E Diel, 1 Nëntor 2026

HESHTNI!



Heshtni! Ky ishte mesazhi i manifestimit të jashtëzakonshëm të mbajtur nga populli i kryeqytetit dhe gjithë Shqipërisë për nder të ditës së lëvizjes studentore të vitit 1990. Kjo ditë u tregoi hijeve të së kaluarës se në Shqipëri ka përfunduar njëherë e përgjithmonë epoka e tyre. Hienat e së kaluarës krokërasin për të nxirë diellin që ka lindur në vendin tonë. Por le ta dinë mirë se në rast se do të vazhdojnë me klithmat e tyre të dëshpëruara, shpejt do të shohin pasojat e një katastrofe të paparë për parimet e tyre obskurantiste. Heshtni! Këtë thirrje ua bëj unë, një ish-i përndjekur politik nga regjimi diktatorial i tyre, që sundoi për 46 vjet këtë vend fatkeq. Manifestimi i madh e vulosi përfundimisht thirrjen time. Në atë manifestim unë pashë mijëra të rënët për çështjen e lirisë dhe demokracisë. Pashë dhjetëra-mijërat e burgosur për fjalën dhe mendimin e lirë, të mohuar nga prindërit e apologjëveve të sotëm të rrymës së perënduar. Pashë qindra-mijëra gra dhe fëmijë të pafajshëm nëpër kampet e tmerrshme të internimit, që vdisnin për një kothere bukë që pushtetarët sadistë ua mohonin.

Heshtni! Ju nuk mund të flisni për të drejtat e ish-të dënuarve politikë, që vetë regjimi juaj ua mohoi. Një kukull juaja si zonja apo zonjushja Xhaçka, më falni pasi nuk e di gjendjen e saj civile, ky papagall i një personi pervers, ligjëroi dhe qau hallin tonë. Madje na bëri edhe zëdhënës të Sali Berishës. Oh, fatkeqe e mjerë! Si nuk arrin të kuptosh karakterin e të përndjekurve politikë?! Kur sistemi juaj totalitar ushtronte presionin më të egër kundër nesh, patëm guximin, pa na u trembur syri, t’i kundërviheshim dhe t’i tregonim se në Shqipëri jetonin ende bijë, që ishin të aftë t’i dilnin për zot këtij vatani. E pra ne e kemi burrërinë, që ju mungon juve, për t’i dalë përballë çdo të keqeje.

Heshtni! Kohët e fundit kemi dëgjuar kryetarin tuaj hipokrit të deklarojë se gjoja në programin tuaj do të futkeni edhe problemin e të përndjekurve politikë. Oh, ironi e kohës! Mund të pranoni ju të bashkëpunoni me shoqatat tona në një kohë kur i keni konsideruar deri tani si armike njësoj si në periudhën kur sundonin paraardhësit tuaj famëkeq? Harruat që në ligjin e miratuar prej jush për dëmshpërblimin tonë kishit caktuar një shumë prej vetëm 50 lekësh në ditë, ligj që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese dhe që qeveria demokratike e zëvendësoi me 2000 lekë në ditë! Harruat që kur diskutohej Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë në mbështetje të asaj të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës “Mbi zhdukjen e pasojave të regjimeve komuniste”, përfaqësuesit tuaj dolën jashtë Kuvendit? Harruat që në votimin e projektligjit për dëmshpërblimin material të dënuarve politikë nga regjimi komunist, të përgatitur nga qeveria demokratike, ju përsëri dolët jashtë? Një gjë të tillë e përsëritët edhe kur diskutohej amendamenti për dëmshpërblimin e të pushkatuarve pa gjyq pas vitit 1945. Madje, pati edhe ndonjë deputet si “njeriu që qesh”, Pandeli Majko, që na cilësoi plehra.

Heshtni! Dëgjojmë liderin tuaj dështak të flasë shumë herë për antikomunizmin. Nëse një gjë e tillë është e vërtetë, a nuk i vrasin veshët atij thirrjet ogurzeza të korbave që mban përreth, që ulërijnë se qenkan krenarë që baballarët e tyre paskan qenë komunistë? Apo për ministrat e Ramiz Alisë që i mban gjithmonë e më afër? Shtoj këtu edhe jashtëqitjet e së djathtës që u janë bashkangjitur juve, se aty kanë gjetur veten e tyre.

Heshtni! Ju harroni, por nuk harrojmë ne. Nuk harrojmë Burrelin dhe Gjirokastrën, Vloçishtin dhe Bedenin, Spaçin dhe Qafën e Barit, Turanin dhe Porto-Palermon. Nuk harrojmë të rënët tanë, të burgosurit tanë, të internuarit tanë, të përndjekurit tanë. Ata nuk kanë vdekur. Ata janë të gjallë. Ata na bëjnë thirrje që në këto momente kur ju kujtoni se kemi vdekur, të tregojmë se jemi ende të gjallë, se ende jemi në gjendje t’u tregojmë vendin, t’u japim atë që meritoni. Këtë do ta arrijmë nëpërmjet vendosjes së drejtësisë për të cilën jemi të përkushtuar.

Heshtni! Në këto çaste më vijnë ndërmend fjalët e të pavdekshmit Hamlet drejtuar s’ëmës:

“O nënë! Hidhe poshtë gjysmën e keqe të zemrës tënde dhe jeto me gjysmën tjetër më të mirë!”.

Por, siç duket qartë, juve nuk ju ka mbetur asnjë gjysmë e mirë.

Atëherë heshtni!

*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›