E Diel, 1 Nëntor 2026

In Memoriam/Meliha Doda - Konstelacioni i yjeve këngëtarë mbetet pa trion

28-07-2012 / Nga Gëzim Llojdia

Ikja e shpirtit drejt konstelacionit të Zotit përbënë një udhëtim të gjithëhershëm të botës sonë por edhe më të mistershmin. Nisi edhe këtë udhë të fundit këngëtarja më në zë e këngëve vlonjate Meliha Doda, bashkëshortja e Hysni Alimerkos, një rrugë me emrin e të cilit gjendet sot në Vlorë, ish-i përndjekur politik. U shua në moshën 79 vjeçe..
“Kam ardhur në jetë në kryeqytetin e vendit - më ka treguar në një bisedë ca vjet më parë dhe vijon: Jam lindur në 1933, në Tiranë. Origjina ime vjen nga Kosova. Nga qyteti, ku u formua lidhja e dëgjuar e shqiptarëve, në Prizren. Prindërit e mi zbritën nga Kosova aty rreth viteve ‘30. Kemi banuar në Tiranë. Nëna ishte një malësore fisnike nga Dibra e Madhe. Germat e para të shqipes i kam mësuar tek shkolla “Avni Rustemi”. Atëherë ishte një sistem 7-vjeçar. Deri në vitin e dytë të 7-vjeçares qëndrova në Tiranë.
Babai im antifashist, i tronditur nga dhimbja e pushtimit të vendit, së bashku me xhaxhanë u internua nga gjermanët. Xhaxhai im Xhevdet Doda është dëshmor i atdheut, i cili nuk u shpëtoi dot tmerreve të kampeve të përqendrimit nazist. Nga ai ferr i çmendur shpëtoi gjallë vetëm im atë, i cili shkoi në Kosovë. Pasi Shqipëria u prish me Jugosllavinë, ku gjendeshin padrejtësisht trojet e shqiptarëve, pas “kirurgjisë së pamëshirshme” të fillimshekullit, babai shkoi andej, ne mbetëm këtej, unë dhe nëna ime. Është e vështirë të përshkruash një dhimbje të dyfishtë. Të vetmit që u bënë strehë ishin njerëzit tanë në Tiranë, por edhe aty gjërat shpejt do të ndryshonin. Tashmë koncepti i lëvizjes shoqërore prek fëmijërinë time. Aty rreth viteve ‘47, të afërmit tanë, xhaxhanë dhe dajat i nxorën nga kryeqyteti si familje të mëdha tregtare, duke i larguar për të mos u kthyer dot më. Më nënën shkuam në Shkodër, ku kishim një mbështetje. Aty përfundova të mesmen tek “Shejnaze Juka”. Më 1952 mora emërimin në viset jugore.
Isha e tmerruar, ndërsa kthenim nëpër duar fletët. Atje lexohej: mësuese, fshati Piqeras. Nuk e di as sot ku bie, por e di, që është në bregdetin e Sarandës. Ndihej po aq e dëshpëruar edhe nëna ime. Rrugëtimi u krye, por ne “ngecëm” në Vlorë, në gjysmë të rrugës. Qyteti jugor u bë pas kësaj streha ime e përhershme. Ishte viti 1952. Në këto rrethana e njoha qytetin me aromën e portokajve. Qëndrova 4 muaj pa punë. Gdhiheshim e ngryseshim të vetmuara me një kosh plaçkash në dyert e hotel “Sazanit”. Filluan të na shfaqen vështirësitë e mëdha financiare, sepse rronim me ndihmën që na dërgonin dajallarët. Gjithë ato ditë na u kthyen në ankth. E provova se nuk ia dilnim do më. Sa për jetën, ishte shkruar të hiqnim kështu, vuajtje pa fund. Paratë po shkonin çdo ditë, ndërsa nëna ime sëmurej vazhdimisht. Nuk deshëm të shkonim më larg, të paktën në ato rrethana, që gjendeshin. Ishte një tmerr. As rastësia nuk mund të na sillte dot asgjë për momentin. Ashtu e brengosur për të mos u larguar më nga ky qytet, por duke ndjerë një fije shprese shkova tek shtëpia e kulturës. Aty, ku takova Themistokli Monen, kënga më hyri si ai i ftohti deri në thellësi të shpirtit. Përgjithësisht unë vij nga një familje muzikantësh. Halla ruante një freski për këngën. Gjyshi i binte dajres, xhaxhai violinës, ndërsa babai mandolinës. Kjo është një vegël muzikore që përdoret në trevat e Kosovës. Por, që kur isha tek “Shejnaze Juka”, isha evidentuar si këngëtare. Zëri më buronte të paktën pa ndalesë, ishte i kthjellët. Në Shkodër, kur isha gjimnaziste, kisha kënduar me Simon Gjonin, një kompozitor i dëgjuar nga Shkodra. Profesor Liu arriti t’i kapë të gjitha vuajtjet dhe përjetimet e mia. Do të këndoj i thashë, sepse më duhet të jetoj. Profesor Liu më ndihmoi kur me nënën time gjendesha në pikë të hallit. Ai u kujdes që të sistemohesha si mësuese tek shkolla “1 Maji”. Isha 19 vjeç dhe sido dhe çfarëdo që këndoja, ndonëse me një brishtësi çupëline, më afruan në këtë qytet. Punova si mësuese tek shkolla Nr. 1, 2. Gjatë kësaj kohe jam