuan…
