E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reportazhi/Ministri Panariti dhe nderimet për heronjtë e Kosovës

28-07-2012 / Nga Odise Plaku

Vizita e ministrit të punëve të jashtme Edmond Panariti në Kosovë padyshim është një ndër më të veçanta për vetë kohën e kryerjes së saj , por edhe për zhvillimet tejet interesante dhe shumë pozitive që janë shënuar në këtë vend. Me pritjen sa ceremoniale, por edhe miqësore dhe vëllazërore do të zhvillohej vizita e ministrit Panariti. Takime me personalitet më të larta të shtetit të Kosovës, por edhe nderim për figurat e pavdekshme të historisë së saj. E ka shënuar takimin e parë me homologun e tij ministrin Enver Hoxhaj. Një bisedë e fokusuar te bashkëpunimi gjithnjë në rritje qoftë në aspektin zyrtar të dy shteteve, por edhe rritjen e fluksit të madh të shkëmbimeve njerëzore mes tyre. Është stina e verës dhe bregdeti shqiptar ka njohur si kurrë më parë një numër të lartë pushuesit thuaj nga e gjithë Kosova, tashmë jo vetëm nga qytete kryesore të saj si Prishtina, Gjakova, Prizreni, por edhe nga Skenderaj, Prekazi, Gjilani, Drenica e shumë e shumë të tjera.
Një shtrëngim duarsh tepër miqësore dhe vëllazëror me ministrin Hoxhaj, në takimin me të cilin ministri Panariti do ta uronte për progresin cilësor të Kosovës, që kulmon me përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur, marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe nisjen e studimit të fizibilitetit për MSA-në me Bashkimin Evropian. Ministri Panariti do të ritheksonte edhe një herë  gatishmërinë e Shqipërisë për të bashkëpunuar më intensivisht me institucionet e Kosovës, tashmë plotësisht sovrane dhe që ka nisur rrugën pa kthim të integrimeve evropiane dhe euro-atlantike. E rëndësishme është shprehja e vullnetit për shfrytëzimin e të gjitha hapësirave që të do të thellojnë dhe zgjerojnë  akoma më tej  bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Një shenjë e bashkëpunimit ishte dhe vendimi për heqjen e tarifës prej 35 % të vendosur për importin e çimentos. Vend të veçantë në bisedime zunë shkëmbimi i mendimeve për zhvillimet në rajon, në veçanti zhvillimet e pritshme në Republikën e Serbisë, pas krijimit të qeverisë së re. Ministri Panariti vuri në dukje se Kosova është shndërruar në faktor paqeje, sigurie dhe stabiliteti në rajon dhe, në këtë kontekst, ai ritheksoi qëndrimin e qeverisë shqiptare për rëndësinë e zbatimit sa më shpejt, pa ekuivok dhe me garanci ndërkombëtare, të marrëveshjeve të arritura në dialogun Kosovë-Serbi, me lehtësimin e BE-së. Ministrat ritheksuan gatishmërinë e të dy qeverive për të intensifikuar bashkëpunimin dhe koordinimin për pjesëmarrjen dhe anëtarësimin e Republikës së Kosovës në nismat dhe forumet rajonale, në përputhje me marrëveshjen e arritur në dialogun Kosovë-Serbi, në shkurt të këtij viti, me lehtësimin e BE-së. Ata rikonfirmuan angazhimin e tyre për bashkërendimin dhe koordinimin e mëtejshëm me aleatët tanë për njohje të reja, bazuar në një plan pune afatmesëm, me objektiva konkrete, që Kosova të zërë vendim e saj të merituar në familjen e madhe të OKB-së. Po me tone të ngrohta është zhvilluar takimi i ministrit Panariti me Presidenten Ahtifete Jahjaga, e cila, pasi e uroi për detyrën e re në postin e Ministrit të Punëve të Jashtme, shprehu falënderimet për ndihmën dhe angazhimin e pakursyer të Shqipërisë në procesin e njohjeve të Republikës së Kosovës si dhe pjesëmarrjen e saj në nismat dhe forumet rajonale.