aktivizuar shumë. Zëri ishte kristalizuar. Më ofruan vend në ditën që estrada e qytetit u formua. Kjo ishte edhe familja ime e parë. Ndiheshim të çliruar brenda bërthamës së parë. Estrada e Vlorë u formua me 15 vetë. Me mundim dhe këmbëngulje artistësh, M. Ferra, G. Vishi, V. Panozaqi, P. Sava, E. Shtrepi, M. Lako, bënë një estradë që t’i ndihet zëri shumë, por jo vetëm brenda këtij qyteti. Th. Mone me dimensionet e një artisti, me sytë, me mendjen në skenë, nxori “Dasmën vlonjate”. Ishte kënga e të gjitha zonave si Kanina, Lumi i Vlorës, “Birbili”. Mbas “Dasmës vlonjate” u pikëzua grupi. Treshja ishte Reshat Osmani, Kostandin Thana dhe unë. Trioja vlonjate u ndërtua e atillë, 2 burra ishin marrësi dhe një lloj hedhësi të këngës, unë isha zëri i gruas. Pra, ishte një formë e këngës popullore me konture të grupit lab. Trioja vlonjate ishte forma e parë në atë kohë. Pas nesh nxori versione të tilla edhe Gjirokastra dhe Lushnja. Trioja vlonjate në ditën e saj të formimit përbëhej nga mosha më e re e këngës. Reshati ishte 25 vjeç, Kostandini 26, unë 22 vjeçe”.
Kënga e parë e trios ishte “Ku këndojnë zogat o”. Burimi ishte marrë nga fshati Kaninë. Por promotori i trios ishte Reshati. Ai bridhte fshatrave me ditë, gërmonte me pasion. Këngët që ai gjente i merrte, i përpunonte në orkestrën popullore, karakteristikë për trion vlonjate. Dhe pak nuk janë këto këngë të trios vlonjate. Ai ka zbuluar këtë thesar. Pritja e mrekullueshme e trios, e shtoi dëshirën për këto gjetje. “Filluam të bëjmë turne, më thotë në intervistën e lartpërmendur, Meliha Doda. Njerëzit kuriozë pyesnin tek autobusi: Ka ardhur trioja vlonjate? Më 1957 na dërguan në Moskë në një koncert në festivalin e Moskës. Aty morëm çmimin e tretë. Këngët e trios nën atë qetësi të stepave ruse, ishin një magjepsje. Ne bëmë turne nëpër BS, ishin tepër melodioze këngët tona, s’kishin ftohtësinë e perëndimit të largët të stepave. Këngët ishin “Hajde moj kumbull vlonjate”, “Vajza myzeqare”. Kur u hap për herë të parë festivali i këngës në fundvitin 1961, këndova dy këngë: “Këndoj” ishte një kompozim i Avni Mulës dhe kënga “Vashëzo” e N. Uçit. Shtypi bëri vlerësime të rëndësishme. Më quajtën fillimisht si Milva e Shqipërisë. Më 1964 u ftuam në festivalin e Mesdheut në Egjipt. Aty na dhanë çmimin e dytë si dhe bëmë turne në Algjeri dhe Marok. Mbasi trioja mori këtë famë, fillova të mbaj edhe peshën më të madhe të estradës. Kompozitori im ishte Reshat Osmani. Kënga “Aromë portokalli” u bë himni i Vlorës. Nuk ka dasmë apo gëzim pa kënduar këtë këngë. Këngët e tjera të trios janë në nivelin e saj. Ja disa nga këto: “As po, as jo”, “Do të vras birbilin”, “Festa e madhe”. Dy herë kam marrë pjesë në festivalin kombëtar të Gjirokastrës. Kam marrë çmim edhe në një festival që u zhvillua në qytetin e Durrësit ku kam kënduar “Jam shqipja e tokës labe”. Deri në vitin 1968 isha këngëtare profesioniste në estradë. Por 4 vjet pas martesës, më hoqën nga estrada dhe më dërguan mësuese tek shkolla “Teli Ndini”. Dridhesha nga ankthi, por frika për të mos u kthyer më trembte, gjithçka ishte e ngritur si ajo shtëpia dhe mund të prishej. Përnatë shkoja dhe këndoja në estradë. Suksesin e kisha të garantuar. Madje, regjisorët për këtë arsye më linin në fund. Zihesha me ata, më vendosnin në fillim, nesër do të shkoj në punë dhe ne darkë do të jem këtu. Estrada jepte shfaqje çdo natë me përjashtim të së hënës. Në çdo premierë kam marrë pjesë. Kam kënduar edhe 8 muajsh shtatzënë, aq sa gjinekologu që u ndodh në sallë thirri: “Ik, tha, se ndryshe fëmijën do na i bësh në sallë”. Dhe kur prisja një rikthim më hoqën fare nga shkolla. Më dërguan edukatore tek kopshti i shkollës “Naim Frashëri”. Deri në pension aty punove. Kur shkoja nëpër turne, më quanin profesioniste, nuk e dinin se ç’mundim hiqja, e kisha zemrën copë-copë nga dëshpërimi. Trio vlonjate u zbeh aty nga vitet ’83. Ishte koha e pensioneve, mosha e la këngën. Por e thënë ndryshe nga kjo trio, kush me shpirt e kush me vullnet e mbanin ndezur”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›