Kisha e Shën Mërisë, model i arkitekturës bizantine
14/12/2009 Gjirokastra, e ndërtuar në shekujt X-XV, mban pasuri të paçmueshme, për 16 vjet u vodh 5 herë
GJIROKASTËR - E ndërtuar në qendër të fshatit Labovë e Kryqit, rreth 20 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, kisha e Shën Mërisë ka zgjuar interes për studiuesit vendas dhe të huaj, të cilët sot e kësaj dite ende nuk kanë përcaktuar datën e saktë të këtij objekti me statusin “monument kulture”. Kisha mendohet se është ndërtuar në shekujt X-XV. Disa studiues thonë se kisha është ndërtuar në shek. X, ndërsa sipas disa të tjerave kisha ka marrë formën e plotë në shekullin XIII. Sidoqoftë të gjithë bien dakord se kisha e Shën Mërisë, me përmasat, siluetën, kompozimin harmonik dhe dekorin e pasur, përbën një nga shembujt më me vlera të arkitekturës bizantine në jug të vendit. Përgjatë periudhës 1993-2009 ky objekt kulti është grabitur 5 herë. Vjedhja e fundit ishte goditje e rëndë për studiuesit dhe vetë kishën, pasi plot 18 ikona, që i përkasin shekullit XIII, u larguan në “drejtim të paditur”, ndërsa autorët ende nuk janë zbuluar nga policia.
Kisha e Shën Mërisë
Kisha shquhet për ngritjen e saj vertikale me lartësi 17 metra, tamburin masiv mbi të cilin mbështetet kupola dhe për dekoracionin e pasur me tulla, elementë që bashkë me konceptimin e hapësirës së brendshme krijojnë ndjenjën e madhështisë.
Në një ekspeditë të viteve të fundit, restauruesit e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë mundur të dallojnë plot 9 shtresa të suvasë, sipër të cilave janë zbuluar dhjetëra afreske, pikturuar në periudha të ndryshme të historisë.
Kisha e Shën Mërisë në Labovën e Kryqit u bindet kritereve të kompozimit volumor të jashtëm të kishave në formë kryqi me kupolë, ndërsa nga brenda shmanget nga organizimi i hapësirës karakteristike për kishat në formë kryqi dhe afrohet me tipin me bërthamë qendrore, mbuluar me kupolë mbi tambur dhe rrethuar me galeri të mbuluara me qemerë. Në një kohë më të vonë kishës i janë shtuar narteksi në anën perëndimore dhe në vazhdim të tij, gjithashtu në anën perëndimore hajati i hapur me një harkadë mbi kolona të ulëta prej guri. Apsidat në anën lindore janë ndërtuar në vitin 1776, siç dëshmon mbishkrimi i murosur në apsidën qendrore.
Orfea Beçi, përfaqësuesi i Mitropolisë së Gjirokastrës, pohon se, mbi portën kryesore kalojnë harqe në të dy drejtimet që formojnë katër bërthama katrore më të vogla, të mbuluara me kupola mbi tambure të ulëta. Hyrja kryesore, ose naosi siç njihet ndryshe nga besimtarët, ndahet nga endonarteksi dhe nga ambienti i altarit me harkada tërthore mbi kolona elegante guri. Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar formën e vjetër të planimetrisë, e cila përmbante dy aspida jashtë në anën lindore. “Siç shihet nga ky parashtrim i shkurtër dhe informativ mbi kisha që kanë mundur të arrijnë deri në ditët tona, arkitektura e periudhës para pushtimit osman njohu shkallë të lartë zhvillimi, që duket si në shumëllojshmërinë e tipave dhe varianteve të përdorura, ashtu edhe në nivelin arkitektoniko-konstruktiv të arritur”, thotë Orfea Beçi.