Në fjalën e tij Ministri Panariti ritheksoi qëndrimin e Shqipërisë se pavarësia e Kosovës është një proces i pakthyeshëm dhe i pandalshëm, që e ka shndërruar Kosovën në faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Kosovë, Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Edmond Panariti u takua dhe zhvilloi bisedime me zv.kryeministrin dhe Ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës, zotin Sllobodan Petrovic. Që në fillim të fjalës së tij, z. Panariti  e uroi për kontributin dhe vizionin evropian të tij, si ministër i Qeverisë së Kosovës dhe njëkohësisht, përfaqësues i denjë i komunitetit serb në Kosovë. Ecuria e  suksesshme e procesit të decentralizimit në jug dhe në veri të lumit Ibër, në zbatim të Paketës Ahtisari, pjesë e së cilës është edhe hapja së fundi e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës ishte pjesë e fjalës së Petrovic. Kur nisi procesi i decentralizimit dy vjet më parë, gjatë përgatitjeve për hapjen e kësaj zyre në veri kishte vetëm rreth 20 qytetarë të komunitetit serb, që aplikuan për të bashkëpunuar me këtë zyrë. Aktualisht numri i aplikuesve ka shkuar në disa qindra. Sipas tij ky është rezultat i punës si qeveri dhe si ministri pasi kapitali më i madh për ne janë qytetarët tanë në veri të Kosovës. Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se realizimi i procesit të decentralizimit në veri të Mitrovicës ka nevojë për pjesëmarrjen e të gjithë faktorëve relevantë. Me këtë rast, Petrovic kërkoi që Shqipëria, njëlloj si më parë, të vazhdojë të kontribuojë me qëllim që të përfundojë procesi i integrimit të komuniteteve pakicë në institucionet e Kosovës. Duke qenë se pak muaj na ndajnë nga 100 vjetori i pavarësisë  biseda mes ministrit Panariti dhe Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës,  Jakup Krasniqi, u përqendrua në koordinimin dhe bashkërendimin e mëtejshëm të veprimtarive të përbashkëta për nder të këtij përvjetori.
Forcimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona ishte në qendër të bisedës që ministri Panariti zhvilloi me me Zv.Kryeministrin e Parë të Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli. Të dy bashkëbiseduesit theksuan se është koha që qeveritë e të dy vendeve tona të fokusohen më shumë në intensifikimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, që infrastruktura moderne rrugore që po ndërtojmë të shërbejë si një vektor që përshpejton këtë bashkëpunim. Për ta bërë atë sa më efektive duhet ta plotësojmë me një infrastrukturë ligjore të standardeve evropiane që nxit dhe stimulon krijimin e një tregu të zgjeruar mbarë shqiptar në rajon.“Të vetëm kemi më pak shanse që të jemi atraktivë për investitorët e huaj, ndërsa së bashku, si një treg i integruar mbarëshqiptar, kemi më shumë shanse për të tërhequr investitorë të huaj të fuqishëm, kështu do të hapen më shumë vende të reja pune dhe vendet tona do të përparojnë,” u shpreh Ministri Panariti.U ritheksua nevoja  e mbajtjes sa më shpejt e Komisionit të Përbashkët Ekonomik mes dy vendeve, i cili jo vetëm do të zgjerojë dhe intensifikojë bashkëpunimin në të gjitha fushat e interesit reciprok, por gjithashtu do të parandalojë apo zgjidhë shpejt problemet që lindin në bashkëpunimin mes dy vendeve. Në këtë kontekst, të dy bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë që problemi i krijuar në importin e çimentos nga Shqipëria gjeti zgjidhje gjatë vizitës së Ministrit Panariti në Kosovë. Sipas tyre qëllimi i përbashkët është integrimi i ekonomive tona komplementare, me një lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe ideve, për ta shndërruar kufirin mes dy vendeve tona në kufi virtual, njëlloj si në vendet e Bashkimit Evropian
Kosova dhe heronjtë e saj të pavdekshëm
Përpos anës zyrtare të vizitës së Ministrit të Punëve të Jashtme z. Edmond Panariti, ajo është shoqëruar me shumë emocione, ardhur ato ,nga vizitat që u kryen në vendet simbole të Kosovës.
