E Diel, 1 Nëntor 2026

Meritat e “Arrëthyesit”



Mbrëmë në sallën e Teatrit të Operës u shfaq me shumë sukses baleti “Arrëthyesi”, një nga veprat më madhore të kompozitorit legjendë, P.I. Cajkovski, e cila është vënë në skenë për herë të parë në vitin 1892 në Shën Peterburg, ku suksesi i saj mori dhenë duke bërë të mundur që ajo të shfaqej për 42 ditë rresht.

Që atëherë kjo vepër është rivënë në skenë nga shumë koreografë, duke filluar nga M. Petipa, L. Ivanov e duke vazhduar me rikonceptime të neoklasikut Balanshin dhe kështu me një shpejtësi të rrufeshme kjo vepër u bë repertor bazë në pothuaj tek të gjithë teatrot më prestigjiozë të botës. Sot kjo vepër është imponuar për t’u shfaqur në festat e fundvitit për vetë specifiken dhe përmbajtjen që mbart. Kjo vepër madhore erdhi në momentin e duhur në tempullin e kulturës skenike shqiptare dhe mbrëmë u ndje e mirëseardhur nga një publik tashmë i stërvitur me vepra të jashtëzakonshme, që me shumë sukses janë shfaqur në këtë tempull. Gjithkush do ta kishte zili suksesin e mbrëmshëm edhe ata artistë që kohë më parë janë marrë me këtë vepër, qofshin krijues, ekzekutues apo funksionarë të teatrit, të cilët ishin sinkron me kohën.

“Arrëthyesi” i mbrëmshëm erdhi komplet ndryshe nën një këndvështrim bashkëkohor në aspektin krijues dhe ekzekutues. Shfaqja e mbrëmshme depërtoi tek publiku nën një stil tradicional klasik, ku herë-herë gërshetoheshin elementë neoklasikë, ku ndikonin pozitivisht në plotësimin profesional të personazheve. Ëndrra e Klarës ndërthurej këndshëm me skenografinë, e cila impononte spektatorin për t’u ndjerë si pjesëtarë në festën që Klara e vogël shikonte me aq ëndje në ëndrrën e saj.

Për hir të së vërtetës, kjo shfaqje këtë radhë vjen e plotë, pra me të dyja aktet nën një format bashkëkohor, ku komponentët janë shkrirë mrekullisht duke ndikuar ekskluzivisht në zbërthimin e çdo detaji ku spektatori ndjehet nën një komoditet të paparë. Kjo vepër ka inspiruar shumë krijues për muzikën dhe fabulën që mbart dhe është ndërtuar në shumë stile në balet, por jo vetëm, ajo ka ngacmuar regjisorë teatri regjisorë të filmave të animuar duke realizuar produksione interesante, të cilat kanë krijuar efekte të çuditshme tek publiku. Pra kjo vepër jo rastësisht i ka rezistuar për më shumë se një shekull skenës dhe vazhdon të jetë domosdoshmëri për repertorët e teatrove në zë të kohës.

Por le të vijmë tek “Arrëthyesi” ynë, i cili u ul këmbëkryq mbrëmë në skenën e TOB-it. Ky version erdhi jo pa qëllim, por duke studiuar specifikat profesionale të trupës së baletit, koreografi Ilir Kerni solli një krijimtari, të cilën ia veshi me shumë mjeshtëri trupës sonë, duke i krijuar mundësinë e shprehjes profesionale, që për hir të së vërtetës është e nivelit botëror. Dashuria dhe serioziteti i punës së koreografit ndihej në të gjithë tërësinë e shfaqjes në marrëdhëniet e personazheve, në transkiptimin organik të lëvizjes, plastikës, konfiguracioneve estetike dhe të gjitha këto i krijuan një emocion të paharruar spektatorit që me aq pathos e duartrokiti.

Baleti shqiptar mbrëmë pati një festë ku protagonistët meritojnë shumë respekt, ata imponuan spektatorin me mjeshtërinë e rrallë që performuan t’i përgëzonte sinqerisht dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, do të ishte paturpësi nëse nuk do të ishte duartrokitur furishëm trupa në tërësi dhe në veçanti çifti Vaso, Klara, L. Sulaj, apo Pralinat, vajzat çokollatë R. Shqevi, E. Dervishi, J. Onuzi, A. Muçollari, të cilat ishin prezent me një ngarkesë profesionale pothuaj gjatë gjithë shfaqjes dhe me radhë G. Hushi, E. Merja. I. Kerni, por pa harruar më të rinjtë, të cilët kontribuuan me shumë dëshirë dhe kurajë duke fituar besimin e koreografit. Sigurisht, kjo shfaqe nuk mund të kishte pasur atë sukses pa seriozitetin dhe profesionalizmin e orkestrës që balerinët të veshur me kostumet marramendëse i bëri jo të vallëzonin, por të fluturonin në skenë nën një skenografi që mendimin e veprës e kishte kthyer në realitet artistik. Vogëlsira të aspektit teknik nuk ndikojnë aspak në tërësinë e shfaqjes, ndaj nuk ja vlen të ndalosh.

Suksesi i mbrëmshëm, që do të vijë duke u rritur edhe në shfaqet e ardhshme, pohoi forcërisht se baleti shqiptar po vazhdon potencialisht të krijojë një kurbë, ku shumë shpejt me pak kujdes dhe vëmendje do të renditet në nivele evropiane, ku çdo krijues i çdo kalibri qoftë do të gjejë kënaqësinë e punës dhe dashurinë profesionale të mirëseardhjes. Kjo vlen për ata që seriozisht duan të kontribuojnë në këtë profesion, ndërsa për fallxhorët e ndrikullinat që mbledhin fletë volante për t’ia treguar sheficave apo për “profesorë” që kohën e kalojnë duke lyer mjekrën me bojë dhe aq më keq për ata intrigantë që punës nuk i thonë mirëmëngjesi dhe barsoletat i tregojnë në vetën e parë, gjithmonë do të jetë regres. Tapeti i kuq që mbrëmë u shtrua në tempullin e kulturës skenike shqiptare rezultoi që ia vlejti, duke i shumëfishuar shkëlqimin dhe duke i dhënë garanci së ardhmes në një institucion ku punohet, ku djersa vadit çdo cep të tij, nuk ka si ndodh ndryshe. Bravo, bravo. Ju lumtë!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›