E nisur me kryerjen e homazheve dhe vendosjen e kurorës pranë varrit të presidentit Ibrahim Rugova  në lagjen Velania në Prishtinë. Bardhësia e mermerit do të zbukuroj nga lulet e kurorës e cila shprehte një mirënjohje të thellë për veprën e pavdekshme të njeriut gjenial të luftës për pavarësinë e Kosovës, presidentit Rugova. Me shumë emocione do të përcillej vizita e ministrit Panariti në familjen Rugova. Një pritje bujare dhe e ngrohtë, një bisedë vëllazërore me bashkëshorten Fana dhe djali e tij. Përmes emocioneve të rralla kjo vizitë në familjen Rugova. Një foto e Rugovës në qendër të dhomës së pritjes dukej sikur ndiqte buzagaz gjithë bisedën që zhvillohej në ato çaste. Pak më lart një foto e tij me Papën. Foto që flisnin për jetën e tij, përkushtimin dhe vlerat e papërsëritshme si burrë shteti dhe të qenit bir i Kosovës martire. Vlerësimet më të larta për punën dhe veprën e Rugovës nga ministri Panariti i cili do ta krahasonte figurën dhe veprën e tij me atë të figurave botërore si Gandi apo dhe Linkoln. Bashkëshortja Fana tejet e gëzuar dhe e privilegjuar nga kjo vizitë, do të pohonte se Rugova u tret duke punuar për pavarësinë e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ajo do të shtonte se dhe pse kanë kaluar vite ndihet e prekur emocionalisht nga vizitat e shumta në familjen e saj për të nderuar figurën e Ibrahim Rugovës. Nga ana e tij ministri Panariti do të çmonte vetëmohimin e madh të Rugovës dhe kthimin e tij tashmë si një simbol i pavarësisë së Kosovës, arkitekt i pavarësisë së saj. Por Kosova pa frikë mund të cilësohet si një nga djepet që lindi dhe rriti burra që flijuan jetën, familjen e tyre për këtë pavarësisë që sot Kosova gëzon. Vizita e dytë do të kryhej në një vend simbol të luftës dhe përpjekjeve të popullit kosovar për liri dhe pavarësi. Prekazi dhe memoriali i Jasharajve. Emocione dhe krenari. Shumë dhimbje dhe marrje force njëkohësisht. Përbri njëri-tjetrit emrat dhe fotot e burrave dhe grave, të rinjve dhe fëmijëve. Nderim dhe respekt për familjen Jashari dhe kryesimbolin e qëndresës kosovare Adem Jashari. Nga gjithë anët e botës vijnë ende dhe zhvillojnë homazhe në këtë memorial. Nderim për legjendarin Adem Jashari i cili tashmë është shndërruar në një emër që i përket përjetësisë dhe vepra e tij është e pavdekshme. Murati, i nipi i Adem Jasharit,  do të shoqëronte z. Panariti gjatë nderimit të tij për këtë akt heroizmi të  kësaj familje në luftën e popullit të Kosovës. Gjatë vizitës në familjen Jashari Ministri Panariti do të shprehej: "Familja Jashari ka fituar përjetësinë”. Kulla e mbetur në këmbë me gjurmët e shkatërrimit dhe flakëve në muret e saj  është një dëshmi e asaj çfarë ndodhi me këtë familje, por edhe një thirrje për të punuar të gjithë së bashku në drejtim të integrimit euroatlantik të Kosovës. Sakrificat sublime dhe jetët e dhëna për lirinë e këtij vendi janë një dëshmi që interesat e qytetarëve të Kosovës të jenë parësore dhe mbizotëruese.
Pak ditë nga nisja zyrtare e vizitës së planifikuar të Ministrit të Jashtëm z. Panariti,  opinioni i gjerë do të tronditej nga një lajm. Ndarja e papritur nga jeta poetit Ali Podrima ka qenë një ndër lajmet e dhembshme jo vetëm për Kosovën por për të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës, Por jo vetëm për ta. Për cilindo që e njihte vargun e madhërishëm të Podrimës. Si njeri dhe poet, Podrima i kishte kaluar prej kohësh caqet e përkatësisë së një vendi. Ai ishte poeti i madh i shqiptarëve dhe botës. Sado të kalojnë vitet sërish vepra e Ali Podrimës do të mbetet një prej thesareve më me peshë dhe vlerë të padiskutueshme  jo vetëm në letërsinë dhe kulturën shqiptare, por ajo qëndron madhërishëm dhe në spektrin e gjerë të krijimtarisë poetike botërore. I ndodhur në Prishtinë  Ministri Panariti do të bënte homazhe për të nderuar figurën e poetit të shquar Ali Podrimja. Një kurorë në emër të Qeverisë Shqiptare pranë trupit të pajetë të poetit. Një shkrim në librin e çelur me këtë rast. Në prononcimet mediatike ministri Panariti do të pohonte se Podrima bën pjesë në poetët dhe kritikët e tij më të dashur. Vetë ai është një adhurues i veprës së papërsëritshme të poetit Podrimja. Duke bërë një homazh para trupit të këtij gjeniu të letrave shqipe, ministri Panariti nderoi poetin e kryevargut "Kosova është gjaku im që nuk falet".

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›